Fituesi i Oscarit, Pavel Talankin, u detyrua të dorëzonte statujën e tij të artë për dokumentarin "Mr Nobody Against Putin" gjatë kontrollit në një aeroport në New York dhe tani ajo është zhdukur.
Talankin thotë se e kishte çmimin e Akademisë në bagazhin e dorës për një fluturim drejt Gjermanisë, por sigurimi e ndaloi duke thënë se mund të përdorej si armë.Por kur mbërriti në Gjermani, statujëza kishte humbur.
Kompania ajrore Lufthansa, e cila e ndihmoi ta paketonte çmimin në një kuti për fluturimin pasi Talankin nuk kishte bagazh të regjistruar, tha se po e trajton incidentin me “kujdes dhe urgjencë” dhe po kryen një “kërkim të plotë të brendshëm” për çmimin.
“Na vjen thellësisht keq për këtë situatë,” tha kompania në një deklaratë. “Ekipi ynë po e trajton këtë çështje me kujdesin dhe urgjencën maksimale dhe po kryejmë një kërkim të plotë për të siguruar që Oscari të gjendet dhe të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur.”
Producentja ekzekutive e dokumentarit të BBC, Robin Hessman, tha se Talankin kishte udhëtuar disa herë me Oscarin e tij dhe gjithashtu me çmimin BAFTA, të cilat i kishte fituar këtë vit, si brenda SHBA-ve ashtu edhe në fluturime ndërkombëtare, pa pasur asnjë problem për t’i marrë me vete në avion.
“Kjo nuk do t’i kishte ndodhur Leonardo DiCaprio-s,” tha ajo.
Talankin, bashkëregjisor dhe protagonist i prodhimit fitues për filmin më të mirë dokumentar, udhëton shpesh me çmimin për ta shfaqur në aktivitete.
Gjatë këtij udhëtimi në New York, ai ua kishte dhënë studentëve në një universitet për ta parë gjatë një sesioni pyetje-përgjigje pas shfaqjes së dokumentarit.
BBC shkruan se ka parë pamjet ku stafi i Lufthansa paketon Oscarin në një kuti.

Një statujë Oscar është 34 cm e lartë dhe peshon rreth 3.9 kg. Thuhet se kushton nga 400 deri në 1000 dollarë për t’u prodhuar.
"Mr Nobody Against Putin" është një dokumentar që Talankin e ka xhiruar duke dokumentuar rritjen e propagandës së luftës në një shkollë ruse, ku ai punonte, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Ai tani është larguar nga Rusia për sigurinë e tij dhe jeton në Evropë.
Rusia e ka ndaluar dokumentarin në tri platforma transmetimi, duke pretenduar se ai “promovon ekstremizëm dhe terrorizëm”.
Komente











