‘E telefonova t’i tregoja që nëna ndërroi jetë, im bir humbi”/ Zhduket vlonjati nga ishulli i Kretës (VIDEO)
Prej 20 vitesh ka jetuar në Greqi, Aleksandër Pulaj nga Selenica e Vlorës shkëputi kontaktet me familjen, që prej tetorit të 2020. I pajisur me dokumentacion të rregull dhe me pasaportë greke, 50-vjecari ishte sipërmarrës i një firme ndërtimi në Kretë. Ai jetonte i vetëm prej 5 vitesh, pas divorcit me bashkëshorten.
Redaksia9 Mars 2021, 17:45 | Përditesimi: 9 Mars 2021, 20:42
Në një lidhje direkte nga Vlora, babai i tij Kozma Pulaj i kërkon ndihmë emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report TV. Ai foli me të, deri javën e dytë të tetorit dhe më datë 20 tetor kontaktet u shkëputën. Frikën e tij si prind e lidh edhe me situatën nga pandemia, se mos djali që jeton vetëm ka përfunduar në spital me Covid. Ai nuk u bë më i gjallë, ndërsa s’ka mundur të mësojë as ndarjen nga jeta, së fundmi, të nënës së tij.
Më qan shpirti për djalin, lotët nga sytë s’më janë tharë. Dy javët e para të tetorit kemi folur, pastaj nuk komunikoi më me ne. E ndiej humbjen e tij edhe për shkak të situatës së pandemisë. Izolimi na ka bërë që të mos mundim dot të shkojmë për ta kërkuar. Na mbushen sytë me lot dhe na vjen keq.Ai nuk mori vesh as për vdekjen e nënës së tij. Bashkëshortja ime ndërroi jetë pak kohë më parë. Që prej 20 tetorit nuk kam asnjë kontakt me djalin. Ai është i pajisur me pasaportë greke dhe ka nënshtetsinë greke. Frika ime më e madhe është se mos ka probleme me shëndetin dhe ndoshta ka përfunduar në ndonjë spital i prekur me Covid
Pas divorcit në Greqi, ish-bashkëshortja bashkë me dy djemtë e rritur, u kthyen në qytetin e Vlorës. As ata nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet babai. Ai ka jetuar në Kretë prej shumë vitesh, ndërsa ka provuar shumë herë emigracionin edhe në shtete të tjera. Në vitin 2006 erdhi në Shqipëri për të ndërtuar jetën, por nuk mundi dot. Ai u nis sërish në Kretë, ku ngriti një brigatë ndërtime duke punësuar edhe disa persona të tjerë. Dy vite më parë në Greqi ndryshoi emrin nga Alkimid në Aleksandër, ndërsa shokët e thërrisnin Aleko. 50-vjecari provoi të ngrinte një biznes edhe në Amerikën e largët, 3 vite më parë, por kontradikatat që pati me një shqiptar nga Kosova bënë që t’i kthehej sërish punës në Greqi, pikërisht në Kretë vend në të cilin humbi gjurmët.