Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen kësaj të mërkure në gjimnazin "Hydajet Lezha" në qytetin e Lezhës, ku nxënësi goditi me karrige mësuesen e matematikes Majlinda Palushi.

Mësuesja mori lëndime në krah e trup dhe u dërgua me urgjencë në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi 16-vjeçarin, nxënës i viti të dytë. Nga të dhënat paraprake mësohet se nxënësi është revoltuar pasi mësuesja i ka thënë se nuk merr notë kaluese në matematikë.

“Për eshtrat e babit tënd e timit nuk kam për të kaluar”, kjo është fjalia që dëshmitarët pretendojnë se mësuesja i ka thënë nxënësit.

Në këtë moment 16-vjeçari e ka goditur mësuesen në klasë, në sy të bashkëmoshatarëve. Ngjarja e paprecedent solli bojkotimin e mësimit në gjimnazin "Hydajet Lezha". Drejtoria Arsimore Lezhë nuk ka reaguar për ngjarjen, ndërsa mësuesit e kësaj shkolle kanë paralajmëruar protesta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:41
Dhunimi i mësueses në Lezhë, Manastirliu: Ngjarje e papranueshme, të forcojmë mekanizmat për një mjedis të sigurt në shkolla

1698248829_ogertamanastiriu.jpg

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ka dënuar ngjarjen e sotme në Lezhë, ku një nxënës dhunoi mësuesen. Në reagimin e saj ministrja thotë se duhet më shumë angazhim për forcimin e mekanizmave institucionalë.

"Jam shumë e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e sotme në shkollën “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, një ngjarje totalisht e papranueshme dhe e patolerueshme, ashtu siç është i papranueshëm çdo akt dhune, në mjediset tona të mësimdhënies. I jam pranë mësuese Majlindës në këto momente dhe i uroj shërim sa më të shpejtë. Kjo ngjarje e rëndë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të angazhohemi edhe më shumë për forcimin e mekanizmave institucionalë, për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve, komunikimin efektiv, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, në familje, në komunitet, me qëllim që të garantojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësuesit tanë.

Na takon të gjithëve si shoqëri, të kontribuojmë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla, në mënyrë që institucionet arsimore si vatrat e dijes të garantojnë arsim cilësor, dhe të edukojnë e të përgatisin brezin e ri, me vlerat më të larta të kulturës dhe qytetarisë", shprehet ministrja.

Ora 14:06
Goditi mësuesen me karrige në Lezhë, arrestohet nxënësi 16 vjeç

1698222769_hydajetlezha.jpg

Policia ka arrestuar 16-vjeçarin që goditi mësuesen me karrige në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës “Hydajet Lezha”.

“Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:

Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Ora 11:12
Goditi mësuesen me karrige, nxënësi shoqërohet në Policinë e Lezhës

1698223803_karrige.jpg

Policia e Lezhës ka shoqëruar 16-vjeçarin i cili ka goditur me karrige mësuesen në gjimnazin “Hydajet Lezha”.

Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.

16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.