Nëse flasim për futbollin në Evropë patjetër që duhet të kalojmë edhe te shifrat e majme që UEFA akordon për klubet pjesëmarrëse në kompeticionet e saj. Kampionët e Shqipërisë, Egnatia, u eliminuan të martën nga turi i dytë kualifikues i Champions League, por do të vijojnë garën në turin e tretë të Europa League (kundër Shamrock Rovers), e mandej nëse eliminohen edhe këtu kanë siguruar një vend në play-off e Conference League.
Skuadra nga Rrogozhina ka siguruar tashmë 1.710.000 euro nga fondet e UEFA-s, pavarësisht rezultatit që do të ketë në dy përballjet e ardhshme evropiane. Kjo shumë përfshin 700.000 euro për pjesëmarrjen në katër raundet kualifikuese, 750.000 euro bonus për kalimin në fazën “play-off” dhe 260.000 euro si kampione e Shqipërisë.
Edhe në skenarin më negativ, ku Egnatia eliminohet fillimisht në raundin e tretë të Europa League dhe më pas në 'play-off-in' e Conference League, klubi do të arkëtojë plot 1.71 milionë euro.
Megjithatë, objektivi është shumë më ambicioz. Nëse kampionët e Shqipërisë arrijnë të sigurojnë një vend në fazën e ligës së Conference League, të ardhurat totale do të rriten në 3.870.000 euro.
Skenari ideal mbetet kualifikimi në fazën e ligës së Europa League. Në këtë rast, përfitimet financiare do të arrinin në 4.330.000 euro, një shifër rekord që do ta vendoste Egnatian mes klubeve shqiptare me fitimet më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga pjesëmarrja në kompeticionet evropiane.
Komente








