Programi utopik i protestës së përnatshme bulevardore, herë i paraqitur në formë kërkesash nga lexues të ndryshëm në mikrofon dhe herë i paraqitur si platformë në rrjete sociale, nuk ka asnjë shans realizimi për sa kohë i gjithë bulevardi nuk mbushet plot me protestues 24 orë çdo ditë.
Po sa protestues mund ta mbushin të gjithë bulevardin nga kreu në fund?
Ja ç’na tregon aplikacioni CalcMaps (shihni më poshtë foton gjeodezike) për sipërfaqen e gjithë bulevardit (megjithë trotuaret), duke filluar nga Universiteti e deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut: Është gjithsej 41,237 metra katrorë.
Sikur ajo sipërfaqe të mbushet (që nuk po mbushet) me protestues në dendësi mesatare normale protestash prej 2 personash për metër katror, i bie që të mblidhen rreth 83 mijë protestues, e të mos shkulen prej andej. (Imagjinoni 2 persona të ngujuar për orë të tëra në një ashensor të vogël nga ata një-metër-katrorëshit)
Por në realitet, turma protestuese më e madhe deri më sot (ajo e datës 20 qershor) shtrihej vetëm nga Kryeministria deri te Galeria e Arteve – e jo nga Universiteti deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut. Për më tepër, ajo turmë u shpërnda kur ra nata, dhe në mbrëmjet pasardhëse ka ardhur duke u zvogëluar, e jo duke u rritur…
Sidoqoftë, edhe pse programi utopik i protestës së përditshme bulevardore nuk ka gjasa të realizohet, një objektiv politik organiztorët e saj mund ta arrijnë: Mund të nxjerrin një kandidat konkurrues përballë kandidatëve për kryebashkiakë të dy partive të mëdha.
Më 2023, vetëm 302 mijë zgjedhës tiranas morën pjesë në zgjedhjet bashkiake, nga rreth 500 mijë me banim këtu. Në ato zgjedhje, Qori, që u fut në garë si kandidat që do tërhiqte votuesit e zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, mori vetëm 14 mijë vota…
Ndërsa një kadidat i dalë nga protesta aktuale mund të tërheqë vota nga ata tiranas që nuk kanë votuar fare. Duke e kthyer kështu për herë të parë garën për bashkinë e Tiranës në një garë treshe - mes dy kandidatëve të partive të mëdha dhe kandidatit të protestës.
Komente







