TIRANË- Shumëkush e quajti ardhjen e presidentit turk në Shqipëri, Erdogan në ditën e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut si një provokim, por për kryeministrin Edi Rama ishte thjesht një rastësi. Rama u është përgjigjur miqve social në ‘Facebook’ duke iu kërkuar që inatin që kanë me Kryeministrin të mos ia nxjerrin Erdoganit, pasi Tuqia është një mike e Shqipërisë.

“Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime ‘në emër të Skënderbeut’! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre të cilët rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, që ndizet sa herë unë takohem me ‘pushtuesin’ nga Ankaraja.

Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, ‘Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme’?”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka listuar të gjitha situatat në të cilat Erdogan i ka qëndruar pranë vendit tonë, sidomos në sfidën me pandeminë ku na dhuroi vaksinat anti-COVID në një kohë kur vendet e rajonit po përballeshin me mungesën e tyre. Nuk ka lënë pa përmendur edhe 522 apartamentet e financuara nga qeveria turke të cilat u prishën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, e duke vijuar me bashkëpunimin në fushën e mjekësisë me spitalin në Fier, si edhe me financimin për rikonstruktimin e xhamive në vendin tonë.

“Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar e Shqipërisë e shqiptarëve, në më shumë se një rast dhe si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdogan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, në rrethimin e Armikut të Padukshëm?

Si mund të lidhen punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo ata që ndërtuan një spital të ri ultramodern në Fier, me luftën e pesë e kusur shekujve më parë?”, vijon Rama.

Duke iu referuar një shprehje të vjetër popullore, ‘për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë’, Rama thotë se inati i njëri-tjetrit na ka penguar të shohim të mirën e përbashkët e kjo ndodhi edhe me vizitën e Erdogan, ku sipas tij inatet që qytetarët kanë me qeverinë ia nxorën ‘pushtuesit turk’. Sipas Ramës, inati të çon në një rrugë pa krye, duke theksuar se nuk do të ndikojë në miqësinë tradicionale me popullin turk, e as me partneritetin strategjik mes dy vendeve.

“Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, ‘për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë’. Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie ‘inati ndaj vjehrrës’.

Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm ‘intelektual’ dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë.

Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdogan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë, vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës", përfundon Rama.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zhvilloi dje një vizitë 1-ditore në vendin tonë. Erdogan e nisi vizitën me ceremoninë e dorëzimit të çelësave të shtëpive banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Lagjja e re me 522 banesa që kushtuan 42 mln euro është financim i qeverisë turke. Ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” e ndërsa një shesh në Laç do të mbajë emrin e tij.

Erdogan më pas zhvilloi edhe një takim me Ramën në kryeministri që u pasua me një konferencë të përbashkët për shtyp dhe nënshkrimin e 7 marrëveshjeve mes dy qeverive. Erdogan përshëndeti deputetët e Shqipërisë me një fjalë përshëndetëse në Kuvend dhe në fund, inauguruan xhaminë Et’hem Beu në Tiranë dhe e mbylli me inaugurimin e Xhamisë së Et'hem Beut në kryeqytet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:01
Kreshnik Spahiu: Mos e kujtoni Skënderbeun vetëm kur vjen Erdogan

Vizita e Presidentit turk Recep Erdogan shkaktoi jo pak polemika për shkak se përkoi me 554-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Juristi Kreshnik Spahiu ka reaguar ndaj atyre që e kanë cilësuar si 'provokim' vizitën e Erdogan pikërisht në këtë ditë, teksa u thotë të mos e kujtojnë Skënderbeun vetëm kur vjen Presidenti turk.

Spahiu përmend edhe investimet dhe të mirat që Turqia i ka sjellë Shqipërisë, teksa ngre pyetjen nëse 'ky mllef është urrejtje fetare, politike apo sociale?'

"Mos e kujtoni Skënderbeun vetëm kur vjen Erdogan! Turqia ka pranuar të jetojnë 6 milion shqiptar, Turqia njohu e para Kosovën, Turqia e re nuk është Perandoria Osmane, Turqia ka një shekull paqe me kombin shqiptar. Turqia është investitori i parë në Shqipëri, Turqia ka hapur 800 biznese në Shqipëri, Turqia na ka mbështetur në çdo krizë humanitare, Turqia ka investuar edhe në zona katolike si Laçi, Turqia nuk ka pretendime territoriale, Turqia nuk ka ligj lufte me ne si Greqia. Turqia nuk mban të pushtuar Çamërinë, Turqia nuk na ndryshon emrat si Athina, Turqia nuk jep pensione, nëse ndryshon kombësi, Turqia po dhuron spitale, shkolla, apartamente, Turqia nuk na shtyn drejt Rusisë, por SHBA-s Turqia është aleati kryesor i Gjermanisë, Turqia na ka mbrojtur nga agresioni grek, Turqia nuk thotë si Beogradi “Kosova zemra jone” A është ky mllef: Urrejtje fetare, politike, sociale apo ..?", shkruan ai.