Desha të bëj një Kokteil me fruta.

Pyeta AI-në nëse mund të bëhet një Kokteil, apo Smoothie, i mirë me përbërësit në foton që ja nisa.

Ja dy përgjigjet, ortografike dhe grafike, që AI më ktheu:

Molla jeshile në qendër të kompozimit, e madhe, e lëmuar, me shkëlqim dhe me një ngjyrë "eko-friendly" të kujton agjendën e gjelbër dhe investimet strategjike, pra Edi Ramën që dominon skenën.

Gjysmën e bananes, Ivanka Trump & Jared Kushner, shihe me kujdes: banania nuk është e plotë, është e prerë! Kjo përfaqëson "Ivanka Trump dhe Jared Kushner" që kanë ardhur në Shqipëri për të marrë as më pak as më tepër se "pjesën e tyre" të tepsisë. Ajo, bananja, është e lakuar ekzaktesisht si vija bregdetare e "Sazanit" dhe gadishullit të "Zvërnecit". Gjysma e bananes që mungon? E ka marrë ligji i ri për Zonat e Mbrojtura, i cili u bë në atë mënyrë që strategjia ë Edi Ramës të mos pengohet nga asnjë lloj lëvozhge që mund ti dali përpara.

Dy Nektarinat/Pjeshkët, janë Konkurrenca Turistike Rajonale. Këto dy fruta të kuqe, të ndezura dhe të lëngshme, që qëndrojnë në fund të fotos, janë "Greqia dhe Kroacia" që po digjen nga xhelozia (prandaj janë kaq të kuqe) duke parë se si Sazani po kthehet në "Maldivet e Ballkanit". Ato rrinë poshtë, të shtypura nga pesha e mollës jeshile dhe bananes amerikane, duke parë me tmerr se si jahtet e miliarderëve po ndryshojnë kursin nga Mikonosi drejt Vlorës.

Arrat e Forta, Sali Berisha dhe Çeta e tij, tre arra me lëvozhgë të trashë dhe të rrudhur janë pra "Sali Kulla" dhe ortakët e vet në Tiranë. Të mbyllura, hermetikisht të izoluara nga pjesa tjetër e frutave ekzotike, çeta në fjalë përfaqëson "Kalanë e pathyeshme në buzë të Adriatikut". Arrat kokforta nuk hyjnë dot lehtë në blender pa bërë zhurmë të madhe dhe pretendojnë se brenda tyre fshihet "bërthama e vërtetë e kombit", ndërkohë që molla dhe banania, pa i pyetur aspak si e kanë hallin, po e bëjnë paktin e madh pikërisht mbi kokat e tyre.

Bajamet e Shpërndara. Agjenturat e Huaja dhe Sorosi, këto kokrra të vogla në dukje të parëndësishme, të qëruara dhe të shpërndara kudo nëpër tavolinë janë celulat e padukshme konspirative.

Disa nga ato kokrra janë "Agjentura Greke" që vëzhgon me tmerr investimet në Zvërnec.

Disa të tjera janë "Agjentura Ruse", që përpiqet të fusë ndonjë shkop metalik në rrotat e blenderit për t'ja djegur motorrin stabilitetit rajonal.

Ajo bajamja e gjatë, ajo që pothuaj prek arrën dhe mollën është "Sorosi", që ka hedhur thërrmijat e tij të influencës për të bërë bashkimin e elementeve që Kokteili yt të bëhet sa më i shijshëm.

Skenari është i qartë. Kur ta shtypësh butonin e blenderit, të gjitha elementët e Kokteilit do bëhen një masë e vetme, ku nuk do të merret vesh se ku fillon Sazani e ku mbaron Zvërneci, ku mbaron Trumpi ku fillon Sorosi, ku qan e ku loton arra e coptuar e politikës së Sali Kullës.

Gjak e dhjamë Kokteili me shije Sazani, aromë Zvërneci, ndërkallje agjenturash, kutërbim Sali Kulle.