Edison Ypi: Petro Zheji

Edison Ypi: Petro Zheji

Petro Zheji

Mua letargut, mua gjarpërit të përgjumur në pritje të zgjohej kur të ngrohej moti, nuk më interesonin të tjerë; më mjaftonin Lasgushi dhe Kadarea.

Kisha lexuar Don Kishoti, Foma Gordejev, Ringjallja, Zoti President, dhe të tjera, por mjeshtrin e përkthimit të këtyre kryeveprave, Petro Zhejin nuk e njihja.

Kureshtja për ta njohur Petro Zhejin mu ngjall një behar te shtëpia e Lasgushit në Pogradec. Atje, gjatë një pasditeje të trishtë kur në breg të Liqerit qante Nositi dhe kërciste çizmja e kufitarit, Kadare, me ton konfidencial tipik të muhabeteve të zararshme, u sugjeroi të pranishmëve të lexonin "Zoti President" nga Migel Asturia përkthyer nga Petro Zheji.

E lexova me një frymë romanin e hatashëm latinamerikan me rezonim shqiptar.

Për ta njohur Petron nga afër prita ndonjë rast.

Rasti erdhi.

Punoja në një ofiçinë afër Kino Studios. Atje rrotull, në një barrake-kafene, u njoha me Adhurim Lako, Ndoc Papleka, Jamarbër Marko, dhe të tjerë me të cilët flisnim e bërtisnim për Letërsinë, Poezinë, filmat.

Adhurim Lako çmendej pas vargjeve "Do të buças në krisma jete / prej buçim-heshturit durim" që ja klithja me zë të ulët rrëzë veshit dhe më lutej t'ja përsërisja pafund.

Duke më dëgjuar që ulurija Lasgushin dhe citoja Kadarenë, një piktor i kinostudios që ndodhej atje, më tha; Duhet të njohësh Petro Zhejin, dhe më dha adresën.

Vajta te Petro në katin e pestë të një parafabrikati në Allias.

Petro më priti me dashamirësi. Nuk më pyeti kush ma dha adresën tij e qysh e tek.

U mahnita nga jeta prej heremiti që bënte. Në kuzhinë kishte një shtrat, ca rraqe, një plitkë për kafe dhe çaj, asgjë tjetër.

Çdo herë që e vizitova, Petro ndoqi të njëjtin ritual. Çajin tim, pastaj kafen e vet, i zjeu në një xhezve të vjetër mbi plitkën rrezikëshme me telat e korentit zbuluar.

Në dhomë kishte një dërrasë të zezë si të shkollave, Mbi dërrasë bënte me shkumës skicat përkatëse për spjegimet që jepte.

Petro kishte energji dhe shkathtësi cerebrale demoniake. Për gjithçka që ta pyesje përgjigjej përmes një elaborimi të thellë filozofik, teologjik, linguistik, historik, matematik.

Petro fliste për zero-n, brenda së cilës, sipas tij, ndryhej asgjëja dhe gjithçkaja, për origjinën e gjuhëve, historinë e qytetërimit, historinë e kohës, fillimin dhe fundin e botës, ekzistencën, ëndërrat, cakun e dijeve, pas të cilit cak shkencëtarët hiqen mënjanë për tua lenë fjalën teologëve etj. etj.

Prej Petros dëgjova për "Gjeomtrinë fractale", kodet zhvillimore të paracaktuara nga Krijuesi, të cilën gjeometri e aplikojnë matematicinët filozofë për të studiuar zhvillimin e botës dhe të jetës duke udhëtuar progresivisht mbrapsht nga e sofistikuara e tashme tek e thjeshta e mëparshme.

Petro thoshte se në gjuhën hindiane historia e botës shprehet në një fjalë të vetme onomatopeike me tre tinguj;

Aum.

A, fillimi shpërthyes.

U, vazhdimi i rrëmujshëm.

M, fundi i shurdhët.

Hera-herës Petro më lemeriste duke shqiptuar përmendësh kapituj të tërë nga romane që i kishte përkthyer prej vitesh.

Petro fliste për karakterin relativ të njëkohshëmisë së ngjarjeve, fundin e të gjitha fundeve ose "horizontin e eventeve", tkurrjen e Universit, supernovat, kolapsin e materies, sidomos për rolin e transhendencës. Tregonte episode groteske me të vdek së qeshuri nga shtëpia botuese ku kishte punuar.

Bisedat me Petron më kënaqnin pafund.

Çudia ishte se, me përjashtim të dy herëve, një herë kur te Petro gjeta Artur Zhejin që nuk tha asnjë fjalë por vazhdoi gjithë kohën të pikturonte në një letër kurmin e një femre, dhe tjetrën herë kur te Petro shoqërova Dan Klosin, të pesë apo gjashtë herët e tjera, sapo hyja unë, një tjetër dilte, sapo dilja unë, një tjetër hynte.

Kjo lloj rrokade më zbaviste dhe më kallte tmerrin njëkohësisht.

Unë dhe miqtë e mi ishullarë me të cilët na lidhnin internimet, burgosjet, varjet, pushkatimet, hynim e dilnim në shtëpitë e njëritjetrit për të klithur kundër diktaturës dhe diktatorit, sa më spontanisht, pa teklif, pa rend, pa kode, pa rrokada.

Te shtëpia e Petros lëvizjet ishin të programuara.

Nisa të dyshoj se rrokada te dera ishte këmbimi që Petro më bënte mua letargut me një spiun.

Mu forcua kjo bindje më vonë kur u muar vesh cilët ishin frekuentuesit e tij.

Shtëpia e Petros nuk kishte pra lidhje vetëm me gjeometrinë fractale, Obllomovin, Don Kishotin, kolapsin e materies, por edhe me Sigurimin.

Megjithatë, përtej këtyre supozimeve, që supozime ishin dhe të tillë mbetën, Petron vazhdova ta adhuroj, madje më tepër se më parë.

I thashë një ditë;

-I beson ti këta që thonë "Jam nxënës i Petros" në stilin "Jam nxënës i Aristotelit" ?

-Janë hajvanë, tha me përbuzje.

Një herë tjetër më kërkoi ta qartësoja për një inxhinier të përndjekur që, siç i kishin thënë, kishte bërë një shpikje që do revolucionarizonte motorristikën planetare. E njihja atë inxhinier, dhe "shpikjen" e tij. I thashë se inginieri në fjalë është një njeri tmerrësisht i vuajtur nëpër internime dhe burgje, që për të vuajtur sa më pak, hiqet si shpikës dhe beson deliret e veta.

Petro për mitomanët e mi të shumëvuajtur gjysëm të çmendur, unë për sigurimsat aristotelianë të Petros, ja plasëm gazit të dy.

Iku në Itali pak para shembjes së regjimit.

Mori me vete një numur audio-kasetash ku kishte regjistruar me italishten e tij absolutisht mahnitëse ligjërime teologjike-linguistike-filozofike.

M'i pat' vënë t'i dëgjoj ato kaseta. Nuk janë më tepër se përçartje. Ndonjë spiun mund ta mohojë. S'ka problem. Unë letargu jam më i besueshëm dhe më i fuqishëm se krejt ndyrësirat e botës.

Audiokasetat i çoi në Vatikan për t'ja dëgjuar kardinalët, ndoshta vetë Papa.

Nuk ja dëgjoi askush.

Buja e shumëpritur prej "nxënësve aristotelianë" kur Petro të dilte "jashtë shtetit", nuk ndodhi.

Pastaj iku në Amerikë, ku edhe atje nuk pati sukses.

Më kanë tmerruar endjet rraskapitëse të Petros në kërkim të asgjësë.

Petro erdhi në Shqipëri. Por Petros nuk j'u ndje zëri.

Petro Zhejit i mungon një spjegim sado i shkurtër për arsyen e heshtjes.

Është rraskapitës fakti se kur shumicës goja ju hap, Petros ju mbyll.

Supozimi që bëj për ndonjë lidhje të Petros me Sigurimin, është ky; Për tu ndjerë pak më i lirë në vendin ku proletarët të nxirrnin sytë, Petro pranoi të mbante afër një zhgan mediokrish që Sigurimi ti kontrollonte lehtësisht.

Kjo nuk e prek Petron. Madje po të kesh parasysh se askush pranë Petros nuk përfundoi në burg, kjo ja shton lavdinë.

Sigurimi që zaptoi Zërin e Amerikës me dhjetra vite, dhe sot e kësaj dite po e mban në zap, e pamumdur të mos gllabëronte një llokëm aq të shijshme si Petro Zheji.

Ndonse të tërthorta, për këtë kam prova. Pak pas demonstratës së heshtur, një skuth që punonte në spitalin psikiatrik dhe hynte e dilte tek Petroja (kombinim interesant ky me skuth, Petro, spital psikiatrik) më tha një ditë;

-A formojmë një parti ?

Nuk ju përgjigja.

Pas pak skuthi u zhduk.

Një tjetër frekuentues i Petros, një libohovit krushqi e largët me mua, duke i cilësuar të dy "Korifej", më foli disa herë për miqësinë e Petro Zhejit me Namik Hotin. Namik Hoti e kishte të shkruar në ballë që ishte spiun i Sigurimit. Libohobiti më thoshte se Petro dhe Hoti bënin diskure të larta dhe të ashpra, duele intelektuale, si dhe vej e vinin më këmbë në Elbasan për Yoga.

Të vërteta ose trillime, këto lidhje të Petros, ishin njëlloj të pakëndëshme dhe dëshpëruese.

Edhe libohoviti pas pak s'u bë më i gjallë.

Duhen hapur urgjent dosjet. Për të qartësuar edhe dilema të tilla. Që shqiptarët të mësojnë se Sigurimi nuk ishte vetëm ai që burgoste fshatarët e pabindur sikur gjoja i kishin vënë zjarrin mullarëve apo kishin helmuar ujësjellësin, por edhe ky tjetri, ky me Don Kishot, Obllomov, Gjeometri fraktale.

Kënaqja e kureshtjeve intelektuale të ndonjë letargu si unë, dhe mbajtja afër e një horde mediokrish, nuk ishin punë të këqia. Por në vendin ku të hidhnin hekurat për hiçgjë, nuk ishin të mjaftueshme, dhe as punët e duhura.

Çfarë po thonë se Petro ka zbuluar që Gjuha Shqipe është Gjuha e Gjuhëve, dhe të tjera marrina, janë hajvanllëqe "aristoteliane" që s'i ha as derri.

Petro Zheji nuk ishte filozof, matematicien, gjuhëtar.

Petro Zheji ishte një përkthyes gjenial, një i çartun bukur, një mendimtar rrebel, një antikonformist i vendosur, një vizionar që diti ta ruaj nderin e vet duke u larguar nga skena një çast para katastrofës, kur perdja ra', dritat u ndezën, plateja u ndriçua, por ishte bosh.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eri: 07/08/2023 18:23

    Jam dakort. Shkrim i sakte dhe i ndershem. E vertete qe nuk ishte gjuhetar dhe hipotezat e tij gjuhesore thjesht propogande. Meqe ra fjala Thesalonik dmth Ndes jashte dhe Thesproti dmth Ndezja ben mire.

    Përgjigju
    • Nastradin: 07/08/2023 19:09

      Vras mendjen nqs punon akoma ne ndertim,me tullat? Se ska mundesi,te kesh nje IQ mize, e vitin 2023 eshte e pabesueshme,duhet te te klonojne qe te studiohesh ne katedrat e mjekesise.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë