Edison Ypi: Qyteti Pastërma

Edison Ypi: Qyteti Pastërma

Roma "Qytet i përjetshëm", Londra "Qytet i lagur", Praga "Qytet që këndon", Mitrovica "Qytet i therur", Lekoviku "Qytet i vdekur", e kështu me rradhë ka "Qytet që vallzon", "Qytet që qan", "Qytet i plagosur", "Qytet i vrarë", etj etj.

Berati nuk ngjan me asnjë. Berati është "Qytet Pastërma".

Shqotat e Historisë, rrebeshet e kohës, pushtimet, mbijetesa, i nxehti i beharit, i ftohti i dimrit, shirat e vjeshtës, erërat e luginës, ishin zjarri i ngadaltë që Beratit i hoqi tepricat, kërrcet, dejet, dhjamrat, Beratin u tha, Berati mbeti kock e palcë, me Kala guri, shtëpi mbi shkëmb, rrugica me kalldrëm, mish pa dhjamë, qytet i shijshëm, Qytet Pastërma.

Berati ndodhet ku lumi, pasi merr një kthesë të fortë si Wagner i vrënjtur, del në fushë Paganin i krisur.

Te ajo kthesë dhe ai brryl, Eteri apo Ethiri, krijon shtjella, që janë shkaku që në Berat buçet jeta: turbullohen mendjet, çakërdisen interesat, therin njëritjetrin, shkruajnë libra, llafosen sikur kanë ngrënë bythë turtulli, bëjnë karrierë, pasurohen.

Kur nisesh për Berat, sakën se merr buk me vete, libra, vargje përmendësh, plagë të pashëruara, ëndërra të thyera, nostalgjira lotnsjellëse, kujtime të vdekura. I gjen të gjitha në Berat. Ku Zoti nuk i besoi askujt. E bëri çdo gjë vet: Të natyrshëme si mali përballë, si retë në qiell, si lumi që i rrjedh te këmbët e Beratit duke e bërë aq mahnitës sa askënd nuk e lë indiferent.

Cili ishe, cili je, cili do jesh ? Këto nuk i gjen dot vet. Berati do t'i thotë në vesh.

Berati i thatë si pastërma, nuk ka asgjë madhështore, kolosale, ngadhnjimtare, heroike, triumfuese. Berati nuk ka fituar luftra, nuk ka bërë kryengritje, nuk ka kryevepra nëpër mure ekspozitash, nuk ka muzeume me statuja të gdhendura nga mjeshtra, nuk ka ndërtime gjigande, autostrada, ura  tunele. Banorët e Beratit nuk kanë qënë shkencëtarë me famë, shpikësa të dëgjuar, artistë me nam. Berati të tillë s'ka, të tillë nuk i duhen. Beratit i mjafton pastërmaja. Berati ka njerëz që shohin punën e vet, mbajnë shtëpinë e vet, mbarsin gruan e vet. Berati është një mbijetues gjenial.

Kur i afrohesh nga Lushnja, Beratin sapo e sheh, ndjen si të rreh zemra, të merren mentë, të djersitet balli, të vjen rrotull bota. Sapo e prek, ngjitesh në qiell, rrëshket në ekstazë, bie në jerm, mbështillesh me ëndërr.

Sado pak, sado shkurt, edhe vetëm gjatë një rrahje zemre, ose vetëm një mbushje mushkërie, po preke Beratin, ke prekur Historinë. Je sëmurur pashërim me Mangalem, Kala, Goricë, Tomorr, Shpirag, Myzeqe.

Pa teprica, pa dëngla, pa mbeturina, pa dhjamra, pa yndyrna, Berati është vend ideal shërimi për ata që u dhemb koka, nuk i zë gjumi, janë me diabet, nuk u mbushet si duhet mushkria, nuk u pompon si duhet zemra.

Berati është fryt i një mardhënie milenare mes njeriut që i jep gurit jetë, dhe gurit që e bën njeriun kalldrëm.

Duke j'u afruar Beratit, i largohesh banalitetit, hidhesh përtej murit, ndodhesh jashtë të këtushmes dhe të tashmes.

Oratorët që i flasin kallaballëkut në Berat, sidomos në muzg, pas dhjetë minutash u zmadhohen sytë, zverdhen në surrat, bien në delir, ndodh vetëm në Berat.

Në Berat çdo mur është një pergamenë e shkruar me kod, kodin e mori një prift e hodhi në Osum. Çdo gur kalaje është një vrasje pas shpine. Çdo gur kalldrëmi është një dramë. Çdo sokak një çmendinë. Çdo dritare një tragjedi. Çdo djalë një Romeo. Çdo vajzë një Xhulietë.

Berati nuk ka asgjë të re. Në Berat gjithçka është e vjetër, e ndryshkur, e shtrembër, me një këmbë në varr, gati për të vdekur. Diçka e re në Berat është e pamundur si një beb i vjetër i sapolindur.

Vjetërsia është e vetmja gjë që Berati nuk e negocion. Kurrë. Në asnjë rrethanë. Për asnjë çmim. As kur i vërsulen pesqint vampirë ta trembin, dyqind djaj ta rrahin, treqint ujq ta kafshojnë, njëqint kuçedra ta shqyejnë.

Berat nuk është i bukur. Berati është i fundbotshëm. Berati është magji, fantazi, përrallë.

Kala, lumë, ullinj, qershi, beratas që llafosen shumë, janë libri që të përpin, filmi që të marros, magjia që të shëron, pastërmaja që Berati ofron.

Berati është kokrriza e rërës që vuajti miliona vjet brenda guackës, derisa u bë perlë, pastaj pastërma.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pena: 17/07/2024 13:11

    Shume bukur eshte pershkruar Berati, qyteti per te cilin Greqia dhe Italia Benin marreveshje kush ta administronte para 1920!? Berati Ku Ismail Qemalit ishte deputeti I perjeteshem, qyteti I Iljaz dhe Jusuf Vrionit, qyteti I Vella dhe moter heronj te luftes NCl, Margarita dhe Kristaq Tutulani, qyteti I Nezim Beratit, Berati kryeqytet ne nendor te 1944, e tjera. Qyteti pa dhjame, por me vaj ulliri dhe vere qilari!!!

    Përgjigju
  • Martini: 17/07/2024 12:17

    Si gjithmon brilant

    Përgjigju
  • Qytetar beratas: 17/07/2024 11:53

    Shkrim shume i ndjere, qytetin tim te shpirtit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar