Vetëm 39 ditë pasi mori drejtimin e skuadrës, Ange Postecoglou është shkarkuar nga posti i trajnerit të Nottingham Forest, duke vendosur një rekord si trajneri me mandatin më të shkurtër në historinë e Premier League për një emërim të përhershëm.

Shkarkimi i australianit u bë publik vetëm 19 minuta pas humbjes 0-3 ndaj Chelseat, të shtunën në “City Ground”. Sipas TNT Sports, Postecoglou u njoftua për largimin në tunelin e stadiumit, menjëherë pasi kishte përfunduar takimi.

Ai hyri në dhomat e zhveshjes për t’ua thënë lojtarëve dhe më pas u largua nga ana tjetër e tunelit, me një çantë në dorë, drejt parkingut, ku u pa i buzëqeshur me një tifoz, ndonëse sapo ishte shkarkuar.

Sipas BBC, vendimi i klubit ishte marrë dhe komunikuar me trajnerin para se ai të fliste me lojtarët. Morgan Gibbs-White, në një deklaratë për TNT Sports pak para se lajmi të bëhej publik, zbuloi se Postecoglou kishte shprehur zhgënjim për rezultatin, ndonëse kishte vërejtur përmirësime në lojë.

Mediat britanike raportojnë se Nottingham Forest ka nisur kontakte me Roberto Mancinin, ish-trajnerin kampion të Manchester Cityt dhe fitues i trefishtë i Serie A me Interin.