Eco fashion në Tiranë, ide
“të çmendura” për Mjedisin

Eco fashion në Tiranë, ide<br />“të çmendura” për Mjedisin
TIRANE- Barkut të keqtrajtuar të Piramidës në qendër të Tiranës fëmijë, prindër, gjyshër, mësues, nxënës, artistë i dhanë jetë. E diela pasdite kishte një dritë të bukur të verdhë në kryeqytet siç ishte e verdhë dhe shishja gjigande performancë e Joni Krajës “Fosile bashkëkohore”, simbol i sfilatës më interesante të organizuar ndonjëherë në kryeqytet: Eco Fashion Shoë (Sfilata e modës ekologjike).

Më interesantja, sepse për realizimin e saj nuk ishte qëllim komercializimi, por mesazhe të fisme për të treguar dashuri për Tokën ku jetojmë: Redukto, Ripërdor, Riciklo dhe Rikrijo u përcoll përmes veshjeve nga më të “çmendurat” : Fustane të bëra me gjuhëzat e kanoçeve, me gazeta, me thasë plastike, tapa shishesh, lodra të prishura, puzzle, shishe plastike, letra të ndryshme ambalazhesh, tastiera kompjuterash e skelete çadrash të prishura, ndërsa modelet e moshës nga 1 deri mbi 50 vjeç, pra familjet.

Për të sensibilizuar fëmijët, por edhe familjet dhe shkollën përmes tyre, Rajmonda Zajmi ka ngritur Eco Alternative Arts dhe e realizon për të tretin vit këtë sfilatë që gjithnjë ka ardhur duke u rritur. Spektakli i kësaj të diele ishte një magji gjithëpërfshirëse: Fëmijë, prindër e gjyshër që nxitonin, vraponin, përgatiteshin, visheshin nëpër shkallët e mjediset e gërryera të barkut të Piramidës pa u ankuar e duke dhënë mesazhin e 4 R-ve. Dashuria për tokën, kujdesi për të, rikrijimi me materialet që përdorim ishin mesazhet që fëmijët e disa shkollave shqiptare dhe ndërkombëtare të Tiranës dhe gjimnazit Gjergj Kastrioti në Durrës bënë të vetat dhe i përcollën.

Të themi të drejtën, në Shqipëri jemi në një fazë që kultura e reduktimit, ripërdorimit, riciklimit është ende në fazë embrionale. Ekzagjerojmë në konsum, kemi uri të madhe për çdo gjë, por pak mendojmë se ku përfundojnë dhe çfarë impakti kanë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tani materialet që hedhim. Por çdo gjë e ka një fillim dhe kur fillimi është në “duar” të njerëzve mendje hapur si Rajmonda Zajmi dhe bashkëpunëtorët e saj, mesazhet kanë vetëm jehonë dhe përcillen në veshët e duhur.

Këtë të diel te Piramida ishin shumë fëmijë, familje shqiptare, të huaja dhe mikse, flitej në shumë gjuhë, por mesazhi, përmes krijimeve artistike, veshjeve me materiale të recikluara ishte unik: Kujdes, dashuri dhe vëmëndje për mjedisin ku jetojmë.
 
Kush mori pjesë këtë vit, duke pritur radhën e ecjes mbi pasarelë, mendonte për krijimin e vitit të ardhshëm. “Nuk kam hedhur asnjë tapë që nga viti i kaluar, asnjë shishe”, tregon Annalise Missori, italiania që jeton në Tiranë kishte bërë një fustan të mrekullueshëm për vete dhe për dy vajzat e saj të vogla. Birgit, nga Gjermania, por me punë në kryeqytetin tonë gjithashtu ka ruajtur materialet në tetrapak që përdoren për qumështin, lëngjet e frutave dhe gjithashtu kishte bërë një krijim interesant për vajzën e saj, Norën.

Të shumtë ishin të huajt pjesëmarrës në sfilatë që jetojnë në kryeqytet, mund të them se ishin shumica. Disa prej tyre qëndrojnë jo më shumë se 3 vjet e më pas lëvizin me punë në ambasada në vendet e tjera. Edhe Rajmonda Zajmi ka familjen e saj shqiptaro-franceze që lëviz në vënde të ndryshme të botës. Në Tiranë, me Eco Fashion, ka hedhur farën e një lule të bukur që kërkon shumë ndërgjegjësim e civilizim të rritet: Lulen e kujdesjes për mjedisin.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023