Për të shtatin vit radhaz Festivali ‘Different Trains’ do të zhvillohet në Shqipëri. Këtë sezon pranveror, violinçelisti me famë botërore Vlorent Xhafaj tregon për Report Tv programin muzikor si dhe fokusin e këtij viti.
Ky është program mjaft interesant dhe mjaft intim, është një program i gëzueshëm por gjithmonë i përmbajtur jo me pompozitet dhe me falsitete të jashtme. Kështu që, do jetë vërtetë për një publik që e di se çfarë pret ai që do vij te ky koncert. Në Shqipëri nuk janë gjithmonë gjërat e thjeshta, por ne jemi në kontakt me artistë me vlera edhe natyrisht ata ngrenë dhe entuziazmin e për shumë prej tyre është rasti i vetëm edhe për të ardhur në Shqipëri, pastaj shohin një publik tjetër.
Vlorent Xhafaj, violinçelist
Doriani Xhoxhi, violinë e parë në Filarmoninë e Berlinit nuk harron vendin e tij duke i qëndruar besnik koncerteve të Different Trains. Si në performancë, edhe në shprehjen e mendimeve Xhoxhi është i vërtetë, luan siç ndjen, i rrëfen gjërat siç i mendon, edhe për publikun shqiptar.
Të luash në Shqipëri ka shumë vështirësi, unë vij gjithmonë me shumë kënaqësi. Publikun unë e dua, por publiku është shumë i vështirë. Në Shqipëri nuk ka rregulla, njerëzit bëjnë fotografi, flasin në telefon, hyjnë dalin nga salla kur të duan. Më vjen shumë keq që po ta them këtë gjë, por kjo është e vërtetë dhe për artistin kjo është shumë penguese.
Dorian Xhoxhi, violinist
Pjesë e koncertit do të jetë edhe pianistja ruse Irina Zahharenkova, e cila tregon për Report Tv bashkëpunimin me muzikantët shqiptarë.
Vlorent Xhafaj dhe Dorian Xhoxhi janë të vetmit shqiptarë që njoh dhe mendoj, se nëse çdokush është si ata...atëherë muzika klasike këtu në Shqipëri është në nivel shumë të mirë.
Irina Zahharenkova, pianistja ruse
Pas festivalit të Jazz, vijon Different Trains...duket se kultura dhe muzika e mirë janë në ditët më të mira në Shqipëri.