Edhe Meta si Rama:Të hyjmë në
një epoke të re të të bërit politikë

Edhe Meta si Rama:Të hyjmë në<br />një epoke të re të të bërit politikë
TIRANE- Pasi kreu i PS, Edi Rama foli para simpatizantëve dhe mediave, duke shpallur një frymë të re në politikën shqiptare, dhe një bashkëpunim gjithëpërfshirës në qeverisje, edhe kreu i LSI shprehur të njëjtin mendim. I intervistuar në emisionin e gazetares Ilva Tare, Ilir Meta tha se “është e rëndësishme që Shqipëria të hyjë në një erë të re të të bërit politikë, të komunikimit publik, të ushtrimit të një përgjegjësie publike në emër të interesit publik, dhe të kemi një qeverisje gjithëpërfshirëse, në kuptimin e angazhimit dhe të vlerësimit të përfshirjes së gjithë atyre që kanë ç’të japin, mendime, ide, kontribute, të grupeve të interesit”.
 
Kreu i LSI-së deklaroi se shpirti i ndryshimit të popullit u shpreh me votë të lirë.
 
I pyetur nga analistët në studio lidhur me debatin mediatik se kush do jetë Kryeministri i ardhshëm brenda koalicionit të majtë, Meta tha se kjo çështje i takon Partisë Socialiste. Sikundër dha të njëjtën përgjigje edhe lidhur me interesin se ç’post do të mbajë apo rolin që do të ketë për legjislaturën e ardhshme.
 
Kreu i LSI dha një mesazh edhe për Kryeministrin ende në detyrë, Sali Berisha, duke e ftuar të kontribuojë që ky proces të mbyllet me një imazh sa më të mirë për vendin. Ndërkaq ai ka garantuar edhe skeptikët se marrëveshja LSI-PS do të shkojë gjatë në kohë.

Z. Meta, mendoni se duhet të kishte dalë z. Berisha për të pranuar rezultatin dhe humbjen?
 
Unë besoj se po. Duke të kishte dalë për një deklarim sepse kjo do t’i shërbente edhe mbylljes sa më të shpejtë të procesit të numërimit dhe do t’i shërbente normalizimit më të shpejtë të jetës politike, sociale dhe institucionale në vend.
 
Gjatë fushatës i thatë z. Berisha se mund ta merrte karrigen e Kryeministrit me vete apo jo?
 
Në kuadër të premtimit të tij se nuk do ta lëshonte karrigen kjo ishte një mënyrë dhe një kompromis për të respektuar edhe angazhimin e tij por njëkohësisht edhe për të kaluar në opozitë.
 
Do ta ndërrojë Kryeministri i ri karrigen e tij?
 
Kjo është një pyetje që dua t’ia bëni Kryeministrit të ri.
 
Që mesa duket nuk ka dilema. Do të jetë z. Rama apo jo?
 
Kjo është një çështje që i takon Partisë Socialiste, normalisht si parti e parë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.
 
Z. Meta ka pasur shumë analiza sidomos për faktin se Lëvizja Socialiste për Integrim mund të konsiderohet surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve. Si u arrit kjo fitore?
 
Kjo është një analizë më komplekse. Lëvizja Socialiste për Integrim që në vitin 2005 ka treguar se ka një elektorat të qëndrueshëm prej gati 120 mijë votash. Natyrisht që bashkëpunimi në një koalicion të tillë sjell avantazhin për kthimin e votave në mandate. Megjithatë është një rast tepër që vota popullore përputhet plotësisht me numrin e mandateve, madje e tejkalon atë sepse pritet normalisht që të kemi 180 mijë vota për LSI-në. Nuk besoj se për ju vetë është një surprizë. Unë jua kam thënë para disa javësh tek “Rogneri”. Ju kam thënë që sondazhet që janë publikuar të gjitha synojnë dekurajimin e votuesve të LSI-së. Ju kam thënë gjithashtu se do të marrim rreth 17 mandate dhe kam e kam deklaruar publikisht prej më shumë se një muaji që do të merreshin 80 mandate nga koalicioni opozitar. Kjo ka qenë plotësisht e pritshme dhe e parashikueshme sepse këtu ka shumë faktorë, ku faktori kryesor është që shpirti i ndryshimit dhe i qytetarisë evropiane u shpreh përmes votës së lirë.
 
Ka pasur zëra që fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve jeni ju z. Meta.
 
Fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është dëshira e shqiptarëve për ndryshim dhe që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e paqes sociale , në rrugën e ndryshimit, në rrugën e zgjidhjes së problemeve të mëdha ekonomiko dhe sociale dhe natyrisht në rrugën e integrimit evropian. Vlerësimi për LSI-në vjen sepse është treguar si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi, integrimi. Një forcë që i qëndron marrëveshjeve. Politika ka nevojë për marrëveshje të qëndrueshme sepse marrëveshjet krijojnë stabilitet dhe janë shumë të rëndësishme për të ndihmuar vendin që të shkojë përpara.
 
Duke paksa i përulur, e këmbë në tokë dhe pa tone triumfatore. Si shpjegohet? Keni ndonjë informacion për situatën ku ndodhet shteti shqiptar, gjendja financiare?
 
Jo nuk ka lidhje me këtë sepse dihet që situatë është problematike. Edhe ky votim ka qenë si rezultat i asaj që ndjenë qytetarët shqiptarë në familjet e tyre për sa ju takon sfidave të përditshme ekonomike dhe sociale, por nuk mendoj se ka qenë diçka e papritur. Dikush gëzohet kur arrin diçka që është surprizë, kjo nuk ka qenë surprizë. Surprizë mund të themi që ka qenë arritja e 84 mandateve. Por në fund të fundit unë gjithmonë kam qenë i sigurt për 80 mandate, duke bërë një analizë të statistikave të të sa kaluarës por edhe të frymës së bashkëpunimit dhe asaj të ndryshimit.
 
Cili është roli që keni menduar të luani në legjislaturën e ardhshme?
 
Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria të hyjë në një erë të re të të bërit politikë, të komunikimit publik, të ushtrimit të një përgjegjësie publike në emër të interesit publik, dhe të kemi një qeverisje gjithëpërfshirëse, në kuptimin e angazhimit dhe të vlerësimit të përfshirjes së gjithë atyre që kanë ç’të japin, mendime, ide, kontribute, të grupeve të interesit, pasi mendoj që një frymë arrogance e demonstruar deri tani, padyshim që përjashtoi shumë aktorë, grupe interesi dhe njëkohësisht ndikoi në vendimmarrje jo shumë të mençura dhe afatgjata.
 
Në një interviste tuajën dje, ju keni thënë që do të dëshironit një ndryshim të ligjit zgjedhor të kodit dhe riparimet. Këto në axhendën tuaj janë të ngutshme, domethënë do të fillojnë që në vitin e parë, apo do të lihen për ne vitin e tretë ose të katër të qeverisjes tuaj?
 
Këto natyrisht që nuk janë çështjet më imediate. Më imediate mendoj që janë forcimi i rendit, forcimi i ligjit, sepse prej gati një viti ka një përkeqësim seriozë të situatës së rendit publik dhe të ligjit. Njëkohësisht rikonstruktimi i ekonomisë, ndërmarrja e shumë reformave sociale, të cilat njëkohësisht nuk mund të ndodhin pa një rikonstruktim të ekonomisë. Por absolutisht që për ne këto mbeten prioritete të pandryshuara. Njëkohësisht drejtues të PS-së janë shprehur pro këtyre rivlerësimeve, rishikimeve, për këto çështje por natyrisht që këto nuk janë çështje që i takojnë thjesht mazhorancës sado e gjerë që është ajo. Këto janë çështje të cilat kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese dhe me konsensus midis dy palëve. Pra, do duhet që edhe opozita e tanishme, e sotme, të bjerë dakord për të realizuar rikthimin e Kushtetutës në themelet e saj të vërteta që votoj populli shqiptar.
 
Më bëri përshtypje një deklarata juaj ditën e votimeve, që koalicioni juaj qeverisës do jetë dhe përtej koalicionit aktual, mos nënkuptoni që disa deputetë që kalojnë tashmë në opozitë të PD, që sa humbin të kalojnë me mazhorancën. Mos nënkuptoni që deputet të PD do ta pranoni në radhët e mazhorancës?
 
Unë nuk kam patur parasysh pikërisht këtë që ju ngrini. Kam patur në konsideratë që ka dhe shumë forca, shumë elementë, shumë grupe shoqërore të cilat nuk kanë qenë të përfshira në këtë front le të themi opozitar por që pas zgjedhjeve kanë shumë se ç’të bëjnë, kanë shumë se ç’të thonë, kanë shumë se ç’të propozojnë dhe të kontribuojnë për të qenë pjesë e një mazhorance apo e një qeverisjeje jo thjesht në kuptimin e qeverisë por në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale për të kontribuar. Dhe njëkohësisht z. Lesi mazhoranca e re pavarësisht nga qëndrimi që ju do të mbani jam i bindur që gjithmonë do të ketë nevojë për kontributin tuaj në çdo formë që do ta gjykoni.
 
Kjo do të thotë që e zgjeruat mazhorancën?
 
Formë do të thotë dhe në formë të opozitës, të kritikave.
 
Nëse PDIU që është sot është pjesë e mazhorancës, nesër me 5 deputetë do të kërkojë të bëhet pjesë e koalicionit të majtë qeverisës, ju a do ta pranonit?
 
Mendoj se kjo është një pyetje që nuk ka asnjë arsye që unë t’i jap një përgjigje pavarësisht nga konsiderata për ju. Mendoj se është e rëndësishme të ecet drejt përfundimit të shpejtë të këtij procesi , drejt njohjes së këtij rezultati përfundimisht nga e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht gjithashtu mendoj se është e rëndësishme që institucionet e rehat ë formohen sa më shpejt. Dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shqetësim tjetër përveçse me atë që ka shumë reforma që duhen bërë në mënyrë që Shqipëria të kapë të gjitha afatet për të marrë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda muajit dhjetor.
 
Kjo aleancë mes PS-së dhe LSI-së ka shumë dilema. Duke pasur parasysh edhe përplasjet e forta dhe marrëdhënien e vështirë që keni pasur ju me Ramën në të kaluarën dhe dualizëm mes jush. A do të mbajë kjo marrëveshje?
 
Së pari, unë kam treguar që në raportet politike ngrihen mbi të shkuarën e raporteve personale, sepse çdo politikan i cili për veprime që i takojnë të ardhmes do ti referohej raporteve personale, gjithmonë do dilte një pengesë, apo do dilte gjithmonë edhe një problem moral. Por, morali kryesor këtu është një aksion i përbashkët, i gjithë forcave politike, të së majtës kryesisht por edhe progresiste në përgjithësi, për të krijuar një model ndryshe qeverisjeje. Një qeverisje më evropiane, jo thjesht në slogane por në të gjithë sjelljen e saj. Dhe së dyti, absolutisht që kjo marrëveshje e cila i ka themelet e saj të firmosura në marrëveshjen e Shkodrës, është një marrëveshje shumë parimore dhe koha do tregojë të gjithë konstruktivitetin tonë dhe luajalitetin tonë si forcë politike. Ashtu sikurse kemi qenë shumë konstruktivë dhe luajalë edhe me Partinë Demokratike gjatë katër viteve, edhe pse mund të mos kemi pasur pajtime për shumë çështje të caktuara, por gjithmonë kemi parë interesin e stabilitetit të vendit, në radhë të parë, dhe interesin e dëshirës për të mirëkuptuar jo për tu konfliktuar. Kështu që kjo është çështje vullneti dhe vullneti ynë është për ti qëndruar marrëveshjes, sepse vendi ka nevojë për marrëveshje, ka nevojë për bashkëpunim. Jo vetëm për një bashkëpunim të qëndrueshëm PS dhe LSI dhe gjithë partive të tjera të kësaj aleance fituese, por edhe për një frymë bashkëpunimi më të gjerë në të gjithë jetën politike dhe shoqërore.
 
Z. Meta, shumë opinionistë dhe politikanë, por edhe nga shoqëria civile kanë filluar të vënë baste se sa do të zgjasë kjo bashkëqeverisje juaj me z. Rama. Çfarë do ti thoni këtyre njerëzve që nuk besojnë tek ju?
 
Unë jam i bindur që gjithçka duhet t’ia lëmë kohës, sepse pati jo pak qe menduan që ne do të humbitnim kur bëmë këtë koalicion. Mirëpo, e vërteta ndodhi krejt ndryshe. Ky koalicion solli një rezultat shumë më të mirë sepse qytetarët shqiptarë nuk u nisën nga histori të së kaluarës, por u nisën nga interesi i tyre për të ardhmen dhe menduan të investojnë këtë besim tek kjo aleancë, tek ky bashkëpunim dhe është detyra jonë t’i qëndrojmë besnikërisht besimit të tyre sepse sfidat nuk do të jenë të lehta për vendin, për shoqërinë tonë, për ekonominë tonë, për reformat në fusha shumë të rëndësishme, qoftë ato të shëndetësisë apo të arsimit e kështu me radhë. Natyrisht që është e domosdoshme që populli shqiptar të jetë krenar për këtë votë plebishitare që ka hedhur më 23 qershor sepse ka qenë një votë e mençur dhe një votë që do të ndikojë për një kohë të gjatë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, e cila, unë shpresoj dhe dëshiroj dhe jemi të angazhuar për të përfunduar rrugëtimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda këtyre 8 viteve. Është një angazhim në marrëveshjen e Shkodrës. Është një objektiv strategjik dhe afatgjatë.
 
Disa thonë se do ta keni të vështirë të bashkëpunoni me z. Rama, por siç duket do të lidheni akoma më shumë. Z. Meta e keni këtë frikë?
 
Jo nuk e kam këtë frikë se për aq kohë sa do të kemi z. Gjinushi. Ai mund të japë ndonjë kontribut që të jetë sa më i larmishëm koalicioni.
 
Z. Meta, duket sikur po flisni nga pozita e një kryetari Parlamenti. Sa e vërtetë është kjo?
 
Unë kam kohë që flas në këtë mënyrë. Të them të vërtetën nuk do të ishte ndonjë kënaqësi e veçantë të ishe kryetar Parlamenti kur aty mungon një deputet me shumë kontribute sepse duke qenë lart në atë postin e kryetarit të Kuvendit do të ndihej një mungesë e madhe. Kështu që mund të jetë më mirë të qëndruarit poshtë.
 
Cili do të jetë funksioni juaj në ekzekutivin e ardhshëm?
 
Mendoj se kjo nuk është gjëja më e rëndësishme se çfarë do të jem unë apo dikush tjetër. Më e rëndësishme është që ne t’i qëndrojmë besnikërisht votuesve të cilët besuan vërtet që kjo është një Aleancë për Shqipërinë Evropiane. Duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi humbur shumë kohë. Pra të ecim më shpejt.
 
A do të jeni ju në një post ekzekutiv?
 
Këtë gjë unë nuk mund ta them dhe nuk është ky prioriteti im plus që unë nuk jam njeri pa një funksion. Kam një funksion shumë të rëndësishëm sepse jam kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
 
A keni një mesazh për z. Berisha?
 
Unë mesazhin e kam dhënë me kohë që duhej të përkushtohej më shumë për standardin e zgjedhjeve sepse nuk ka shumë rëndësi sesa mandate merr Partia Demokratike, merr 60 mandate apo 62 mandate. Nuk është kjo trashëgimia që një udhëheqës lë për partinë e tij apo për vendin. Gjëja më e rëndësishme ka qenë dhe mbeten standardet. Megjithatë, unë mendoj se është në kohë që të kontribuojë që i gjithë ky proces të mbyllet me një imazh sa më pozitiv për vendin në mënyrë që të gjitha ato elementë që krijuan tensione dhe dyshime për standardin e zgjedhjeve të harrohen sa më shpejt dhe në fund fare të mbetet ajo shija pozitive e një ndryshimi dhe e një paqeje sociale në vend.
 
A ia njihni këtë meritë Berishës sesi po ndodh rotacioni?
 
Merita më e madhe i takon popullit shqiptar dhe natyrisht z. Berisha është pjesë e popullit shqiptar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë