Edison Ypi: Libri dëgjohet

Edison Ypi: Libri dëgjohet

Nga britma e parë kur sapo bie nga barku i nënës deri te traku i fundit i zemrës, e gjithë jeta është muzikë.
Për gjithkend që nuk e njeh Letësinë, Artin, por edhe zeje, nuk thuhet "nuk merr sy" apo "nuk merr hundë", por "nuk merr vesh", pra nuk dëgjon muzikat përkatëse. Me gjasa, rilindasit që ishin seriozë dhe "merrnin vesh" nga shumçka, ata duhet të falenderojmë për këtë dhuratë linguistike që zor se ka të dytë në botë për të shquar injorantët.

Muzika është e kudondodhur. Muzika, rrëmuja më e rregullt që ekziston, as nuk ikën as nuk vjen. Aty ka qënë, është, e do të jetë. Nuk ka skutë në botë pa muzikën e vet. Muzika është oqeani ku është mbytur bota. Edhe boshi dhe heshtja e pafund e Kozmosit ka muzikën e vet. Muzika nuk është si librat që kanë rend, fillim, vazhdim, mbarim. Në oqeanin e muzikës mund të hidhesh e të mbytesh në çdo çast e nga çdo breg.

Hingëllima kuajsh. Britma jeniçerësh. Gërrvima qerresh që ikin duke ngitur pluhur grahur nga kasnecë me fermanë perandorakë në gji ose koka të prera në arka me akull për të mos u kalbur. Lutje muzeinësh mbi minare. Kanconeta që memzi dëgjohen në magnetofona të vjetër me shirita që vazhdimisht këputen dhe broduejsat vazhdimish i ngjitin. Pëshpërima të rrezikshme të deklasuarish nëpër bodrume që bëjnë shakara të kripura, shqiptojnë herezira të frikshme, dhe presin rrëzimin e pushtetit të vrasësve. Qeflinj mikroborgjezë që për t'ju dukur gruaja më joshëse e shohin fshehtas nga brima e çelësit në dush nën muzikën e ujit që gruas i lëpin kurmin. Sherr mes komitësh mokrarë lidhur me vargjet e këngës "Ta sulmoj Trebinjën" nëse vazhdimi është "bytha nuk ma mban" apo "bytha ma mban", derisa dikush i zbut gjakrat duke u thënë të mos sherrosen kot se "kënga është tjetër gjë". Gurgullima përrenjsh të rrezikshëm. Heshtje uluritëse malësorësh nëpër hane që janë nisur të marrin gjak. Krisma gjaksish. Furra elektrike të uritura për çelik që "hungërrijnë si luanë" etj. etj. Romanet e Kadaresë janë tekst, por përplot me muzikë. Aq shumë muzikë, sa më tepër dëgjohen se lexohen.

"Ti qan që larg", "do të buças në krisma jete", "shkrep me zjarr porsi shkëndia", "rrufe që pat dërrmuar", "do buçasë një yll së brendi", etj. etj. për habinë dhe fatkeqësinë e atyre që për Poezinë të shurdhojnë veshët por nga Poezia "nuk marrin vesh", Poezitë e Lasgushit, ja ato të qetat e të ëmblat në dukje, janë përplot me krisma, buçima, ulurima.
Si drita që është njëkohësisht valore dhe grimcore, Arti është edhe shqisor edhe subjektiv. Prandaj Arti nuk është kurrë vetëm Alfabet, vetëm pentagram, vetëm penel, vetëm daltë, por gjithmonë një ekuilibër delikat, një kombinim divin, Alfabet plus pentagram, ose daltë plus penel plus aromë, etj. Fakti që këtë ekuilibër arrijnë ta realizojnë vetëm gjenialët, është arsyeja pse jo gjithçka që shkruhet, pikturohet, dëgjohet, nuhatet, është Art.
Arti si shkak i thellë dhe i hollë shqisash, dhe pasojë veglash, është një produkt pafundësisht kompleks.

Arti quhet Letërsi ose Muzikë ose Pikturë, në varësi se cilën shqisë zgjon, alarmon, ekzalton, më tepër. Nëse artisti më së shumti përdor Alfabet, nota, ngjyra, daltë, quhet respektivisht Letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë, etj.
"Aromë Gruaje" është një nga pararendësit letrarë dhe filmikë të artit të Aromës, Artit më të vjetër që ende nuk ka emër se është në fillimet e tij por së afërmi, kur ulur në kolltuk duke parë një film do provojmë dhe aromat përkatëse, do marri hov me ndihmën e teknologjisë.

Muzika pra, nuk del vetëm nga teli i violinës, gryka e gajdes, brima et e fyellit, hinka e saksofonit, por edhe nga pena e shkrimtarit, peneli i piktorit, dalta e skulptorit.
Teksti dëgjohet, muzika shikohet, piktura nuhatet, skulptura lexohet, nuk janë pohime paradoksale. Tingulli i telit apo bumi i daulles, janë vetëm maja e ajsbergut zhytur thellë në oqeanin e shpirtit.
Për sa kohë çdolloj vegle që nxjerr një muzikë të këndëshme e ekzalton shpirtin cilësisht njësoj si orkestra me treqint violina, është e qartë se nuk janë të rëndësishëm tingujt në vetvete, por alternimi i kohëzgjatjes së tingujve me kohëzgjatjet e pauzave, në atë mënyrë që të hapin e të mbyllin në tru ato rrugë gjaku që muzika të mos jetë deprimente por relaksuese.

Nuk ka Letërsi pa muzikë, Muzikë pa aromë, skulpturë pa tekst. Nuk ka kryevepër pa të gjitha ndjesitë bashkë. Pikërisht sepse arti është mpleksja e shqisave, autorët nuk dinë ta qartësojnë laboratorin për të cilin thonë se e marin në varr. Laboratori i artistit është e gjirhë bota. Nuk mund të marret bota në varr. Sado gjenialë, duke qënë një kokrrizë në kozmosin e pafund, thjesht nuk e spjegojnë dot.
Rasti i Jean-Baptiste Grenouille, protagonistit të romanit "Parfumi" që kishte nuhatje fenomenale pikërisht sepse brenda vetes nuk kishte asnjë aromë, është një provë se Arti është irracional sepse me vështirësi "merret vesh", por nuk është aspak paradoksal.

Libri, lokomotiva e arteve, jo vetëm lexohet. Libri më së paku lexohet. Libri dëgjohet. Libri imagjinohet. Libri sigurisht edhe nuhatet. Libri ka brenda vetes pafund tinguj, aroma, imazhe. Nga Libri "të marrësh vesh", pra librin të dish ta dëgjosh, është ndoshta po aq e vështirë dhe e rrallë sa të dish ta shkruash.
Leximi dhe dëgjimi i librit janë ekzaltimi i brendshëm i pakonkurrueshëm.

Para Librit dhe Letërsisë roboti do mbetet një dallamango i ngathët dhe kompjuteri një budalla i hekurt.
Në pritje të na çfaqet një tjetër virtuoz që të shqyrtojë lidhjen e letërsisë me aromën, një i dytë atë të mardhënies mes arkitekturës dhe letërsisë, një i tretë të skulpturës me matematikën, të falenderojmë përunjësisht akdamikun perfeksionist estetizant Vasil Tole për librin "Kadare dhe Muzika", këtë kontribut kolosal në hulumtimin e llagëmeve labirintike mes Letërsisë dhe Muzikës përmes veprës letrare beethoviane, mozartiane, lokale, kontinentale, botërore, kozmike, të Kadaresë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat