Lugati RTSH, ky buker i fundit, kjo barrake e fëlliqt, kjo Arkë e Noes ku kanë gjetur shpëtim në oqeanin e Demokracisë krej llumrat e Diktaturës, duhet mbyllur.

Lugati RTSH nuk u shpik që lajmet t'i shpërndajë, edukimin ta promuovojë, zbavitjen ta mundësojë, por që lajmet t'i fshehi, edukimin ta çbëjë, zbavitjen ta vrasi.

Lugati RTSH, ky Diell i Zi me orë të mbetur te stalinizmi, po aq ineficient, po aq rrenacak, hipokrit, hileqar sa para pothuaj një shekulli që kur na e lanë peshqesh kinezët, nga njëra anë bën si demokrat, si liberal, si asnjanës, nga ana tjetër çfaq natë e ditë filma me partizamë trima, gjermanë frikacakë, sigurim, vigjilencë, kulakë, ballista që hanë pula.

Lugati RTSH ka qënë dhe vazhdon të jetë reliteti më banal dhe më qesharak në fytyrë të dheut.

Lugati RTSH me qesharakizmin e pafundëm të shkakton nga spasmat tek të vjellat, dhe, me tragjizmin e skajshëm të bën të klithësh si kryevepra e Munch-ut e deri te ububu-ja e Oscar Benton-it.

Asgjë s'e ka konkuruar dot deri më sot Lugatin RTSH si i zymët, i frikshëm, i padobishëm, i neveritshëm, i krrupshëm, i turpshëm.

Diktatori, Partia, Sigurimi, nomenklatura, nuk kishin arsye pse të dukeshin, pse të çfaqeshin. Për tu dukur e për tu çfaqur kishin syrin, veshin, hundën, dhëmbët, kthetrat, dorën e tyre të zgjatur, Lugatin RTSH.

Lugati RTSH, mender lajmet, i niste dhe i bitiste me një traktor kinez që lëronte arat, ca mjelëse myzeqare që punonin për shekullin e ardhshëm, një si ekspres kafeje që e merrnin me vete kudo ku luanin ndonjë film me spiuna që do hidhnin në erë një uzinë inekzistente, dhe syshkaba të Sigurimit që do zbulonin një komplot hipotetik.

Lugatin RTSH shqiptarët, veçse e tallnin, veçse e mallkonin, veçse e pështynin.

Lugati RTSH që ca shetanbudallenj sot po e paraqesin si djep, në fakt ishte, dhe është, një varr.

Lugati RTSH, ky kërrmill me jargë, ky qen që leh, gjarpër që helmon, çakall që kafshon, ishte një periskop në një oturak, nga brenda të cilit diktatori dhe nomenklatura vrojtonin ç'bëhej jashtë: Sa përqind u realizua plani i burgosjeve dhe iternimeve ? A u pushkatuan grupet armiqësore ? A u dënuan armiqtë e brëndshëm ?

Lugati RTSH është si Skam Turpi. Ai të cilin të gjithë e dinë për shkrimtar. Por askush nuk di të thotë pse.

Ose si Rehat Mangalli që ndjehej i lumtur sepse hante çdo ditë fasule, vishej me dok Stalin, mbathte shapka kineze.

Lugati RTSH buçiste që në mëngjez nëpër konvikte, ndërmarrje, reparte ushtarake.

Njerëzit e pranonin Lugatin RTSH si një fatkeqësi të parathënë që ndodh dhe s'ke ç'i bën.

Për t'u larguar sa më tepër nga krimineli RTSH që nxirrte zjarr nga goja, tym nga hunda, zgjyrë nga veshët dhe të gjitha brimat e tjera, shqiptarët shpikën kanoçe dhe antena për të parë TV të huaja. Edhe u arratisën. Çanë ferrën. Ose mbetën mbi tela me gjëmba shqyer nga qeni i kufirit, sharruar nga kalashnikovi.

Lugati RTSH nuk shërbeu për asgjë tjetër veçse, në diktaturë për të paguar disa, në demokraci për t'i vjedhur të gjithë.

Ca më lugatër se Lugati RTSH, po bëjnë sikur po mendohen me e mbajt hap apo me e mbyll.

Të mbash hapur Lugatin RTSH nuk është se të merr malli për përdhunuesin, por prova e sigurtë se ke vdekur por s'je kallur.

Lugatin RTSH duhet me e zhbë, me e shemb, me e djeg me vajguri si digjet lugati, duke u gdhirë e xhumà. Pastaj me e spërkat me acid për me çduk përgjithmonë çdo ferrë, çdo bar, çdo gur, çdo gjallesë, çdo kujtesë.