Edi Rama intervistë për BBC Radio në Londër, kritikon gjuhën e Braverman për emigrantët shqiptarë: E turpshme

 

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka kritikuar Sekretaren e Brendshme, Suella Braverman, duke e quajtur veçimin e emigrantëve nga Shqipëria si një moment “të turpshëm” për politikën britanike.

Edi Rama, i cili ndodhet në Britani për bisedime me Rishi Sunak, tha se komentet e Bravermanit vitin e kaluar për "kriminelët shqiptarë" që kaluan me varka të vogla në Kanalin e LaManshit, mund të konsiderohen vetë krim.

“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike,” tha ai për programin Today të BBC Radio 4, shkruan 'The Guardian'.

Vërejtjet e Braverman ishin një "pikë e ulët", tha ai, duke shtuar se vullneti politik për të kapërcyer përkeqësimin e marrëdhënieve ka mbetur.

“Ajo që është thënë nga anëtarët e kabinetit, duke filluar me sekretarja e brendshme, [është] veçimi i komunitetit tonë, që nuk është diçka që ju bëni në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk përfaqëson fare Britaninë, ” tha ai. “Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim”.

Braverman zemëroi shumë shqiptarë me komentet e saj për qytetarët e tyre në parlament tetorin e kaluar. “Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetin tonë”, u tha ajo deputetëve.

Sekretarja e Brendshme u akuzua gjithashtu për përdorimin e gjuhës nxitëse kur tha se bregdeti jugor i Anglisë po pushtohej nga azilkërkuesit. Në konferencën e partisë konservatore ajo tha: "Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë... e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre për trafikim janë gënjeshtra."

Rama, një anëtar i qendrës së majtë i grupimit socialist dhe kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, tha se ishte "shumë i kënaqur" me sjelljen e Sunak. “Ne kemi vendosur një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çdo gjë që duhet të përjashtohet nga marrëdhëniet tona dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që disa mollë të kalbura të mos përcaktojnë komunitetin shqiptar këtu dhe marrëdhëniet tona.'- tha ai.

I pyetur për Boris Johnson, kryeministri shqiptar zbuloi se e kishte parë paraqitjen e tij përpara Dhomës së Komuneve.

Ai tha se ”me Borisin kemi pasur marrëdhënie të mira. Më vjen shumë keq për të. Do të doja të mos e kishim parë siç e pashë dje, në një moment vërtet shumë të vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike”.


Lajmi kryesor:

Vizita zyrtare në Britani/ Sunak: Bëmë progres në ndëshkimin e emigrimit të paligjshëm! Rama: Duam të sigurohemi që komuniteti ynë ndihet i sigurt


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës