Por, ndërsa u aktivizuan kapacitete nga jashtë Shqipërisë, këtu pjesa më e madhe e opozitës politike, veçanërisht Partia Demokratike, nuk preferoi as të shtronte opsionet e veta për dizenjimin e një Harte të re, sipas saj më të përshtatshme, duke shtyrë kështu afatet e veprimtarisë së Komisionit Parlamentar të përkohshëm. Një herë, duke u justifikuar se për këtë çështje do ta rishikonte pozicionin e vet, gjë që nuk ndodhi. Një herë tjetër, duke nxjerrë pretekstin se duhej hartuar më parë ligji për decentralizimin, pastaj të përcaktohej ndarja e re territoriale. Më së fundi, kjo u legjitimua dhe u mirëprit nga shumica e popullsisë.
Megjithatë, ndarja e re territoriale e vendit ka mbetur e regjistruar hë për hë edhe si çeshtja më e diskutuar pas miratimit të saj. Ndonëse gushti është tradicionalisht muaji më i preferuar për pushime verore, përsëri njoftimet dhe deklaratat e pasqyruara nëpër media për kontestime qoftë edhe të pjesëshme ndaj kësaj reforme nuk kanë munguar. Në një farë mase, këto kundërshtime paraqiten si shprehje e pakënaqësisë së disa kryetarëve komunash, që në Hartën e re nuk e shohin gjëkundi kolltukun e tyre, mbi të cilin janë mësuar të shtriqen e mbështeten rehatshëm, kur edhe shumicën e investimeve në njësitë e tyre, edhe rrogat e majme individuale i kanë pritur vazhdimisht të sigurohen nga qeverisja qendrore.
Në kushtet e reja, këta funksionarë të qeverisjes vendore dhe të punësuarit prej tyre apo të afërmit e vet, krahas përpunimit kundërshtues të opinionit nëpër fshatrat e zonave ku prej kohësh nuk janë njohur ndryshime, tani janë në eksplorim të një “gome shpëtimi” me kërkesën për zhvillimin atje të referendumeve lokale, duke shpresuar që pas të cilave të mbeten përsëri të mëvetësuar dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale të vazhdojnë që të përfitojnë privilegjet e deritashme në gjymtim të buxhetit të shtetit. Mirëpo, ndonëse disa prej tyre mund t’i llogarisin të sigurta pro vetes rezultatet e referendumeve të tilla, nxitimi apo ankthi nuk i ka lënë të qetë të mendojnë që zhvillimi i këtyre formave të vendimmarrjes së drejtpërdrejtë nuk është aspak i mundur në rastin e kësaj reforme të rëndësishme.
Nxitimi apo ankthi nuk i ka lënë të qetë, prandaj sikurse u mësua pak ditë më parë krerët e njësive të qeverisjes vendore të zgjedhur tre vite më parë si përfaqësues të Partisë Demokratike apo të mbështetur prej saj do të nisin punën për mbledhjen e firmave në përkrahje të organizimit të referendumeve lokale kundër reformës administrative – territoriale. Por pse, kaq e lehtë është të “zhubroset” Harta e re, pra, të krijohen përsëri copëzime të panevojshme dhe krejt të papërshtatshme vetëm e vetëm në plotësim të dëshirave të njërit apo tjetrit funksionar njësie vendore dhe të interesave të ngushta të njërës apo tjetrës parti politike?
Pamundësinë e zhvillimit të këtyre referendumeve e shpjegoi deri në një farë mase në një intervistë televizive, aty nga fundi i javës që mbyllëm, edhe një ish – kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, kur theksoi, veç të tjerash, se objekt i referendumit lokal janë çështje që kanë të bëjnë me qasje të qeverisjes vendore dhe jo në atakim të një ligji apo pjese të një ligji, siç është ai për ndarjen territoriale të krejt vendit. Mirëpo, kur pak më lart rradhita shprehjen “deri në një farë mase”, me këtë kisha parasysh që specialisti Kume, gjithashtu, la të kuptohej se kundërshtimi i Hartës së re mund të bëhet vetëm me referendum kombëtar, për të cilin tashmë nuk ka kohë.
Nuk ia vlen të merremi me sqarimin e afateve kohore, të përcaktuara për zhvillimin e formave të vendimmarrjes direkte. Nuk ia vlen të merremi me sqarimin e tyre, sepse për temën e zgjedhur sot mjafton të theksojmë që as me referendum popullor kombëtar nuk mund të realizohet kërkesa e kryetarëve të veçantë të disa komunave të caktuara apo edhe e të gjithë atyre krerëve të njësive të qeverisjes vendore, të bashkuar nën logon e Partisë Demokratike.
Ndajfolja mohuese për realizimin apo jo të kësaj kërkese del përpara edhe po të mbajmë parasysh që ende pa u miratuar ligji, në parashikim të nenit 108/2 të Kushtetutës, për ndryshimin e kufijve të sotëm të njësive të qeverisjes vendore u muar mendimi (dispozita nuk thotë aprovimi dhe as pëlqimi) i popullsisë, shumica absolute e të cilës, nëpërmjet përfaqësuesve të vet e vështroi Hartën e re si një mundësi më të madhe për zhvillimin e gjithë vendit dhe forcimin e shtetit drejt aplikimit të një modeli modern për ‘të. Ky realitet përbën një argument tjetër për të mos përfshirë organizimin e një referendumi kombëtar me objekt të tillë në axhendat e organeve publike të një aktualiteti sa vjen e më të ngjeshur me veprimtari intensive legjislative dhe zbatuese të ndryshimeve në disa drejtime kryesore të jetës së vendit.
Sidoqoftë, ndonëse Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në rradhën e disa ligjeve të miratuara muajin e fundit nga mazhoranca parlamentare, që i ktheu për rishqyrtim, nuk e bashkëngjiti edhe atë për ndarjen e re territoriale (kujdes ky, që ndoshta është arsyetuar prej tij për shkak të ekzigjencës së Shteteve aleate dhe ekspertëve të dërguar prej tyre posaçërisht për kryerjen me sukses të kësaj reforme – një ndër pesë prioritete të rëndësishme, përmbushja e të cilave ndikon direkt te çelja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian), emisarë të Partisë Demokratike planifikojnë - të paktën kështu shprehen publikisht - që pas përfundimit të këtij sezoni të pushimeve (15 shtator), kur të ketë hyrë në fuqi ligji për ndarjen e re territoriale, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me ankim ndaj këtij akti juridik.
Siç mësohet deri tani, pretendimi që mund të përbëjë objekt të atij ankimi është kryesisht rënia e ligjit ndesh me Kushtetutën, përderisa nga Harta e re janë fshirë komunat, si njësi të veçanta bazë të qeverisjes vendore. Por, me këtë mënyrë arsyetimi vështirë se mund të “korret” ndonjë sukses përpara organit të rishikimit kushtetues. Vështirë, sepse në dispozitën e parë të Pjesës së Gjashtë (‘Qeverisja Vendore’) të Ligjit Themelor të Shtetit, pra, sipas nenit 108/1, “Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet”. Kështu siç paraqitet përcaktimi, pretendimi i Partisë Demokratike vetvetiu rrëzohet. Rrëzohet, ngaqë fjalëza ‘ose’ nuk ka të njëjtin kuptim me lidhësen ‘dhe’.
Ajo shpreh një alternativë, që ligjvënësi në rastin e Hartës së re nuk ka qenë i detyruar t’i përmbahet. Ndërkohë, duke marrë parasysh që ligji për ndarjen e re territoriale të Republikës është miratuar në Kuvend me shumicë të cilësuar të votave, ashtu siç kërkohet nga neni 81/2 (gërma ‘f’) i Kushtetutës, me gjasë Gjykata Kushtetuese më e pakta që mund të bëjë është të mos e marrë në shqyrtim ankimin në fjalë, duke e vlerësuar objektin jashtë juridiksionit të saj.
Në situata të tilla, Partia Demokratike do të ishte më mirë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të aktivizonte deputetët e saj për të marrë pjesë aktive në Komisionin parlamentar ad hoc, që planifikohet të ngrihet për hartimin e një ligji të ri për decentralizimin e pushtetit, pa të cilin reforma administrative – territoriale do të mbetej e mangët dhe efektivisht e pazbatueshme. Gjithashtu, me një vizion të qartë rreth kësaj reforme, partitë opozitare do të jenë në gjendje që institucionalisht të ndërtojnë, ngrenë, shtrojnë dhe mbrojnë opsionet e tyre të arsyeshme rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të cilat OSBE/ODIHR kanë rekomanduar të nisë puna gjatë shtatorit, muajit vijues të kësaj stine të vitit.
Ndryshe, duke vazhduar të mbahen pozicione bojkotimi në Kuvendin e Shqipërisë, më vonë asgjë nuk do t’i justifikonte forcat politike opozitare, veçançanisht Partinë Demokratike, jo vetëm për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, por edhe nëse vendosin të hyjnë në konkurrim, për mangësitë dhe prapambetjen në zhvillimin e fushatës elektorale, sikurse për treguesit dekurajues që mund të përftohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më 2015.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Gusht 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)