Edison Ndreca nuk do të jetë më pjesë e Egnatias. Mbrojtësi i majtë, një nga protagonistët e skuadrës rrogozhinase në sezonet e fundit, është përshëndetur me ekipin pas ndeshjes ndaj AF Elbasanit (2-2), ndërsa pritet të vijojë karrierën në kampionatin e Kazakistanit me FC Yelimay.
Lajmi u konfirmua në emisionin “Super Gol”, ku trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për largimin e lojtarit.
“I uroj suksese, sepse është drejt fundit të karrierës. E pamë të arsyeshme të bëjmë një tolerim, meqë erdhi një kontratë e mirë për të dhe për klubin”, deklaroi Tetova.
Tekniku komentoi edhe ndeshjen ndaj AF Elbasanit.
“Në pjesën e parë u treguam të nxituar me topat vertikalë. Morëm golin e parë dhe të dytë në tranzicion, aty ku është pika e fortë e Elbasanit. Më pas dominuam, ndërsa Elbasani luajti me shumë lojtarë pas topit”, tha Tetova.
Për Ndrecën, kjo do jetë eksperienca e parë jashtë futbollit shqiptar, pas një karriere të gjatë në elitën e futbollit tonë, ku numëron 231 ndeshje, 27 gola dhe 20 asistime.
Komente









