KAMERUN - Rrëmbim, izolim dhe torturë. Me këto fjalë mund të përshkruhet një ngjarje e pazakontë që ka si protagonistë njerëz të lidhur me futbollin.
Presidenti i klubit Victoria United me qendër në Limbe, Valentin Nkwain akuzohet se rrëmbeu dhe torturoi për tre ditë portierin e ekipit të tij, Eric Parfait Djomeni Fokam, vetëm 19 vjeç.
Gardiani është edhe lojtar i Kombëtares U-20 të Kamerunit dhe gjithçka sipas medieve ka ndodhur pasi presidenti e akuzonte se ka vendosur baste dhe ka shitur ndeshjet e ekipit të tij.

Pas lajmeve që tanimë kanë "marrë dhenë", vetë klubi ka mohuar gjithçka për një ndodhi të tillë.
Dinamika: komisariati, pastaj sekuestrimi
Nkwain fillimisht shoqëroi portierin në stacionin e policisë lokale për të rrëfyer krimin, por Erik mohoi gjithçka dhe u lirua menjëherë. Në këtë moment, sipas raporteve të mediave kamerunase, presidenti dyshohet se punësoi dy persona dhe i dërgoi në shtëpinë e Djomenit për ta rrëmbyer dhe për ta çuar në vilën e tij, ku iu nënshtrua torturave për tre ditë të gjata me qëllim që t'i nxirrte një rrëfim.
Nëna e portierit mësohet se ka denoncuar ngjarjen; pasi kishte shkuar në zyrat e klubit për të kërkuar informacion, ajo u dëbua në mënyrë të vrazhdë nga presidenti. Unioni Kombëtar i Futbollistëve të Kamerunit (Synafoc) qëndroi pranë portierit.
“Drejtësi për Eric Parfait Djomenin! Portieri i ri i Victoria United u rrëmbye, u mbajt rob dhe u torturua nga presidenti famëkeq i klubit të tij, Valentin Nkwain. Eric Parfait Djomeni, ju keni mbështetjen time të plotë”, shkroi Jacques Marcel Itiga, kreu i komunikimit për sindikatat e Kamerunit.
Presidenti është mik i Eto'o
Presidenti Nkwain ishte tashmë në qendër të një skandali 18 muaj më parë për promovimin e ekipit të tij në ligën e parë falë ndihmës së Samuel Eto'o, presidentit të Federatës dhe mikut të tij, të cilët u përgjuan në një bisedë telefonike.
"Duhet të qëndroni të qetë. Klubi ynë duhet të ngjitet në kategorinë e parë, ky është qëllimi ynë. Por ju duhet të më jepni një dorë, nuk mund të bëni shumë zhurmë, duhet të qëndroni të qetë”, thoshte presidenti i klubit.
Mohimi i klubit dhe i portierit
Klubi ka dashur të mohojë incidentin në një deklaratë. “Po qarkullojnë thashetheme të rreme që po hedhin baltë mbi ekipin tonë. Nuk ka asnjë të vërtetë në të”.
Pak më pas, një video e vetë portierit mohon gjithçka.
"Siç mund ta shihni, unë nuk jam rrëmbyer. Po stërvitemi normalisht, nuk ka asnjë problem. Ajo që doli në internet nuk është e vërtetë. Unë pashë nënën time dje”, thotë portieri.
Mbetet dyshimi se ky është një mohim i detyrueshëm.