Kur caktoi drejtuesit politikë nëpër qarqe, Rama deklaroi se, me pjesëmarrjen për herë të parë në zgjedhje edhe të emigrantëve, PS-ja e vetme duhet të shkojë deri tek 1 milion votat (krahasuar me 800 mijë votat e këtushme që ka marrë zakonisht së bashku me parti të vogla aleate). Gjithashtu, ai ka deklaruar se PS-ja e ka mundësinë të sigurojë të paktën 84 mandate në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Nga sondazhet e qarqeve që prezantova parmbrëmë në Report TV rezultoi që, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar para Krishtlindjes, PS-ja do të kishte siguruar e vetme 80 mandate. Ndërsa nga një ekstrapolim i përafërt i përqindjeve në qarqe, rezultonte se për PS-në ishin gati të votonin rreth 1 milion zgjedhës – rreth 700 mijë këtu dhe rreth 300 mijë nga jashtë.
Megjithëse në pamje të parë duket sikur objektivi i 1 milion votave është arritur qysh sot, ai është më i vështiri për t’u materializuar më 11 maj (krahasuar me objektivin e 84 mandateve).
Dhe ja përse:Teksa mundësia është e madhe që votat e këtushme të shtohen me nxehjen e fushatës (mund të shkojnë nga rreth 700 mijë sot për PS-në, në rreth 800 mijë më 11 maj), materializimin e votave të emigrantëve nga e thëna në të bërë e ndan një det i tërë…
Kështu, dikush në emigracion mund përgjigjet sot në sondazh se do të votjë për PS-në, por që ta bëjë vërtet këtë gjë duhet fillimisht të regjistrohet në aplikacionin elektronik të KQZ-së, pastaj të marrë prej saj fletën e votimit, ta plotësojë dhe të shkojë në postë që ta postojë. Nuk është njësoj si të dalësh në mëngjes nga shtëpia këtu ditën e zgjedhjeve, dhe të shkosh tek shkolla e lagjes për të votuar…
Me pak fjalë, 1 milion votat gjithsej për PS-në më 11 maj duken një objektiv i vështirë.
Sa i përket mandateve, edhe pse sot PS-ja ka vetëm 80 mandate (sipas sondazheve të sipërpërmendura në qarqe), mundësia për të arritur 84 mandate në 11 maj është e madhe. Arsyeja pse PS-ja nuk i arrin qysh sot 84 mandatet është se partitë e reja dalin me 12 mandate gjithsej në sondazhet në qarqe. Por historia elektorale na tregon se partive të reja u firojnë votat kur vjen dita e zgjedhjeve. Dhe mandatet hipotetike që u dalin atyre në sondazhe në muajt para zgjedhjeve thjesht mund të firojnë, duke u shkuar kështu dy partive të mëdha në ditën e zgjedhjeve…