Edison Ypi: Fis

Edison Ypi: Fis

Jemi Fis i madh, jemi koc i fort, jemi rracë e pamposhtur.
Kemi në Fis nga të gjithë që na duhen.
Kemi një dhëndër që di të vjedhë por s'di të fshehë. Por kemi në Fis dhe një baxhanak që s'di të vjedhë por di të fshehë. Pasi kryejnë punë në bashkëpunim, dhëndrri hajdut dhe baxhanaku dinak, hanë e pinë e llafosen për të këmbyer talentet.

Një dajo nëpunës që na mbaron punë me zyrat, shkresat, bakshishet, e kemi edhe atë në Fis. Pa dajon dallaverexhi do e kishim pisk, do kishim mbetur prapa. Me ndihmën e dajos dhe një sorollopi të tij nga fshati i gruas, ja gjetëm anën rregulluam dy nipçe. Njërin në doganë, tjetrin te tatimet. E festuam fuqishëm ngjarjen e madhe. U mblodhëm tërë Fisi. Shtruam gosti. Këngë e valle. Mish sa s'plasëm. Raki sa u dehëm.

Një djalë xhaxhai mjek i gjindet Fisit ditën dhe natën sa herë lipset për halle shëndetësore. Nuk vete në Gjermani apo gjetkë. S'mëson dot gjuhë të huaj. Dhe s'ësht' i shkathët në përgjithësi. Kullot këtej rrotull. Ka gjetur karar duke bërë ndere të vogla. Një shok këtu, një mik atje. Shërben si semafor mes hallexhinjve, doktorave, infermierave, farmacive.

Kemi në Fis dhe dy policë. Njëri në policinë kriminale të një qyteti, tjetri në policinë rrugore të një qyteti tjetër, të dy përbëjnë "Forcat e Rendit" të Fisit. I rregulluam me pesqind vështirësi. Deri tani s'na janë dashur, por as na janë bërë barrë. Le të rrinë. S'i dihet trilleve të jetës.

Kemi në Fis një djalë shpatullgjërë. E vetmja gjë që di të bëjë ky azgan është të rrahi. Duket si i tepërt për një Fis frikacakësh. Por është i domosdoshëm në këto kohë të vështira. Mjerë ai Fis që nuk ka dikend me grusht të fuqishëm sa të shpatullgjërit tonë. Është tepër i vlefshëm. Rreh ata që na ngacmojnë. Dekurajon ata që duan të na rrahin, por nga frika e rrahësit nuk na prekin as thoin. Ndonjëherë rrahësin me grushta e kap xerxeleja, kafshon me dhëmbë. Për shkak të këtij huqi afrikan të rrahësit të Fisit, disa na quajnë Fis kanibalësh. Le të na quajnë. Rrahësi na mbron.

Jemi dhe vetë të gjithë nga pak, ama kemi një djalë halle që t'i thuash spiun i talentuar dhe llapaqen me nam, e ka pak. S'lë spiunllëk pa bërë në favor të Fisit. S'lë spiunllëk pa zbuluar në dëm të Fisit. Edhe kot. Për t'i dalë para të keqes. Me spiunllëqe dhe llafe që kushtojnë pak ose aspak.
Një në Romë, dy në Milano, s'jemi keq dhe me kurva. S'e dimë a janë gjallë. As na intereson ta dimë. Vetë e zgjodhën atë fat. Bënë sikur u fejuan me italianë, dhe ikën. Një Zot e di do kthehen a s'do kthehen në Fis kurvat tona.

Papo kemi në Fis dhe një fallxhore. Me llum kafeje dhe ca marifete, fallxhorja e Fisit tonë ta gjen sëmundjen edhe po s'e pate.
Nuk i mungon Fisit një qefli. Deri tani nuk i ka ngacmuar kushurirat. Megjithatë s'i dihet. U kemi thënë të ruhen çupave të Fisit.
Kemi tre budallenj në Fis. Nuk janë shumë. Fiset e tjera kanë nga dhjetë e pesëmbëdhjetë.

Njërin budalla të Fisit e kemi si biçim poeti. Pes lek njëri, pes lek tjetri, e ndihmojmë hajvanin që mbahet për poet të nxjerri hera-herës ndonjë libër me vjersha. Me çfarë e mbush librin brenda budallai i Fisit, s'na intereson ta dimë, askush nuk do ta shfletojë. Ajo që na intereson në kësi rastesh është nami i kollajtë prej poeti, që i shërben budallait, dhe Fisit të tij si Fis gomerësh që nxjerr edhe intelektualë.

Tjetri budalla bën si shkrimtar. Askush s'ja ka ngenë. Megjithatë budallai vazhdon e shkruan. Pse ai budalla në fund të çdo fjalie vë tre pika ? sa kohë në kokën e idiotit nuk mund të hyhet, këtë askush nuk e di, dhe askush s'ka për ta ditur.

I treti budalla që kemi në Fis, më tepër shejtan se budalla ky, bën si patriot i zjarrtë. Bërtet e uluret për Ilirinë, Pellazgjinë, Shqipërinë, Dardaninë, Skënderbeun. Mbështillet me flamur kuq me shkabë të zezë që nxjerr zjarr të zi nga goja. Ky fëlliqsirë ësht dallaverexhiu më i ndyrë. Por na duhet se ka mendje femër. Na ka mësuar, për shembull, si ta mbajmë larg policinë sa herë bëjmë ndonjë punë pa leje: shtesë kati, modifikim, shtëpi pa leje, duke ngritur sa më lart një flamur kuq e zi që e valavit era.
Fisi i fortë, i madh e i lavdishëm, duhet me u rujt nga rreziqet. Koha është e keqe. Bota bëhet çdo ditë e më e vogël. Jeta çdo ditë e më e shkurtër.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja