Mbrëmjen e sotme deputetja socialiste e Vlorës, Briseida Çakërri, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, këshilltari socialist i Bashkisë Tiranë, Alfred Muharremi dhe avokati Leonard Karaj kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv për ecurinë e protestave që po zhvillohen në Tiranë, si dhe për shpalljen ‘non grata’ të Ikballe Berisha Huduti, për lidhje me Iranin.
Gjatë fjalës së saj, deputetja Çakërri tha se institucionet shqiptare po punojnë për identifikimin e të gjithë personave të lidhur me Iranin dhe me shërbimet informative të shteteve të tjera, të cilët po ndikojnë në protestat e zhvilluara në Tiranë.
Çakërri paralajmëroi se në ditët në vijim, do të identifikohen edhe persona të tjerë, të cilët sipas saj predikojnë ekstremizmin fetar në Shqipëri dhe kërkojnë ta bëjnë vendin tonë arenë luftërash ndërkombëtare (që mund të kenë shtete të tjera me njëri-tjetrin).
“Qysh në krye të nisjes së kësaj proteste u tha që këtu ka ndikim të Iranit. Në këtë moment janë duke u identifikuar. Të gjithë po punojnë për t’i bërë sa më publikë të gjithë këta njerëz që predikojnë për ekstremizmin fetar dhe për ta bërë gjithë Shqipërinë një arenë luftërash ndërkombëtare që mund të kenë shtetet me njëri-tjetrin. Shqipëria nuk mund t’ja lejojë vetes këtë në këtë moment. Do të kemi çdo ditë elementë të tjera, jo vetëm për zonjën në fjalë, që mesa duket paska lidhje të hershme, por edhe për njerëz të tjerë. Që nga personat që marrin mikrofonin, që kishin paligjshmëri. Protesta ishte qytetare vetëm ditët e para”, tha mes të tjerash Çakërri.
Më tej deputetja Çakërri tha se zgjedhja e datës 4 korrik (Dita e Pavarësisë së SHBA-së) për mbajtjen e protestës kombëtare, është diçka shumë e keqe.
Kjo pasi sipas sa tregon se organizatorët e protestës po i dërgojnë një mesazh SHBA-ve, në ditën e Pavarësisë së Amerikës.
“Është paralajmëruar edhe një protestë në 4 korrik, që thanë që u tha se do të jetë madhështore. Unë nuk i besoj fare rastësisë në këto gjëra. Ajo është festa e Amerikës, festa e Pavarësisë së Amerikës. Nëse ne po përpiqemi t’i japim një mesazh Amerikës me këtë datë, atëherë kjo është një gjë shumë e keqe. Sepse nëse s’ka lidhje me Amerikën, pse nuk zgjodhëm një datë tjetër. Pse me protestë do e festoni 4 korrikun? Ju i besoni rastësive? Ne fatin e Shqipërisë s’mund t’ja lëmë rastësive. Ju e shikoni që këtu ka një tkurrje të pjesëmarrjes në protestë”, shtoi Çakërri.
Ndërkohë për ish-drejtuesin e lartë të Policisë, Shemsi Prençi, shpallja ‘non grata’ e Ikballe Hudutit është bërë për hakmarrje politike.
Prençi tha se Huduti u shpall ‘non grata’ në momentin që vendosi t’i bashkohej një formacioni kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Pse pikërisht sot shpallet non grata? Gjithë këtë aktivitet terrorist, ku ishte ministri i Brendshëm dhe qeveria? Në një moment që rreshtohesh në një formacion kundër qeverisë dhe qeveria të shpall non grata është një hakmarrje politike, nuk ka të bëjë me aktivitetin e saj. Nëse shteti do të funksiononte, do i kishin të gjitha këto të dhëna. Kanë harruar edhe një pikë pa i vënë. Ikballe Berisha ka helmuar edhe studentët e Akademisë, me një grup iranianësh që kanë depërtuar deri në Akademi të Rendit, duke i helmuar. Madje janë edhe si punonjës të kompanisë së kateringut, që i helmuar 2 herë për ta shkrirë shtetin shqiptar. Kjo është një turp. Ministri i Brendshëm i sforcuar e ka firmosur këtë vendim. Si ka mundësi që nuk e shpallën non grata disa javë më parë”, tha mes të tjerash Prençi.
Më tej Prençi shtoi se qeveria ka nisur në ditën e 23-të të protestës të hakmerret edhe ndaj eksponentëve të UÇK-së.
Prençi tha se qeveria hodhi baltë mbi ata që kanë derdhur gjakun për Kosovën, teksa shtoi se kryeministri Edi Rama ka përmendur Tahir Sinanin (që sipas tij ka marrë pjesë në 3 luftëra) si mercenar.
“Në ditën e 23-të të protestës ke filluar të hakmerresh me eksponentë të UÇK-së. Kryeministri i Shqipërisë ka përmendur Tahir Sinanin, është turpi më i madh në botë. Luftëtari i vetëm në Ballkan që ka marrë pjesë në 3 luftëra, që është shpallur nga institucionet në Kosovë si ‘hero i popullit’, dhe ne e përmendim si mercenar. E kuptoni sa është konsumuar ky pushtet. Nëse shqiptarët marrin pushkën dhe dalin në luftë, Rama dhe Balla marrin thesin, se kujtojnë se edhe atje në luftë shkohet për të vjedhur. Është turp, të hedhësh baltë mbi ata që derdhin gjakun”, vijoi Prençi.
Ndërkohë këshilltari socialist i Bashkisë Tiranë, Alfred Muharremi, tha se ka një ndryshim të madh mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së Berishës.
Duke komentuar protestat që po zhvillohen në Tiranë, Muharremi tha se në kohën e qeverisjes së Berishës, nëse dilje të protestoje, mund të merrje plumbin në ball apo të dhunoheshe.
“Ne duhet të kemi një memorie shumë të mirë. Sot ata po protestojnë në mënyrë të drejtë e paqësore. Pavarësisht se në këto protesta ka edhe individë që duan të përfitojnë. Dhe këto lloj përfitimesh që duan të kenë janë kryesisht të paguara sipas klaneve të tyre. Dhe për mendimin tim këta duhet t’i distancojnë edhe vetë protestuesit atje. Por duhet të kuptojmë edhe njëherë që ka ikur koha në shesh kur protestoje të vihej plumbi në ball. Ka ikur koha kur ti dhunoheshe. Ka ikur koha kur ti nuk dëgjoheshe. Pra ti sot ke përballë një qeverisje me të gjithë të mirat dhe të kqijat e saj”, tha mes të tjerash Muharremi.
Nga ana tjetër, avokati Karaj tha se protestat që po zhvillohej në Tiranë janë më të mëdhatë që ka pasur Shqipëria që nga viti 1990.
Karaj shtoi se qytetarët kanë dalë në protestë, për shkak të keq-qeverisjes së vendit nga PS dhe kryeministri Rama.
“Kjo për mua ka qenë protesta më e madhe dhe më e mirë që ka pasur Shqipëria nga 1990 e deri më sot. Cilido që mundohet ta bëjë pis atë, gabohet. Këto protesta nuk i ka bërë as PS dhe as PD. Unë nuk kam shkuar në asnjë protestë të PD-së në 4-5 vitet e fundit. Te kjo protestë kam shkuar. Nuk kam dashur të marr protagonizmin, sepse dua që protagonizmin ta kenë njerëzit. Tani t’u duk normale që një grua del e prish flamurin e Izraelit atje? Ajo mund të jetë e shkarë nga trutë e kokës. Ajo nuk përfaqëson gjithë protestën. Rama mund të rrijë deri në vitin 2041 sipas llogarisë time. Sepse ai ka zgjedhur kë ka përballë. Ka zgjedhur 82-vjeçarin dhe jo 40-vjeçarin. Sot ke 50 mijë dosje stok nëpër gjykata”, tha mes të tjerash Karaj.
Komente









