TIRANË - Një 34-vjeçar me banim në Berat për 6 vite me radhë kërcënonte me jetë dhe përndiqte përmes Facebookut një 24-vjeçare banuese Tiranë. Përmes një njoftimi zyrtar policia e kryeqytetit tha se ka arrestuar në flagrancë Panajot Buhallin me arsim 8-vjeçar. Sipas policisë, 34-vjeçari është i dënuar edhe më parë për dhunë në familje. Për një periudhë të gjatë prej 6 vitesh ai kish kanosur me jetë të renë nga Tirana si dhe e diskriminonte atë nëpërmjet rrjetit social.
 
Sipas policisë, e reja beratase kishte disa vite që jetonte në Tiranë, në një nga godinat e “Qyteti Studenti” ishte lodhur dhe mërzitur nga përndjekja dhe bezdisja e tepërt që kishte marrë nga 34 vjeçari. Duke u nisur nga kjo, mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:30 kur vajza sapo kthehej nga puna kishte telefonuar në Sallën Operative të Policisë së Tiranës, pasi 34 vjeçari e kishte ndjekur atë nga pas.

Deklarata e vajzës O.S
Burime nga policia thanë se vajza me iniciale O.S pasi ka bërë denoncim në polici ndaj 34 vjeçarit P.Buhali, ka thënë se ka rreth 6 vite që ky i fundit nuk e linte atë rehat.

“P. ka rreth 6 vite që nuk më lë rehat. Ka 6 vite me radhë që ai më bezdis dhe madje më ka kërcënuar nëse unë nuk do të bëj ato që thotë dhe dëshiron ai. Kam ndërruar numrin e telefonit disa herë sepse më bezdiste gjithmonë, por nuk e di se si e gjente sërish dhe më merrte pothuajse gjithë ditën në telefon e më shkruante sms.Unë nuk po e duroja dot më këtë situatë dhe vendosa ta denoncoj në polic
i”, ka deklaruar vajza.

Ndërsa më tej, ajo ka shtuar se kohët e fundit djali ka hapur edhe një adresë Facebook-u false dhe pasi ka marrë fotot e vajzës nga adresa e saj personale, i ka postuar ato në adresën e hapur prej tij duke i modifikuar në mënyra të ndryshme.

“Para disa kohësh mora vesh se P. kishte hapur një adresë false me fotot e mija personale dhe kur e kam hapur atë kam parë se ato ishin përdorur në mënyra nga më të ndryshmet”, ka thënë ajo. Po ashtu, O.S ka shtuar se “P. ka tre ditë me radhë (datat 2, 3 dhe 4 gusht) që më ndjek sa herë që shkoj e dal nga puna dhe nuk po më lë rehat”.

Deklarata e P.Buhalit
“Unë e dua dhe e pëlqej O-në. E njoh vite më parë dhe më ka ngelur fiksim”. Kështu mësohet të jetë shprehur P.Bahuli i marrë në pyetje nga grupi hetimor pas vënies së tij në pranga. Po ashtu, burime nga grupi hetimor thanë për “Shqiptarja.com”, se djali i pyetur mbi adresën false të hapur në rrjetin social Facebook ka thënë se e ka bërë për shantazh.

“Sa herë që unë ndihesha keq kur O. nuk më hapte telefonin ose nuk më kthente përgjigje me sms mërzitesha dhe një ditë vendosa t’i hapja asaj një adresë false ku i mora dhe disa foto të sajat dhe i keqinterpretova ato. Këtë gjë e kam bërë me synim që edhe ajo të mërzitej dhe t’i bëja shantazh që të pranonte të plotësonte çdo dëshirë timen”, ka shtuar më tej ai.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)