E mitura autike fiton konkursin
mësuesja e liceut do ta largojë

E mitura autike fiton konkursin<br />mësuesja e liceut do ta largojë
TIRANE- Mësuesja e klasës së parë, është ajo që të mbetet në kujtesë për thuajse gjatë gjithë jetës. Pa dyshim që edhe Aleksandrës së vogël nga Durrësi do t’i mbetet. Por jo për mirë. Kjo pasi mësuesja e saj e klasës së parë, Lumturi Ujkaj, kërkon me ngulm përjashtimin e të voglës nga liceu artistik “Jan Kukuzeli” të Durrësit, me pretendimin se vuan nga autizmi. Kjo ka bërë që i gjithë stafi pedagogjik i këtij liceu, të ngrihet kundër mësueses së klasës së parë, por ajo nuk heq dorë.

Aleksandra në fakt është futur në këtë shkollë nëpërmjet një konkursi special, që zbulon aftësitë muzikore të fëmijëve, të cilin ajo e ka fituar, pa ditur askush se çfarë sëmundje kishte. Por vetëm më pas, është mësuar se vajza është e prekur nga një formë e lehtë e autizmit infantil dhe kaq ka mjaftuar që mësuesja e klasës së parë, ta diskriminojë atë.

Duke qenë se ka hasur në kundërshtimin e fortë të stafit pedagogjik të kësaj shkolle, mëseusja, me eksperiencë pune 20-vjeçare, por që në fakt ka vetëm një vit që e ushtron profesionin e saj në këtë lice, ka filluar të përdorë metoda të ndryshme që të demoralizojë të voglën dhe prindërit e saj. “E ul në fund të bankave, kur dihet që këta fëmijë kanë nevojë patjetër për kontakt sy më sy dhe duhet të ulen në bankat e para. Nxjerr pretendime se prindërit i kanë kërkuar që ta largojë nga klasa, pasi ajo është e sëmurë”, - na tregojnë për këtë sistuatë në liceun e Durrësit.

Prania e këtyre fëmijëve në klasat publike është e sanksionuar edhe në ligjin e arsimit parauniversitar. Më konkretisht në nenin 63 të këtij përcaktohet se “Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore”. Pavërësisht se stafi pedagogjik ia kanë kujtuar disa herë këtë detyrim ligjor, mësuesja ka deklaruar se nuk ka kohë që t’i kushtojë kësaj nxënësje.

Në fakt, ka qenë pedagogia e saj e lëndës së violicelit, Keti Bashhysa që ka marrë përsipër të denoncojë publikisht atë që po ndodh me vogëlushen. “Ajo është një vajzë shumë e ndrojtur dhe ka nevojë për dashuri, ashtu siç kemi nevojë të gjithë në fund të fundit. Fitoi konkursin dhe fare rastësisht zgjodhi violincelin, lëndë të cilën ia jap unë. E keqja është se mësuesja e klasës së parë do t’i jap mësim për 5 vite me radhë, dhe nuk nëse do të vazhdojë kështu, sigurisht që do të jetë shumë e vështirë për vogëlushen”, - na tregon Keti Bashhysa.   

Apeli
Postimi i saj në faqen e “Facebook” për rastin e Aleksandërs ka sensibizuar të gjithë, duke shprehur mbështetje maksimale për të voglën. “Kjo vogëlushe quhet Aleksandra.......sot nisi vitin e parë të saj shkollor në liceun “Jan Kukuzeli” ku unë jap violoncel. Aleksandra e zgjodhi vetë këtë instrument, pasi konkuroi dhe fitoi konkursin që u zhvillua mes 10-ra fëmijësh. Aleksandra, është një fëmijë e diagnostikuar me autizëm.

Jo pa qëllim e publikova foton e saj këtu. Disa elementë pseudo njerëz dhe mbi të gjitha jo profesionale, i etiketojnë fëmijët autike shumë gabim! Shiheni këtë vogëlushe, ka diçka që nuk shkon? Absolutisht. Aleksandra dhe të gjithë fëmijët autike, janë shumë inteligjentë, të dashur dhe me aftësi të veçanta. Dikush kërkon me ngulm që Aleksandra të mos ta vazhdojë këtë shkollë.....por unë, që jap violoncel do luftoj deri në fund që ky fëmijë i mrekullueshëm të vazhdojë pasionin e saj.

Askush nuk ka të drejtë ti privoje këta fëmijë, askush...dhe të jeni të sigurtë që nuk do t'ja arrijnë qëllimit të tyre mizor dhe shumë injorant! Urime Aleksandra, Zoti të ndihmoftë ty vogëlushe e dashur dhe çdo fëmijë tjetër autik. Ndihma ime dhe e shumë kolegëve të mi, nuk do të të mungojë kurrë”, - shkruan Bashhysa.


aleksandra
(Në foto: Vogëlushja 6-vjeçare, Aleksandra nga Durrësi)
 

Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Mashtruan për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari nga Tirana dhe një turk

Mashtruan për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari nga Tirana dhe një turk