Emri i tij gjendet në formularin E-SIG 025/a, me NIPT K51713030J. Ka munguar vetëm një ditë në shtator të vitit 2009, pra ka qenë në zyrën e tij për 21 ditë kalendarike. Dhe për këtë është shpërblyer me 34299 lekë, shumë kjo e shënuar në listë pagesën e Avokatit të Shtetit e dërguar dhe në zyrën e sigurimeve shpqërore për të mbajtur përqindjen e kësaj shume për llogari të këtyre sigurimeve.
Listëpagesa shënon qartë në një nga zërat e saj: Ditë kalendarike të punuara të subjektit gjatë muajit. Në bazë të ligjit mandati i deputetit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër veç atij të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në rastin më të mirë, Halimi mund të akuzohet se ka marrë padrejtësisht nga arka e shtetit këtë shumë parash, pasi të pranohet se ka shkelur Kushtetutën. Dhe akti themeltar i shtetit është i qartë në përcaktimin e tij për të gjithë ata persona që kandidojnë për postin e lartë të deputetit.
Kështu, sipas nenit 60 të Kushtetutës, nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra, gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policies dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji. Sipas Kushtetutës, çdo mandat i fituar në kundërshtim të këtij përcaktimi është pa pavlefshëm.
Mandati i Halimit, aktualisht ministër i Drejtësisë, rezulton të ketë qënë i pavlefshëm për vetë faktin se ai nuk ka dhënë dorëheqjen si Avokat i Shtetit,
duke patur parasysh se ai përtej zgjedhjeve, por dhe përtej fiksimit të mandatit të tij si deputet i Kuvendit në fillimin e korrikut të vitit 2009, ka vijuar të paguhej me pagë nga ky institucion deri në fund të shtatorit të po këtij viti. Por njëherësh, duke parë dhe listëprezencën e Avokaturës së Shtetit, ku numri një i saj është pikërisht Ministri aktual i Drejtësisë, deputeti Eduard Halimi, vihet re se është shkelur dhe neni 70 Kushtetutës. Ku në pikën dy të tij thuhet se deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
Nga ana tjetër po sipas këtij neni, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Në këtë për të cilat janë mbajtur dhe sigurimet shoqërore.
Pra deputeti Halimi, aktualisht Ministër I Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën e vendit, dhe Kushtetuesja duhej të kishte vendosur për rastin e tij, ose në rastin më të paktë, duhet të kthejë paratë e gati tre muajve që ka marrë te Avokati i Shtetit, duke qënë njëherësh dhe deputet.
Rreth 12 vjet më parë Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga Fehmi Abdiu, kryetar, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi, Sokol Sadushi, Kujtim Puto, anëtarë, shqyrtoi kërkesën e 36 deputetëve të Kuvendit, me objekt:
"Interpretimi i neneve 69 pikat, 1/d e 2; 70/2 dhe 179, pika 1 e 4 të Kushtetutës". 36 deputetët e Kuvendit, atëherë kishin kërkuar interpretimin e Kushtetutës për të drejtën e kryetarëve të bashkive dhe të komunave për të kandiduar e për t'u zgjedhur deputetë, si dhe për të drejtën e deputetëve për të kandiduar e për t'u zgjedhur si kryetarë komune e bashkie. Në kërkesë ishte përfshirë edhe interpretimi Kushtetutës për të drejtën e këtyre të zgjedhurve për të mbajtur njëkohësisht dy mandate, atë të deputetit dhe atë të kryetarit të bashkisë ose komunës.
Por, që më pas do të vlente si vendim për çdo zyrtar tjetër të administratës, pra dhe për zv.ministrat dhe Avokatin e Shtetit. Në atë vit, Gjykata Kushtetuese firmos një vendim, i cili është përfundimtar: "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ndalon në mënyrë të shprehur qartë jo vetëm kandidimin, por edhe zgjedhjen si deputetë të kryetarëve të Komunave apo të Bashkive, duke e konsideruar si të pavlefshëm çdo mandat deputeti të fituar nga këta të fundit. Ky ndalim është përcaktuar në nenin 69/1 të Kushtetutës".
(Në foto: Faksimile e listë-pagesës së Avokaturës së Shtetit ku rezulton se Eduard Halimi është paguar edhe në shtator 2009)
(aq/sg/shqiptarja.com)