Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në Edicionin e 6-të Ndërkombëtar të shahistëve frankofonë ka bërë me dije se në bashkëpunim me Federatën Kombëtare të Shahut, do të hartojë një program për zhvillimin e sportit të shahut për të gjitha shkollat e Tiranës.
Është shumë mirë që të rinjtë po merren me sporte fizike, me basketboll, futboll, volejboll, por edhe sporti i mendjes është po aq i rëndësishëm. Ndaj, mezi pres që, bashkë me presidentin Shalsi, të hartojmë një program për të gjitha shkollat tona, si një mundësi fantastike për të rinjtë, të ndjekin kurse shahu në shkollat komunitare.
Erion Veliaj, kreu i Bashkisë Tiranë
Patrick Van Hoolandt, Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofone të Shahut, vlerësoi mikpritjen dhe organizimin e këtij aktiviteti në Tiranë. Ai theksoi se të gjithë shahistët janë të kënaqur për faktin se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm.
Falenderoj qytetin e Tiranës për mikpritjen e rezervuar në edicionin e 6-të ndërkombëtar te shahistëve frankofonë. Organizimi është i përkryer. Federata shqiptare e shahut paraqiti një ekip të fortë. Po ashtu, gjatë kësaj kohe, organizuam edhe ekskursione të ndryshme për të vizituar e njohur vendin. Të gjithë shahistët u shprehën vërtet të kënaqur për faktin se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm.
Patrick Van Hoolandt, presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofone të Shahut
Në tre vitet e fundit Tirana është kthyer në një qendër të rëndësishme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, jo vetëm kombëtare, por edhe atyre ndërkombëtare.