TIRANE- Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, gjatë momentit kur përpara kryeministrisë po mbahej protesta nga drejtuesit e furgonave, mbajti një deklaratë për shtyp ku shprehu tri zgjidhjet e qeverisë për kërkesat e shoferëve. Një mundësi është që pronarët e taksive 8+1 të ushtrojnë aktivitetin sipas licencës, duke vendosur taksimetër, dhe duke marrë në kthim vetëm pasagjerët që kanë transportuar në rrugën e vajtjes. Varianti i dytë u jep atyre mundësinë që të mos shërbejnë si taksi, por të aplikojnë për licencë transporti ndërurban, duke zbatuar kriteret që përcakton ligji.

Si mundësi e tretë, mund të ofrojnë shërbimin e transportit brenda qarkut duke shtuar se kjo mundësi i është paraqitur disa herë si rrugëzgjidhje përfaqësuesve të sindikatave, por se nuk ishte pranuar. “Do të zbatojmë ligjin. Taksitë do të jenë taksi. Autobusët do të jenë autobusë. Nëse pronarët e taksive 8+1 duan të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin sipas licencës që kanë, atëherë duhet të vendosin taksimetër ashtu siç e kërkon ligji, të mos ndalojnë vend e pavend që të mbushen me pasagjerë rrugës, të marrin në kthim vetëm ata pasagjerë që kanë transportuar në rrugën e vajtjes, siç e kërkon ligji.

Nëse nuk duan të shërbejnë si taksi, atëherë të aplikojnë për licencë transporti ndërurban dhe të plotësojnë kushtet teknike që kërkon ligji, të nisen në vende të paracaktuara, me stacione të paracaktuara, sipas orareve të paracaktuara, me mjete, me kushte të parashikuara nga ligji. Por kjo situatë ku nga njëra anë këta persona duan të kenë edhe avantazhet e të qenurit taksi, dhe ato të transportit ndërurban, nuk mund të vazhdojë.

Qeveria i ka dhënë edhe një rrugëzgjidhje pronarëve të taksive 8+1 : Të ofrojnë shërbimin e transportit brenda qarkut”, tha ministri i Transportit. Veç kësaj, ministri Haxhinasto e cilësoi protestën e drejtuesve të furgonave 8+1 si jo të drejtë, si dhe iu drejtua me një mesazh edhe deputeteve të opozitës që kanë mbështetur këtë protestë. “Deputetet, si të zgjedhurit e popullit për të qenë ligjvënës, janë të parët që duhet të zbatojnë ligjin. Nëse ata mendojnë se ligji është i padrejtë, të paraqesin amendimet përkatëse në Parlament. Deputetet e opozitës nuk mund të zgjedhin të bëjnë politike, për interesat e tyre të ngushta edhe duke mbështetur paligjshmërinë.

Por nxitja e paligjshmërisë dhe promovimi i shkeljes së ligjit është e papranueshme në demokraci. Pronarët dhe drejtuesit e taksive 8+1 duhet ta kuptojnë se deputetët e opozitës nuk janë aty për asnjë arsye tjetër, përveçse për të politizuar dhe përdorur protestën e tyre, që fatkeqësisht, në këtë rast, është e padrejtë”, u shpreh ministri Haxhinasto.

Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)