Shpesh kur flasim për shëndetin, përqendrohemi te kalciumi, hekuri apo magnezi, por harrojmë një grup mineralesh po aq të rëndësishme, edhe pse më pak të njohura. Këto janë mikroelementet “heronjtë e heshtur” që ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë tonë, balancën hormonale, funksionimin e sistemit nervor dhe madje edhe në procesin e plakjes së qelizave. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, u ndal në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, pikërisht te këto elemente të padukshme për syrin, por thelbësore për organizmin: bori, molibdeni, vanadiumi, litiumi, silici, stronciumi, germaniumi dhe kobalti. Çfarë roli luajnë në trupin tonë? Si i marrim në mënyrë natyrale? Dhe a është e mundur që të kemi mungesë të tyre pa e kuptuar?

“Trupi jonë nuk ka nevojë vetëm për mineralet bazë si kalcium, magnez, fosfor, klour etj. Ai ka nevojë për mineralet e vogla si bakër, hekur, mangan e shumë të tjera, por edhe për mikromineralet të vogla në sasi si bori, silici, litiumi, molibdeni, vanadiumi, silici, kobalti, etj,”- theksoi Joka.

I pari për nga rëndësia nga mikromineralet është Bori, i cili është dirigjenti i hormoneve dhe kockave tona edhe pse është në sasi të vogël.

“Një grua me probleme hormonale merr kalcium, vitaminë D dhe prapë ajo ka probleme me kockat dhe humorin. Bori është sakrifikues, rregullon funksionet për të tjerët, ai aktivizon vitaminën D. Pa të s’kemi gjë në vijë, ai mundëson rritjen e nivelit të përthithjes së kalciumit dhe magnezit. Nuk mund të kemi nivele të larta kalciumi pa borin, ai rrit testosteronin dhe estradiolin duke bërë të rritet lipido. Ndikon në ciklin menstrual të femrave, gjithashtu nëse keni inflamacion në gjak keni mungesë bori. 3-7 miligramë në ditë na duhet”, u shpreh Joka.

Nutricionisti tha se bori gjendet tek hurmat arabe, arroret, bajamet dhe tek disa fruta.

“Molibdeni nuk është thjesht një mineral, ai ndez, aktivizon tre enzima të rëndësishme në trupin tonë. Na heq grupet e mëdha të toksinave që marrim nga një pjesë e ushqimeve. Aktivizon një enzimë që shkatërron aldehidet që marrim nga alkooli. Nëse kemi intolerancë nga alkooli keni mungesë të këtij minerali edhe nëse konsumoni duhan dhe ju merren mend keni mungesë”, theksoi Joka duke vijuar me të tjerë mikrominerale të rëndësishme për shëndetin.

Vanadiumi, insulina e heshtur, qelizat nuk pranojnë glukozën dhe porta që ta pranojë është vanadiumi. Ai aktivizon receptorët e insulinës. Dietat e pasura me sheqer e eleminojnë këtë mineral. Na duhet 20-30 mikrogram nga ushqimi. Ky mineral gjendet tek frutat e detit, por dhe tek piperi, etj.  

“Litumi është një tjetër mikromineral i rëndësishëm, ai është qetësuesi biologjik i trurit. Ka një rol determinant për sistemin tonë nervor, ndikon tek serotonina, mbron neuronet, ul nivelin e depresionit dhe ankthit. Ul nivelin e vetëvrasjeve dhe shpërthimeve emocionale. Gjendet tek uji, por po ta shohësh në asnjë paketim s’ka fare litum, pasi edhe toka është varfëruar”, theksoi Joka.

Ndërsa silici është ‘arkitekti’ i trupit tonë, ndikon tek bukuria e një personi.

“Nuk ka thonj, flokë të shëndetshëm, nuk ka lëkurë të mirë pa silic. Kolagjeni është baza e lëkurës, por silici bën lidhjen që parandalon rrudhat. Duhet 50 miligramë në ditë. Gjendet tek tërshëra e papërpunuar, elbi, kastraveci dhe tek disa fara”.

Të tjerë mikrominerale janë Stronciumi, inxhinieri i kockave, aktivizon të gjithë fazën e ndërtimit të kockave tona. Kjo ndodh që në fëmijërinë dhe gjendet tek prodhimet e detit.  Kemi Germaniumin, që është baza e frymëmarrjes së qelizës tonë, gjendet tek hudhrat. Ndërsa Kobalti është zemra e vitaminës B12, pa të s’kemi energji në trupin tonë, parandalon edhe aneminë. Kobalti aktivizon vitaminën B12, pa të ajo nuk absorvohet dot.    

Në përfundim Joka theksoi se këto mikrominerale nuk duhen injoruar, pasi janë kontrollueset e shëndetit tonë, janë pikërisht ato që mundësojnë dhe mbështesin përthithjen në trup të mineraleve dhe vitaminave bazë.