E PLOTË/ Fjala e kryeministrit Rama në inaugurimin e shtëpisë se re të RENEA-s

E PLOTË/ Fjala e kryeministrit Rama në inaugurimin e shtëpisë se re të RENEA-s

1578908217_rama7.jpg

Fjala e plote e kryeministrit Edi Rama gjatë inugurimit të ambienteve të repartit ushtrarak RENEA.

Në 13 janar të vitit 1913 më pak se 2 muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së pavarur, Policia e Shtetit.

“Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e Policisë në duar të ndershme dhe të stërvitura. Të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh dhe një rregull të shtrënguar!”  Kjo ishte porosia që Ismail Qemali dha në atë kohë. Është një porosi që nuk ka datë skadence sepse të qenurit në duar të ndershme dhe të stërvitura është “A”-ja e çdo policie shteti dhe e kësaj policie shteti.

Sot, më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 nga vjet nga formimi i Policisë së Shtetit tu themi të gjithë djemve të përkushtuar dhe shembullorë të RENEA-s, por edhe vajzave që janë pjesë e tyre, se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke u vënë në dispozicion, më në fund, pas 30 vitesh, këtë strukturë që i shërben stërvitjes, i shërben mirëqenies profesionale dhe morale të tyre, ndërkohë që, për 30 vjet rresht të gjithë ata që janë angazhuar në forcat RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi nga një lartësi profesionale dhe morale e admirueshme që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet. Sot RENEA ka në dispozicion një strukturë, e cila është në çdo aspekt e ngjashme në çdo standard me strukturat e forcave policore të elitës në vendet europiane.

Është dita mbase për ta kujtuar që, RENEA u themelua me një akt të posaçëm në 12 shtator të vitit 1991 si pasardhëse e Batalionit 326 Antidemonstratë, krijuar në vitin 1982 dhe në një moment kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur. Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupimet e supozuara antiregjim, ndërsa përgjatë viteve ‘80 detyra e posaçme e 326-ës ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit nëpër stadiume. Sot jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime dhe mundësi tërësisht të tjera. E nëse sot kemi këtu një strukturë moderne për forcat e RENEA-s, që, siç e thashë, nuk ka asgjë të mangët në aspektin e kushteve, krahasuar me strukturat e ngjashme në vendet europiane, deri një dekadë më parë kishim një repart ushtarak që në shkurt-mars të vitit ‘97 përgatitet të sulmonte popullsinë civile në jug të vendit së bashku me brigadën e raketave, brigadën e tankeve dhe brigadën e artilerisë.  

Nuk ishte 100 vjet më parë, por vetëm 20 vjet më parë dhe nëse krahasimet me të shkuarën janë absolutisht tronditëse, sot është koha për t’u matur me të ardhmen dhe për të shfrytëzuar të gjitha mundësinë, duke u mbështetur pa asnjë luhatje te kapacitetet njerëzore, profesionale dhe morale të forcave speciale. RENEA është një forcë krenarie dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë që tregon se është absolutisht e mundur që ne të synojmë në gjithë perimetrin e Policisë së Shtetit të kemi standarde sjelljeje profesionale të njëjta me ato të policive të vendeve europiane.

Përpara disa kohësh një autoritet i huaj vizitoi forcat RENEA dhe gjatë takimit me të dëgjova fjalë të shkëlqyera. Sipas tij, nëse në kushtet optimale, që tanimë janë të siguruara, do të vendoseshin si të gjitha forcat e të tjera të elitës edhe forcat RENEA atëherë rezultatet do të ishin edhe më mbresëlënëse. E pikërisht janë rezultat mbresëlënëse që ne presim të shtohen falë forcave RENEA, forcave speciale, por dhe në përgjithësi falë edhe Policisë së Shtetit. Lamë pas një vit domethënës për Policinë e Shtetit, një vit tejet i komplikuar dhe në njëfarë mënyre i pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër me ndonjë aspekt, gjatë të cilit, sidoqoftë, të gjithë treguesit kryesorë të kriminalitetit dhe të veprave të rënda penale njohën rënie. Është për të ardhur keq që në atmosferën e rënduar artificialisht nga disa drejtime dhe në kushtet e një xhungle informacioni krijohet hera-herës përshtypja tejet e gabuar mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëri, ndërkohë që, faktet flasin më së miri për rënien e vazhdueshme të treguesve kryesorë të kriminalitetit. Nga ana tjetër, faktet flasin për një rritje domethënëse të zbulueshmërisë së krimeve nga Policia e Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se lufta me krimin është një luftë që nuk mbaron asnjëherë dhe matet thjesht e vetëm me raportin e forcës përmes fakteve e shifrave mes shtetit dhe krimit. Ky raport në gjithë këto vite ka ardhur duke rritur forcën e shtetit e duke ulur forcën e krimit.

Vitin e shkuar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale krahasuar, me vitin 2018, u shumëfishuan asetet e sekuestruara, mbi 60 milion euro vetëm në 2019-ën, u rrit ndjeshëm forca goditëse ndaj të gjitha veprave të rënda, apo më pak të rënda penale, vijoi procesi i përafrimit të standardeve me policisë simotra të vendeve europane, u hap rruga për herë të parë në policinë e shtetit për studentë ekselence dhe u forcua më tutje struktura e bazuar mbi meritokracinë në procesin e rritjes në detyrë në Policinë e Shtetit, u aplikuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshirë edhe krimin kibernetik dhe siç evidenton edhe raporti i vitit 2018, u rrit niveli i sigurisë dhe i respektimit të të drejtave të njeriut dhe të mos e harrojmë, falë Policisë së Shtetit, jo vetëm u sigurua rendi dhe qetësia gjatë 6 muajve marramendës të protestave të dhunshme të opozitës, por u shfaq në sytë e të gjithë opinionit publik vendas dhe gjithë atyre syve të interesuar jashtë Shqipërisë fytyra e një Policie Shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën përtej të gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme në të cilën u vunë trupat e Policisë së Shtetit si rezultat i provokimeve të pambarimta të bëra nga palët demonstruese. Vazhdoi rinovimi i flotës së automjeteve dhe i bazës materiale të Policisë së Shtetit së bashku me repartet e specializuara si RENEA.

Sot, nuk ka pikë diskutimi që në çdo aspekt, Policia e Shtetit është në ditën e saj më të mirë krahasuar me çdo ditë të djeshme, por, nuk ka pikë diskutimi se, krahasuar me të nesërmen disa e sotme nuk mjafton. Jemi përpara një numri të ri sfidash dhe mbi të gjitha, viti 2020 është përcaktuar si një vit kyç për të vënë në jetë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar. Me përparmin e Reformës në Drejtësi po bëhet një pastrim i madh, rrënjësor në pallatin e drejtësisë, por koha e nevojshme për të mbaruar këtë pastrim dhe për të vënë në funksionim të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër, natyrshëm dhe ndërkohë, në këtë fazë tranzicioni mes një sistemi që po shembet dhe një sistemi që po ngrihet, shoqëria jonë po përballet me një organizate kriminale brenda sistemit të drejtësisë, një organizatë e rrezikshme, e mirëfilltë kriminale e përbërë nga prokurorë e gjykatës që e kanë shumë të qartë që nuk e kalojnë dot vettingun dhe i janë bashkuar motos “kap çfarë të kapësh”, duke dhënë në mënyrë të vazhdueshme vendime skandaloze, jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe në cenim të sigurisë kombëtare.

Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore që jemi duke e kolauduar këto ditë që flasim edhe me partnerët tanë të pazëvendësueshëm, SHBA dhe BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, duke zhvilluar një aktivitet si asnjëherë më parë agresiv në terren të Policisë së Shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi, ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht me ta, ne do bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla pas murit të çdo anëtari të KÇK në Prokurori apo Gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin. E nisa me Ismail Qemalin dhe dua ta mbyll me Ismail Qemalin, duke thënë se ndërkohë Policia e Shtetit po kryen dhe një proces pastrimi, apo, siç thoshte Ismail Qemali, qërimi nga radhët e veta të atyre që nuk janë të denjë për të përmes një vettingu që po ecën me të gjithë kujdesin e nevojshëm, por dhe me të gjithë vendosmërinë e domosdoshme.

Në fund, dua të them që, nëse me RENEA-n, ne sot ndjehemi kryelartë sepse shlyem një borxh dhe i kemi vënë në dispozicion të gjithë këtë strukturë mbresëlënëse, ultramoderne jemi në borxh me kohën dhe me Policinë e Shtetit deri kur të kemi vënë në dispozicion të studentëve një Akademi Sigurie të të njëjtave standarde si këtu, të kemi vënë në dispozicion të FNSH një strukturë të të njëjtave standarde si këtu dhe të kemi vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit një laborator shkencor të të njëjtave standardeve si në vendet e BE. Këto janë 3 objektiva të të sotmes dhe për të treja këto puna fillon sot. Akademia e Sigurisë do kthehet në një strukturë model në rajon, në çdo aspekt. Reparti i FNSH do jetë një tjetër model në çdo aspekt dhe laboratori shkencor patjetër që është një domosdoshmëri alarmante si rezultat i nevojës për ta sofistikuar policinë e shtetit në kushtet kur krimi sofistikohet çdo ditë. Armiku më i madh i Policisë nuk është krimi, por është vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për ta dëgjuar. Më vjen shumë mirë që me qeverinë që unë drejtoj qysh nga dita e parë, ky armik është asgjësuar.

Ne nuk kemi bërë sa kemi dashur për Policinë e Shtetit, por kemi bërë gjithçka kemi mundur. Ne nuk kemi arritur ende t’i plotësojmë Policisë së Shtetit të gjitha nevojat, por kemi bërë gjithçka që ajo sot të ketë më pak nevoja se dje. Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e forcave të Policisë së Shtetit, por ama kemi bërë gjithçka dhe sot Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar seç ishte dje. Nuk kemi bërë gjithçka kemi dashur edhe për kushtet, por sot mund të themi me plot gojën se kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe gjithçka mundemi do vazhdojmë të bëjmë duke respektuar maksimalisht autoritetin e policisë së Shtetit, autoritetet drejtuese të, saj që, për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë të trysnuara nga urdhrat nga lart në kundërshtim me ligjin apo në kërkim të influencave të çdo lloji, forcave speciale që për herë të parë në këto 30 vite, gjatë viteve të fundit nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre dhe vetë RENEA-s, historia e së cilës nis me një ndërhyrje në një emergjencë civile në ‘91 pas një përmbytje shumë të furishme ku një efektiv i kohës rrezikoi jetën, u hodh në ujin e akullt dhe shpëtoi 3 barinj në rrezik mbytjeje. Është një histori që ka shënuar shumë akte të tilla. Ne nuk kemi bërë gjithçka kemi dashur për të gjithë djemtë dhe vajzat e RENEA-s, por kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do të bëjmë gjithçka mundemi edhe në vitet në vijim, në mënyrë që të gjitha të mirat që shoqëria, shteti, kombi ka parë nga këto forca të shtohen dhe gjithnjë e më shumë mirësi nga shteti të kenë të gjithë ata që shërbejnë me uniformë së bashku me familjet e tyre.

Duke qenë se është fillimi i vitit unë dua që t’u përcjell me këtë rast një përshëndetje shumë të përzemërt të gjitha familjeve, të gjitha nënave të atyre që janë nën uniformë, baballarëve, bashkëshortëve, bashkëshortëve, fëmijëve, duke i siguruar se respekti im dhe yni për njerëzit e policisë së shtetit është i palëkundur dhe se në vazhdimësi do përpiqemi që këtë respekt ta tregojmë me vepra duke bërë më të mirën në mënyrë që edhe ata që përcjellin shërbëtorët e shtetit në mëngjes të ndihen më mirë dhe në mënyrë që të gjithë fëmijët e policisë së shtetit të kenë një të ardhme më të mirë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe shumë respekt për të gjithë ata që shërbejnë dhe kanë shërbyer në gjithë këto vite në policisë e shtetit!


Lajmi kryesor:

Inaugurohet 'shtëpia' e re e RENEA-s në Yzberisht! Rama paralajmëron sulmin kundër KÇK: Paketa po konsultohet me SHBA-BE (VIDEO)


/G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë