Nga një ekstrapolim statistikor i sondazhit tim të fundit, më rezultoi se afërsisht 310 mijë pjesëmarrës të këtushëm të zgjedhjeve të fundit parlamentare janë të zhgënjyer nga partitë për të cilat votuan më 11 maj 2025. Më tej, afërsisht 437 mijë banorë në moshë për votim nuk votuan fare në ato zgjedhje.
Duke përmbledhur, mund të thuhet statistikisht se pothuaj 40% e 1.9 milionë banorëve të rritur të Shqipërisë (rreth 747 mijë) janë zhgënjyer nga të gjitha partitë ekzistuese (të mëdha e të vogla).
Kuptohet që tenda e të zhgënjyerve është laramane politikisht dhe ideologjikisht. Aty përfshihen të zhgënjyer nga politikanë si Rama, Berisha, Meta, Lapaj, Shehaj, Qori, etj, etj. Aty mund të përfshihen të zhgënjyer nga kapitalizmi në përgjithësi, ose të zhgënyer nga kapitalizmi që po zbatohet në Shqipëri. Sidoqoftë, një e dhënë nga një sondazh i im i mëparshëm është shumë e rëndësishme për të kuptuar orientimin politik të të zhgënjyerve: 50% e tyre rezutuan se vlerësonin Ahmet Zogun si drejtuesin më të mirë të shtetit shqiptar në 100 vjetët e fundit (pjesa tjetër vlerësonin Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Fatos Nanon, ose Edi Ramën).
Ndërkohë që rreth 700 mijë banorë të rritur të vendit janë gati të votojnë qysh sot PS-në e Ramës dhe 400 mijë PD-në e Berishës, duket e vështirë që të krijohet një alternativë e re politike përtej tyre, që do të thithte votat e 747 mijë të zhgënjyerve. Sepse tenda e të zhgënjyerve është laramane politikisht dhe ideologjikisht!
Në tentativat për të krijuar një alternativë të re domethënëse politikisht, vetëm LSI-ja mund të quhet e suksesshme përkohëshit deri më sot, ngaqë përcaktoi se kush do të ishte kryeministri i vendit në dy zgjedhje (2009 dhe 2013). Por nga 2017-ta e këtej, edhe ajo ka qenë thjesht një zhurmë statistikore në lidhje me përcaktimin e kryeministrit të vendit.
Tentativa të tjera kanë qenë zhurma statistikore fare të papërfillshme – ose nuk kanë arritur të prodhojnë mandate parlamentare, ose kanë prodhuar ndonjë mandat që nuk luan dot asnjë rol në përcaktimin e kryeministrit të vendit. Sa për impaktin e tyre elektoral, nga sondazhi im i fundit rezultoi se partitë e vogla kanë humbur pothuaj treçerekun e votuesve që patën më 11 maj 2025…
Komente












