Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Qeveria po punon për të krijuar një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe.
Disa ditë më parë kryeministri e propozoi këtë ide gjatë një takimi me një grup prindërish, ndërsa sot, në podkastin e tij ‘Flasim’ në rrjetet sociale, Rama tha se ka nisur puna për ngritjen e Këshillit.
Po ashtu Rama tha se Qeveria dhe ai personalisht po bëjnë përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënies së institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre.
Shefi i Qeverisë sqaroi se Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe do të ketë në përbërjen e tij përfaqësues të institucioneve, prindërve e mësuesve.
“Qeveria dhe unë personalisht po bëjmë përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre, duke angazhuar pikërisht prindërit që janë në pararojë të kësaj përpjekjeje. Ne duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tutje përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij Këshilli, që do të ketë në përbërjen e vet përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.








Komente
Komento