Eduard Zaloshnja: 2 milionë në emigracion! Edhe sa do të vazhdojë hemoragjia…?

Eduard Zaloshnja: 2 milionë në emigracion! Edhe sa do të vazhdojë hemoragjia…?

Nga sondazhi i fundit periodik mujor që zhvillova për Report TV, rezulton se plot 62% e shqiptarëve nuk kanë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë, ndërkohë që plot 80% nuk kanë vlerësim pozitiv për aktivitetin e opozitës. Këto shifra tregojnë se 3/5 e shqiptarëve janë të pakënaqur me qeverinë, por nga ana tjetër, vetëm 1/5 kanë shpresë tek opozita.

Pakënaqësia aktuale e ndërthurur me mungesën e shpresës përbëjnë një koktejl të fortë nxitës të dëshirës për emigrim – rreth 60% e shqiptarëve kanë dëshirë të emigrojnë, në qoftë se u krijohet mundësia (sipas disa sondazheve ndërkombëtare të kryera vitet e fundit në Shqipëri).

Nga një analizë që bëra në tetor për shqiptarja.com, rezultoi se rreth 2 milionë shtetas shqiptarë nuk banojnë aktualisht në Shqipëri (janë në emigracion permanent, e jo me qendrime disa-mujore jashtë vendit). Më 2011, kur u bë Censi i fundit, kjo shifër ishte rreth 1.5 milionë. Më 2001, kur u bë Censi i parafundit, ishte pothuaj 1 milion. Ndërsa më 1989, kur u bë Censi i fundit komunist, kjo shifër ishte e papërfillshme (sepse emigracionin e pengonin telat me gjemba atëherë).

Prej kurbës së emigracionit nga dekada në dekadë (shihni grafikun shoqërues), mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me dekadën e parë të eksodeve të mëdha, por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia shqiptare. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas pesë vjetësh, do të kemi më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj (aktualisht janë 43.5% në emigracion).

Që kjo tkurrje e vazhdueshme e popullsisë autoktone të ndërpritet, ose të paktën të ngadalësohet, duhet që të ringjallet shresa tek qytetarët e thjeshtë të vendit (e jo vetëm të Tiranës, e cila përjeton vazhdimisht rritje popullsie).  Opozita aktuale nuk jep shpresë. Qeveria Rama ka bërë të kënaqur ose gjysëm të kënaqur vetëm 38% të shqiptarëve (shihni rezultatet e sondazhit të sipërcituar të Report TV).

 Çfarë mbetet? Lindja e një force të re politike, të aftë për të energjizuar një masë të madhe të elektoratit të pakënaqur dhe të besueshme mjaftueshëm për të krijuar shpresë se gjërat do të shkojnë më mirë në të ardhmen, se sa aktualisht…

Kurba e emigracionit të shqiptarëve ndër vite

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Noli: 20/11/2023 16:20

    Nuk ka forcë politike në botë të krijojë shpresë atje ku realiteti është të jetosh pa shpresën.

    Përgjigju
  • Emigracion?: 20/11/2023 16:15

    Emigracion është kur ikin për t'u kthyer përsëri. Ky është Eksod pa kthim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Chelsea me hap kampioni, përmbys 3-4 Tottenhamin në derbi dhe futet 'në vallen' e titullit

Chelsea me hap kampioni, përmbys 3-4 Tottenhamin në derbi dhe futet 'në vallen' e titullit