Ndodhi që një histori e tillë ra mes nesh ofruar nga prezantuesi dhe kantautori Ardit Gjebrea dhe hapi një debat të thellë që nxjerr në dritë shumë gjëra. Alda Canaj, vajza 16 vjeçare që u persekutua, u përndoq nga ish-efektivi i SHISH Marjan Rroku, një stalker deri në vrasjen e saj dhe të mamasë Mbarime, duket se na vjen plot 15 vite më pas si një pasqyrë ku të shohim veten e të pyesim: Çfarë kemi bërë, ku jemi dhe ku do të shkojmë ne shqiptarët?
Po të mos ishim revoltuar për intervistën ku Ardit Gjebrea bën hero dhe apelon të lirohet si i penduar një vrasës, nuk do të njihnim shumë gjëra. Si për shembull rolin dhe pozicionin në këtë histori të ish-kreut të SHISH Fatos Klosi. Klosi, i njohur si një intelektual që shkoi në SHISH nga radhët akademike, në pasqyrën që na vuri përballë ngjarja e rëndë e Aldës, është në një pozicion të tmerrshëm etik, por edhe institucional: Një intelektual, më tepër se një funksionar, që edhe sot e kësaj dite, pas 15 vjetësh, e paraqet ngjarjen e rëndë si një "grindje" mes dy të rinjve. Cilido të ketë qenë raporti i Klosit me Rrokun, janë të tepërta në publik vlerësimet e tij se "Rroku ishte nxënës i shkëlqyer, punonjës model..." Ku gjendet forca për të thënë fjalë të mira për një "stalker" që vrau dy vetë? Në krime të rënda janë distancuar prindër e të afërm nga vrasësit. Ç'lidhje kaq të fortë mban Rrokun (që në intervistë nuk përcjell asnjë artikulim me kulturë apo njerëzor?) dhe intelektualin e ish-Kreun e SHISH Fatos Klosi? Nuk e di se si e sheh veten Klosi në pasqyrën e 16 vjeçares Alda Canaj.
Sa për Ardit Gjebrenë, debati për të është ezauruar, edhe pse keqardhja dhe trishtimi është i thellë: Ardit Gjebrea ka një pozicion elitar në shoqëri si artist dhe prezantues, por në pasqyrën e vajzës së vrarë Alda Canaj, ai del me një shpirt të shëmtuar. Në replikat e tij, ai jo vetëm që nuk tregon pendesë, por vazhdon të sulmojë atë pjesë të shoqërisë që nuk pajtohet me atë "spektakël" të dëmshëm për të gjithë.
Intervista me vrasësin e Alda Canajt erdhi dhe si një pasqyrë për Shtetin që kemi ndërtuar: sesi solidarizohet ai me të vetët dhe të fortët, pavarësisht çdo gjëje që kanë kryer. Si me historinë e Enrieta Sokolit, besoj se ju kujtohet.
Duhet shumë forcë dhe shumë etikë për të përmirësuar gjendjen dhe si në çdo vend, këtë forcë për ndryshim e përmirësim e kanë elitat... Nëse nuk janë të zëna me tjetër gjë, për shembull, duke shtuar pronat.