E vërteta mbi Shqipëri-FMN

E vërteta mbi Shqipëri-FMN
15 tetori i vitit 1991 shënoi datën kur Shqipëria nënshkroi aktin formal të anëtarësimit të vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar(FMN) dhe në Bankën Botërore. Për herë të parë që nga krijimi i institucioneve të Breton Woods-it, përkrah shumë demokracive të konsoliduara dhe shumë vendeve të tjera aspiruese për prosperitet demokratik e ekonomik, u rendit në këtë komunitet kredish të buta dhe grantesh për zhvillim, edhe vendi ynë. Rëndësia e kësaj date nuk qëndron thjesht në një nënshkrim dhe anëtarësim.

Për Shqipërinë, ky moment nënkuptonte mundësi konkrete që vendi të përpunonte strategjitë e tij të kalimit të krizës dhe të zhvillimit, programet e ndihmave, programet e investimeve të brendshme, programet e thithjes së investimeve të huaja dhe të teknologjisë së përparuar, në prani dhe me këshillën e ekspertëve të ekonomisë, ndër më të mirët në qarkullim. Fondi Monetar Ndërkombëtar, organizatë e përbërë nga 188 vende, rregullat e së cilës janë të shkruara në Nenet e Marrëveshjes (Articles of Agreement), synon nxitjen e bashkëpunimit botëror në fushën monetare, sigurimin e stabilitetit financiar, lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare, nxitjen e punësimit, rritjen e qëndrueshme të ekonomive, si dhe reduktimin e varfërisë.

Të kërkosh ta demonizosh me zor këtë organizatë, është e kotë. Kanë kaluar 23 vite që nga anëtarësimi dhe raporti i qeverive shqiptare të tranzicionit me FMN ka qenë jo i qëndrueshëm, i përbërë nga ulje dhe ngritje. Koha më e errët e raportit Shqipëri-FMN i përket periudhës së skemave piramidale, qershor 1996-mars 1997. Këshillat e ekspertëve të FMN-së për të mbyllur në kohë skemat u injoruan tërësisht, edhe pse ministri i Financave i asaj kohe, Ridvan Bode, pati kurajon në nëntor 1996, në mes të dalldisë së plotë të fajdeve, të denonconte skemat. Por askush nuk e dëgjoi atë dhe vetë ekspertët e FMN-së.

Koha shtator 2013 e deri më tani mund të konsiderohet si nisja e një epoke të ngritjes së re të marrëdhënieve Shqipëri-FMN. Të 457 milionë dollarët kredi e butë e FMN-së dhe Bankës Botërore për Shqipërinë e viteve 2014-2016, nuk janë pak. Bullgaria dhe Maqedonia për vitet 2011-2013, po të bëjmë raportin e huave për frymë të popullsisë, kanë marrë më pak nga këto institucione. Duhet ta kuptojmë se këto janë para besimi në përgjegjësinë e qeverisë së sotme, për të mbajtur shpenzimet dhe paranë publike nën kontroll dhe jo bisedime e marrëveshje okulte.
Gjatë viteve të kaluara (2008-2012), FMN ishte lënë gradualisht në pozicionin e një spektatori ekspert, mendimi i të cilit dëgjohej me një respekt të shtirur dhe praktikisht asnjëherë nuk zbatohej.

Sidomos, kjo sjellje u bë tipike pas shpërthimit të krizës botërore financiare e ekonomike, pas shtatorit 2008(falimentimit të bankësse madhe amerikane Lehman Brothers). Qeveria jonë i kishte mundësitë të kërkonte mbështetje më të madhe nga FMN, për zbatimin e buxhetit të saj dhe ruajtjen e treguesve ekonomikë të vendit. Një gjë të tillë nuk ngurroi ta bënte, për shembull, Hungaria, shumë herë më e zhvilluar se ne. Po qeveria jonë e atëhershme mendoi ndryshe. Kërkesa për disiplinë të hekurt financiare, që ishte kushti i panegociueshëm për ndihmën e ndjeshme të FMN-së, nuk i shkonte për shtat. Qeveria jonë preferoi të përsëriste idenë e saj se kriza nuk po na prekte dhe, në heshtje, la të nënkuptonte se politika e FMN-së për mbajtjen e një niveli shpenzimesh shumë të kontrolluar, ishte jashtë realitetit shqiptar. Çmimi që tani po paguajmë të gjithë është i hidhur dhe po e sjell ekonominë e vendit drejt pikës zero(që në gjuhën teknike quhet stanjacion, mosrritje).

Kemi nevojë për një “vinç” të jashtëm, që të na lëvizë nga cektina ku po ngecim. Ky gati gjysëm miliardi dollarë mund ta kryejë këtë punë, në rast se qeveria e sotme do të dijë t’i përdorë me mend paratë që do të marrë. Kosto e këtyre parave të premtuara dhe të nënshkruara është në taksa të rritura, rritje të moshës së pensionit, mosrritje të pagave dhe pensioneve dhe një rregjim spartan shpenzimesh publike. FMN edhe mund të tërheqë ose ngrijë dhënie të transheve të kredive të saj, në rast se reformat që ka premtuar qeveria jonë(reforma që duhet të nisë në skemen e pensioneve, reforma territoriale, përmirësimi i pagesave për energjine elektrike, etj.) nuk nisin zbatimin real që nga ky vit.
Pra, raporti Shqipëri-FMN, sot më shumë se kurrë më parë, është një sfidë për të realizuar reforma të dhimbshme, por të thella, të afta të sjellin në drejtpeshim financat e rrezikuara publike shqiptare dhe të na tregojnë dritën në fund të tunelit.

Në asnjë mënyrë FMN dhe ekspertët e saj nuk duhet të kthehen në gogolë që të na trembin me rekomandimet-kushte të tyre. Janë ndër ekspertët më të mirë ekonomikë të botës dhe është shans për ne që vijnë në misione të herëpashershme tek ne dhe na ndihmojnë.


Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie