E mira e së keqes

E mira e së keqes

Afrim Bunjaku

Çdo e keqe ka një të mirë. Madje edhe më shumë. I tillë është agresioni i paprovokuar ushtarak e Rusisë kundër Ukrainës dhe orvatjet e Moskës dhe Beogradit për të hapur një front të dytë në Veriun e Kosovës, që do të shpërqendronte fokusin e NATO-s dhe do t’i jepte pak frymëmarrje dështimit të Rusisë për të nënshtruar rezistencën heroike të Ukrainës.

Ndryshe nga ç’prisnin në Kremlin, agresioni rus e rilindi kohezionin e familjes euroatlantike me SHBA në krye. Vendet që kishin filluar ta konsideronin si të tejkaluar mbrojtjen e përbashkët nën ombrellën e NATO-s e panë se ishin gabuar dhe i thirrën mendjes. Aleanca është më e fortë se kurrë. Ajo u zgjerua me Finlanden dhe së shpejti edhe me Suedinë, që deri dje kishin preferuar të qëndronin jashtë saj. Vende të tjera si Ukraina dhe Moldavia duan të bëhen pjesë. Kjo ishte e mira e parë.

E mira e dytë ka të bëjë me çlirimin e politikave të zgjerimit të BE-së nga një lloj ngurtësimi dhe intrasigjence që po shkonte përtej standardeve të zbatuara të anëtarësimit të Rumanisë apo Bullgarisë, fjala vjen, diktuar ky ngurtësim kryesisht nga grupet politike të stampës euroskeptike- sovraniste brënda BE-së.

Relaksimi i shoqëruar me veprime dhe vendime konkrete po shfaqet me përparësi në vendet e Ballkanit Perëndimor ku vendi ynë, sëpaku në këtë periudhë, po trajtohet nga Brukseli si një shtëpi rajonale e parapëlqyer. U pa edhe dje në Ministerialin e Ministrave  të Jashtëm, që i paraprin Samitit të BE-së për procesin e Berlinit pas dhjetë ditësh në Tiranë. Më shumë gjasë, do të demostrohet më fort gjatë ditëve të Samitit.

Të gjitha këto janë lajme dhe ngjarje pozitive për ëndrrën europiane të shqiptarëve. Në këtë kontekst edhe paralajmërimi i ambasadorit të BE-së, zotit Luigji Soreka, se në muajin dhjetor mund të kemi një lajm shumë të mirë për Shqipërinë. Zoti Soreka është një diplomat dhe zyrtar i profilit të lartë që nuk na ka mësuar ta marrin hopa velat e entuziazmit të kërkuar, siç ka ndodhur herë-herë me diplomatë të tjerë dashamirës, “profecitë” e të cilëve nuk janë verifikuar në afatin e dhënë prej tyre. Paralajmërimi i tij ka kuota besueshmërie. Të gjithë jemi kureshtarë të mësojmë cili është lajmi shumë i mirë. Duam të besojmë se është diçka më shumë se hapja për negocim e kapitullit të çështjeve themelore, që konsiderohet më i rëndësishmi dhe si të thuash përfundimtari në maratonën e negociatave. Edhe po të jetë vetëm kjo, lajmi mbetet i mirë. Por pritshmëria është për diçka konkrete më të madhe.

Ndërkohë, ndërsa dhjetorin e kemi përpara, kemi arsye t’i gëzohemi Samitit për procesin e Berlinit që do të mbahet për herë të parë jashtë BE-së, në Shqipëri. Vendi ynë mund të përfitojë si asnjëherë më parë nga plani i investimeve ekonomike të BE-së. Kapacitet e qeverisë sonë për të hartuar e paraqitur projekte të investueshme nga BE dhe për të përfituar sa më shumë nga rreth 15 miliardë eurot e deritanishme të platformës së Berlinit kanë lënë për të dëshiruar. Është rasti për të fituar kohën dhe shanset e humbura. Nga ana tjetër, për shumë arsye  të natyrës politike dhe gjeopolitike, të lidhura organikisht me përmbushjen në një nivel të pranueshëm të kërkesave dhe kushteve të tjera që kanë të bëjnë me demokracinë, ekonominë, sigurinë dhe drejtësinë, Shqipëria i ka shanset të jetë në grupin e vendeve që do të presin shiritin e mbërritjes në BE, në një varkë me Maqedoninë e Veriut, pse jo Malin e Zi.

Mbajtja e Samitit të 16 tetorit ishte parashikuar para ngjarjeve të fundit në Veriun e Kosovës, ku një bandë terroristësh serbë të armatosur gjer në dhëmbë, me mbështetje dhe frymëzim nga qarqe politike, ushtarake dhe të inteligjencës në Beograd, synuan “Krimenë e vogël” apo “Dombasin e vogël” në Kosovë. Skenari ogurzi dështoi falë profesionalizmit dhe mençurisë së policisë së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me trupat e KFOR-it. SHBA dhe BE e kanë dënuar sulmin terrorist dhe po kërkojnë një hetim të hollësishëm që synon të sqarojë shkallën e implikimit të Beogradit zyrtar në një skenar që praktikisht synon të kthejë historinë dhe të hedhë në erë gjithë investimin amerikan dhe europian për negocimin e një marrëveshjeje të paqes mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë moment, ndërsa ka mbajtur zi zyrtare për terroristët e vrarë dhe po përpiqet nga ana tjetër të tregojë se nuk ka dorë në ngjarjet e 24 shtatorit në Veriun e Kosovës, Serbia e  gjen veten në prapavijë apo në limbo sa i takon përparimit drejt anëtarësimit në BE. Madje rrezikon sanksione që mund ta penalizojnë për një kohë të gjatë. Gjithçka varet nga e vërteta e hetimit, nga qëndrimet dhe nga sjella e Serbisë në vijim.

Duam të  besojmë se kundërzhvillimi i markës serbe si potencial kërcënimi për Procesin e Berlinit, siç tha dje ministria gjermane e punëve të jashtme, Annalena Baerbock, po sjell e duhet të përforcojë si pasojë braktisjen nga BE të një preferencë të pashkruar për një kalendar të përbashkët të integrimit në BE të katër vendeve të Ballkanit Perëndimor ku përfshihej Serbia dhe më tej, përshpejtimin për vendet që po mbajnë busullën e integrimit ku bën pjesë vendi ynë. Ukraina duhet t’u ketë mësuar diçka liderve europianë në lidhje me dëmet e qëndrimeve të tipit tërhiq e mos e këput. Le të urojmë të mos na gënjejë shpresa. Shqipëria që pati startuar në një hap me Bullgarinë dhe Rumaninë në rrugë e integrimit në BE, mund të ishte bërë anëtare në mos në vitin 2007 kur u pranuar ato, katër-pesë vjet me vonë. Pavarësisht problemeve që ka pasur e ka. Dihet se pasi përmbush disa standarde bazë, një vend bëhet më demokratik brenda në BE se sa duke e lenë jashtë gjatë, ku rrezikon të bjerë pre e kastave oligarkike.

Ka material plot për ti bërë opozitë qeverisë. Ka në vendet me mirëqenie te stabilizuar që janë prej dekadash anëtarë të BE-së, ku cilësia dhe besueshmëria e alternativës opozitare prodhon periodikisht rrotacion e pushtetit. E jo më në Shqipëri. Opozitës në Shqipëri, e kemi thënë sa herë, i shkon të sillet si ishte në qeveri me ëndrrën e integrimit në BE. Këtu e bën diferencën si opozitë perëndimore në bosht, kombëtare, shtetformuese, racionale.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?