Edukata Seksuale: Fëmijët
mësojnë ende përralla

TIRANE - Seksualiteti është ende një tabu për librat tanë shkollorë. Deri në klasën e gjashtë nxënësit mësojnë plot gjëra për ndryshimet klimaterike, autoritetet qeverisëse, por nuk mësojnë thuajse asgjë për seksualitetin, ndryshimet midis një femre dhe një mashkulli, ndërsa për fenomene të tilla si pedofilia apo ngacmimet seksuale as që bëhet fjalë të jenë futur edhe në tekstet e gjimnazit.

Nxënësve në vendin tonë, ende u tregohet përralla e prejardhjes së fëmijës nga lakra dhe jo cikli i vërtetë i riprodhimit të njeriut. Madje nxënësve nuk u mësohet as nga se ndryshon fizikisht një vajzë nga një djalë. Madje edhe ato orë që janë parashikuar për sistemin e riprodhimit, nuk zhvillohet ashtu siç duhet”. Kështu na thonë autorët e teksteve të Diturisë Natyre dhe Edukatës Shoqërore teksa i pyesim për njohuritë seksuale që librat të cilët ata kanë hartuar u serviren nxënësve të shkollës.

Sipas tyre, kjo sepse për një pjesë të madhe të prindërve, por edhe të mësuesve është absurde që fëmijëve t’u futen në kokë gjëra të tilla. Siç do ta shikojmë edhe më poshtë, nga programet që ka miratuar vetë ministria e Arsimit dhe Shkencës, që përcakton edhe njohuritë që do të mësohen në çdo klasë dhe çdo lëndë, në asnjë prej teksteve tona shkollore, nuk u flitet nxënësve, për ngacmimet seksuale, pedofilinë, apo fenomene të tjera që t’i edukojnë fëmijët të jenë më të kujdesshëm.

Deri në përfundim të klasës së nëntë, që i bie të jenë 15 vjeç, autoritet arsimore janë mjaftuar vetëm me sistemin e riprodhimit dhe vetëm në vitin e parë të shkollës së mesme, janë parashikuar disa orë mësimi mbi seksualitetin dhe seksin, por pa prekur fare terma të tillë si pedofilia apo ngacmimet seksuale.

Nga një analizë që u bëmë programeve që ka hartuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës për lëndën e Diturisë Natyre lëndë e cila tashmë jep njohuritë edhe mbi ndryshimet e trupit të njeriut, vetëm në tekstin e klasës së tretë, ka një kapitull “Njeriu dhe shëndeti” me rreth 18 tema dhe është vetëm 1 temë “Njeriu lind dhe rritet”, ku shpjegohet ç’është puberteti.

Konkretisht shpjegimi për të është: Puberteti: “pas kalimit të fazës së fëmijërisë, fëmija vazhdon të rritet me shpejtësi. Si për vajzat, edhe për djemtë, trupi i fëmijës fillon të ndryshojë. Nga mosha 13 vjeç, zëri i djemve fillon të bëhet më i thellë, kraharori zmadhohet. Muskujt forcohen e zmadhohen. Ndërsa te vajzat, rreth moshës 10, 11, 12 vjeç zhvillohet gjoksi dhe ndryshon pak zëri. Gjithashtu, trupi pëson ndryshime edhe nga brenda, që lejojnë që vajzat të bëhen nëna kur të rriten dhe djemtë të bëhen baballarë”.

Më pas vijohet me një tjetër shpjegim për rininë: Rinia “Trupi i njeriut rritet deri në moshën 18-20 vjeç. Por, njeriu gjatë gjithë jetës vazhdon të mësojë gjëra të reja”. Kaq është ajo që mësojnë nxënësit për ndryshimet thelbësore të trupit të tyre, nga fëmijë në i rritur, ndërsa temat e tjera janë të fokusuara tek funksionimi i aparatit tretës, frymëmarrjes, apo ushqimet që konsumojmë.

PAK ORË MËSIM, PËR 60 VJET JETË

Ndërkohë që në tekstet e “DITURI NATYRE”, KLASA 4 DHE 5, nuk kanë në program asgjë për rritjen dhe ndryshimet në trupit e njeriut.

Ndërkohë që në klasën e 6-të në lëndën “BIOLOGJI DHE EDUKIM SHËNDETËSOR” nuk ka asgjë të parashikuar për këtë gjë, ndërsa në tekstin e Diturisë Natyre nga 70 orë që parashikohen gjatë një viti shkollor, vetëm 2 orë janë lënë në dispozicion të nxënësve për të mësuar të përshkruajnë katër fazat e ciklit të jetës te njeriu fëmijëria, adoleshenca, pjekuria, pleqëria; për të mësuar se përse puberteti është i ndryshëm nga adoleshenca; të përshkruajnë ndryshimet te djemtë dhe vajzat në adoleshencë; të diskutojnë faktorët që ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin te njeriu.

Ndërsa në tekstin e Biologjisë së klasës së shtatë
(http://www.izha.edu.al/programet/klasa7/0.8%20%20%20Biologjia%20%20%207%20(RE).pdf)

ka një kapitull të veçantë për riprodhimin e njeriut, ku nxënësit mësojnë se çfarë është pjekuria seksuale, shtatzania, mësojnë për lindjen dhe zhvillimin e embrionit; për veçoritë e pubertetit; mësojnë për abortin dhe për metodat më të përdorshme të kontraceptimit si dhe si parandalohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Në klasën e tetë (shiko programin te linku http://www.izha.edu.al/programet/klasa8/Biologjia%20dhe%20Edukimi%20shendetesor%208.pdf), ka një kapitull prej 10 orësh kushtuar AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, Në klasën e 9-të nuk bëhet asgjë e kësaj natyre. Dhe vetëm kur shkojnë në vitin e parë të shkollës së mesme, nxënësit mund të mësojnë nëpërmjet teksteve shkollore diçka më të zgjeruar mbi seksualitetin.

Në vitin I-rë të shkollës së mesme zhvillohet një lëndë që quhet “Aftësimi për jetën”, ku një cikël temash prej 6 orësh ku nxënësi mësohet të “dallojë seksualitetin nga seksi, (seksualiteti si pjesë erëndësishme e njeriut përfshin të gjitha ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e një gruaje ose burri, të qenit tërheqës dhe i dashuruar, si dhe të qenit në një marrëdhënie që përfshin afërsi seksuale dhe aktivitet fizik dhe seksual); të përshkruajë zhvillimin seksual gjatë cikleve të ndryshme të jetës; të vlerësojë presionet e brendshme dhe të jashtme përt’u bërë seksualisht aktiv dhe të demonstrojë strategji për t’u rezistuar presioneve” – thuhet në programin orientues të Ministrisë së Arsimit (Shiko programinhttp://www.izha.edu.al/programet/klasa10/berthame/ 5.1%20Programi%20i%20lendes%20Aftesimi% 20per%20jeten.pdf).

Në klasën 11 zhvillohet lënda e Psikologjisë, ku ka një kapitull “Zhvillimi njerëzor” dhe në temën “Adoleshenca”, puberteti trajtohet në këtë mënyrë: “Përkufizohet si një periudhë maturimi e fuqishme trupore dhe seksuale që në shumicën e rasteve ndodh në adoleshencën e hershme. Ky ndryshim përbën kalimin në vajzëri ose djalëri. Si rezultat i këtij procesi organet seksuale rriten dhe zhvillohen, trupi bëhet i aftë për t’u riprodhuar”, ndërsa më pas trajtohet në aspektin psikologjik.

Ndërkohë që në lëndën e Edukatës shqoqërore nga klasa e parë në të pestë kapitujt që trajtohen janë të njëjtë, rimerren njohuritë: Individët, grupet, shoqëria; Njerëz, vende, mjedise; Të drejtat dhe detyrat; Pushteti, autoriteti, qeverisja; Prodhimi dhe shpërndarja; Rruga. Ndërsa në këtë lëndë nga klasa e gjatë deri në të nëntën futen konceptet e qeverisjes, pushtetit ekzekutiv dhe atij qendror etj.

Ndërkohë që vetë autorët e teksteve shprehen se akoma në vendin tonë, fëmijëve u tregohen përralla, por ka ardhur koha që ata të edukohen edhe për fenomene të tilla, gjithnjë e më shumë të pranishme në jetën tonë, ndaj tekstet duhet të përfshijnë edhe njohuri të tilla, duke e zgjedhur me kujdes gjuhën e përdorur.

NGACMIMET SEKSUALE

Manual për “Sekrete të këqija”

Por nësë Ministria e Arsimit nuk ka përfshirë asnjë rrjesht në tekstet shkollore të miratuar perej saj, shtëpitë botuese kanë përshtatur dhe sjellë në shqip mjaft metoda që flasin për fenomene të tilla, por me gjuhën e fëmijëve. Kështu “Të flasim hapur me fëmijët tanë”, është një metodë spanjolle, e përshtatshme për moshën 4-5 dhe 6 vjeç.

E sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Albas”, ajo prek edhe tema të tilla del;ikate si ngacmimet seksuale tejk të vegjëlit duke i quajtur “Sekrete të këqija”. Ku u shpjegohet fqëmijëve se ka ndrsyhe nga seksretet e mira: si psh: Festa surprizë e motrës apo sekretet mes shokëve, ka edhe sekrete të këqia që duhet tua tregojnë njerëzve tek të cilët ata kanë besim.

Manuali u mëson fëmijëve se një nga këto sekrete të këqija, është kur dikush i prek në vende që ata nuk duan, dhe ky nuk është një sekret i mirë, por një sekret i keq që duhet t’ia tregojnë patjetër dikujt. Ky manual i licencuar në Spanjë, në vendin tonë ende nuk ka gjetur përdorim, pasi nga vetë prindërit, por edhe nga edukatorët dhe mësuesit duket si i parakoshëm për tua servirur të vegjëlve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja .com (print) 26.03.2013

Redaskia Onlone
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U ekzektua në Novoselë, Kristjan Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më Rrëshen

U ekzektua në Novoselë, Kristjan Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më Rrëshen