Itali - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Bergamo, ku një mësuese është goditur me thikë në qafë nga një nxënës 13-vjeçar.

Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në korridorin e shkollës së mesme Via Damiano Chiesa, pak para se të niste mësimi (ora 07:45).

Chiara Mocchi, mësuese e gjuhës frënge, 57-vjeçe është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave.

I mituri u ndalua nga karabinierët, të cilët, duke kontrolluar çantën e shpinës, gjetën edhe një pistoletë bosh. Gjatë momentit që kreu krimin, ai mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Vendetta”, që do të thotë hakmarrje.

Prindërit e disa nxënësve kanë deklaruar se e kanë marrë vesh për ngjarjen përmes një mesazhi.

"Mësuam se çfarë ndodhi nga një mesazh nga përfaqësuesi i klasës dhe nxitova të kontrolloja vajzën time. E dimë që vetëm tre fëmijë e panë incidentin. Ata na thanë se ky djalë e goditi me thikë mësuesen”, shprehen prindërit.