TETOVË - Klubi shqiptar i futbollit, Shkëndija e Tetovës, është përballur me një nga ndëshkimet më të rënda në historinë e saj, pasi Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka vendosur masa të ashpra disiplinore pas finales së Kupës.
Sipas vendimit të publikuar nga organet e Federatës, klubi tetovar është përjashtuar nga edicioni i ardhshëm i Kupës dhe është gjobitur me një total prej 105 mijë eurosh për një sërë shkeljesh të konstatuara gjatë dhe pas finales.
Vendimi është marrë pavarësisht sqarimeve të Shkëndijës, e cila kishte deklaruar se futbollistët nuk e kishin dëgjuar thirrjen për ceremoninë e ndarjes së medaljeve, ndaj nuk morën pjesë. Megjithatë, autoritetet disiplinore kanë vlerësuar se janë shkelur rëndë rregulloret e garës.
Nga shuma totale e gjobës, 15 mijë euro janë vendosur për përdorimin e mjeteve piroteknike në tribunë, ndërsa 10 mijë euro të tjera për kore dhe slogane të cilësuara si të papërshtatshme nga organizatorët. Një tjetër sanksion prej 20 mijë eurosh lidhet me shfaqjen e një baneri, i cili sipas raportit zyrtar është vlerësuar si me përmbajtje naziste.
Dënimi më i rëndë ka ardhur për refuzimin e marrjes së medaljeve pas përfundimit të finales. Për këtë veprim, Shkëndija është gjobitur me 30 mijë euro dhe është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kupën e sezonit të ardhshëm, pasi është konsideruar se nuk janë respektuar zyrtarët e ndeshjes dhe kundërshtari.
Ndërkohë, klubi është ndëshkuar edhe me 30 mijë euro shtesë dhe katër ndeshje pa praninë e tifozëve për incidentet e raportuara gjatë ceremonisë së himnit shtetëror. Sipas raportit zyrtar, himni i Maqedonisë së Veriut nuk është respektuar, ndërsa në tribunë është kënduar himni shqiptar. Në finalen e Kupës, Shkëndija u mposht 1-0 nga Sileksi në stadiumin e Shkupit më 20 maj.
Këto masa pritet të kenë ndikim të madh te Shkëndija, e cila tashmë duhet të përballet me pasojat sportive dhe financiare të vendimit disiplinor.
Komente




