Rruga e asfaltuar për t'i rënë rrotull Baba Tomorrit kthen majtas pak para Poliçanit.
Asfalti është shpikur për të vajtur nëpër restoranta. Asfalti nuk është shpikur për të vajtur nëpër faltore. Aq më pak për t'i rënë rrotull një Shenjtori si Abas Aliu.
Nejse, rruga gumëzhin nga turista me fuoristrada, vetura, nga pesë e nga gjashtë motocikleta, biçiklista me çanta shpine, këmbësorë besimtarë tek ecin të kërrusur me një shkop në dorë.
Merr me vete ca qirinj t'i kesh për t'i ndezur në vendet e shenjta ku je duke vajtur.
Mirseardhjen për tek Babai ta uron çifti që nuk e tradhëtojnë kurrë njëritjetrin, Zoti Flladi dhe Zonja Zonja Freskia. Mijra mornica të fut në mish ky çift.
Një zonjë fort e nderuar, Zonja Bellavista, të ofron pamje me bukuri rrënqethëse nga perëndimi.
Shpiragu, Sinja, Mali i Pilafit, Tre Avgatë, Buzi, shtrihen në horizont në një pamje bukurie drithëruese që s'e rrok dot të plotë asnjë aparat fotografik.
Në Kapinovë, fshat plot me gjelbërim dhe kopështije, ka restorant, guesthouse, kafene. S'ja kemi ngenë. Këtë herë nuk jemi për mish e pilaf. Jemi nisur t'i biem Babait rrotull.
Duke ikur përpjetë nëpër ca kthesa të ëmbla, që në kilometrat e para, aq madhështore bëhet pamja, sa kupton që Gramozi, Shpiragu, Dajti, Korabi dhe të tjerë, janë të gjithë nipërit e Baba Tomorrit.
Aroma të panumurta, ngjyra si nëpër ëndërra, tinguj melodiozë, të ftojnë të dehesh nëpër korie dhe pllaja. Kujdes. Mbahu. Bëhu i fortë. Mund të jenë Circe që të gurosin.
Një këtu, një atje, Benza të prishur braktisur anës udhës.
Aq shumë pllaka guri dhe mermera sa nxirren mbi kurriz të Babait që po i vimë rrotull, sa mjaftojnë e teprojnë për ta mbuluar çatinë e botës.
E vetme mes një pllaje të shkretë, Gjurma e Abas Aliut çfaqet befas pas një kthese. Ndize një qiri këtu të shpëtosh nga ca dreqnira që ke bërë.
Mbi rrugë një "No name restorant" nga ata që s'bëjnë asnjë reklamë, por gatuajnë gjëra që të lëpish gishtat.
Tjetër restorant modest nga vjen aromë qoftesh.
Duhmat e mishit të restoranteve ndeshen për jetë a vdekje me aromat e malit që i fitojnë me lehtësi këto beteja.
Stane, tufa bagëtish, koshere bletësh, benza të braktisur, kantiere, traktorë, buldozerë, që shkulin pllaka nga kurrizi i kërrusur i Babait.
Teqeja e Abas Aliut e qetë. Nuk është ditë e shënuar. Pak vizitorë. Kurbanët nuk janë therur. Nëpër rrugë nuk rrjedh gjak. Hejet nuk janë gati. Zjarret nuk janë ndezur. Oxhakët nuk nxjerrin tym. Të vijë gushti, pa shomë e bëjmë.
Për Babain, Naimin, rilindasit, patriotët, sakrifikuesit, ndize edhe këtu një qiri
Te një restorant ku si në çdo restorant sotpërsot janë keq për kamarierë, shërben një nipçe vocërrak nja dhjetë vjeç.
Restoranta, kampingje, motoçikleta, biçikleta, turista. Amano Abas Ali ç'bëhet këtu.
Therja përposhtë.
Si urdhon.
Asfalti mbaron ku duhej të fillonte.
Por rruga tatëpjetë me shumë kthesa s'ësht e keqe. Ka taban të fortë dhe është e rrethuar me blerim të dendur.
Aty-këtu teqera bektashiane.
Gjerbësi duket që larg.
Për ta dridhur sa më farr zemrën, e mira do ishte Gjerbësi të çfaqej befas pas ndonjë kthese. Po edhe kështu si katund që duket e zhduket si hizër nga kthesa në kthesë, s'ësht keq.
Cili është ai lumë nën Gjerbës ?
Një çoban me kërrabë, pa gunë dhe fyell, thotë se ai lumi në në horizont, nuk është Devolli si tu duk nga larg. Devolli është prapa maleve. Ky ose kjo është Tomorrica.
Ngjitet përpjetë një Toyota. Ka qënë në një stan në Gjerbës. Ka marrë nga stani dy deshë dhe tre dhen të therur që i ka në karroceri.
Tre çuna që vijnë përballë po e ngjitin të përpjetën me një Golf 4. Nuk janë skraparllinj. Vijnë nga Tirana. Janë dashurorë të Natyrës. Studjojnë për "Software Designer". Ishin deri në Gjerbës. Më tutje s'vajtën. Nuk i besuan Golfit.
Hedh sytë nga pas dhe përpjetë. Mbi Babanë
Borë e pa shkrirë !
Jemi qershor.
Vetëm një orë e gjysëm nga Divjaka "prejku piqet buka n'dilli", borë e përjetëhme.
Kjo pra është Shqipëria, që ja marsha t'ligat. Dhe kjo është arsyeja pse milonat e turistëve po vinë, dhe gjithmonë do vinë.
Çesëm e thatë me dy lëfytë pret të vijë Abas Aliu t'ja nguli dy gishtat shkëmbit të buçasi uji, ta pinë besimtarët, të freskohen udhëtarët, të rrjedhë përroi, të vaditen drurët.
Afër Gjerbësit një çobaneshë me nja dhjetë dhi' të thotë:
Po, ke ryrë në Gjerbës, mirestëvish.
Gjerbësi i freskët plot me kopështije ka dy hotele, restorant, kafene, dhe shërbime të tjera. Por pesë a gjashtë skraparllinj që kanë gjerbur nga një qelqe thonë se në Gjerbës turistat janë të rrallë. Kalojnë me fuoristrada dhe motoçikleta. Por jo me mijra. I pengon rruga.
Hotelxhiu, një Zotni i sjellshëm, bashkë me të shoqen të tregojnë për gjithçka që do të dish. Edhe për si shkohet, nga Gjerbësi në Gramsh përmes lumit po se po, por edhe në Moglicë. Zonja thotë;
-Në Moglicë shkohet kollaj. Sa kalon ato kodrat,
-Zonjë e nderuar, nuk janë kodra janë male.
-Epo ti krahasosh me Babain tonë, kodra janë. Ça do ishte Babai ynë po të ishin male ato vogëlsira ?
Të Zotët e Hotelit të inkurajojnë të vazhdosh për Çorovodë.
Tomorricën mjerë kush se ka parë.
Tomorrica është marramendëse, frymëndalëse, tru shpuzë, shpirt ndezëse.
Ta përcjellësh Tomorricën me tekst, është punë që s'bëhet. Kush është kureshtar, të vijë ta shohi në vend. Tjetër zgjidhje s'ka.
Duke ikur për Çorovodë me Tomorricën në të majtë, shushatesh. Do të bërtash, por s'di se kujt. Do të llafosesh, por s'di me kë.
S'ka problem. Abas Aliu është i madh. S'të lë kurrë në baltë. Gjithmonë të ndihmon. Në çdo fshat të faneps anës udhës një çoban me krrabë dhe qen stani si ujk, një çoban skraparlli zemërmirë që të rrëfen fijepërpe; luginëzat, fshatrat, çukat, rripat, zgëqet, përrenjtë, e të tjera e të tjera.
Diku mes një tuneli të gjelbër makinës i vërsulen pesë a gjashtë qën të mëdhej si ujq. Lehin kërcënueshëm, hapin gojën, zbardhin dhëmbët. Këta nuk janë si ata që lehin e nuk të hanë. Këta kopenë e mbrojnë seriozisht. Ngrije shpejt xhamin. S'e duroj dot të vdes nga kafshimi i qenit. Vjen çobani. Është 15. Ruan 100 dhi'. Shkon në shkollë. Shtëpinë e ka atje poshtë. Është i qeshur dhe i mprehtë. Si mos të jetë i qeshur skraparlliu i vogël kur qëntë nuk e kafshojnë se e njohin. Një video nja tre a katër minuta me qëntë kërcënues duke lehur me të madhe rrotull makinës duke ikur, do ishte mrekulli, por s'jam aq i shkathët.
Tomorrica me luginëza ku rrrjedhin përrenj dhe struken fshatra...mos se më dalin lot.
Dy lapidarë. Si gjithë lapidarët. Në vende të mira për lapidarë propagandistikë dhe luftra që s'u bënë, të kqia për luftra të vërteta.
Pus i Shenjtë.
Atje poshtë, atje tej, atje larg pas miliona kthesash, Çorovoda e skraparllinjve, Osumi i kanioneve.
Babait rrotull i erdhe, besimin e dëshmove, Ritin e respektove, në dy Faltore qirinj ndeze, rrotull Babait nja 80 kilometra i erdhe. nga çfarë pe e dëgjove u mahnite.
Tani, shqetsimet e Ajnshtajnit, luhatjet e Darvinit, dyshimet e Hamletit, pagjumësinë e Makbethit, rënkimet e Migjenit, çmendurinë e Diktatorit, të përpjetat e pluralizmit, i ndjen më thellë, i kupton më mirë.
Duke u kthyer, te Çesma me Ballkon, më ndalon një polic rrugor.
Nuk jam me shpejtësi. Letrat i kam në rregull. Rripin nuk e kam vënë sepse jam mbi 190 centimetra i lartë. Pse më ndali ky polic ?
Polici skraparlli nuk më ndali për të më përshëndetur si përshëndet çdo polic kur jam duke vajtur diku; "Rrugë të mbarë", por me një përshëndetje sa të rrallë dhe madhështore: "Kthim të mbarë", pra si përshëndet një polic që e gjen me imagjinatë dhe intuitë se në ç'mrekulli isha dhe u lumturova, dhe në ç'hale po kthehem i lodhur pas 13 orë mbi timon Rrotull Babait. Faleminderit për mirkuptimin gjenial o skraparlli modest.
Komento
Te emocionon si gjithmone me keto reportazhe te bukura,bravo gazetar I talentuar!!
Përgjigju