Jemi bombarduar së fundi me rreze të mangëta deklaratash të njëpasnjëshme – shpeshherë dhe kontradiktore – të të ashtuquajturit “skandal parlamentar”. Kemi parë sa e sa media të fokusohen në rangjet më të larta pushtetare mbi atë, që u parapri në fillim si “tronditja e themeleve të mazhorancës”.

Ajo që u trondit, së thelli, e në mënyrë të vazhdueshme, ishte vetëm hamendësimi i opinionit publik, siç jemi mësuar shpesh të bëjmë, duke u fokusuar në fasada jo tonat, kur në thelb akuzuesit, të akuzuarit, mohuesit e të tjerë të përfshirë në këtë çorbë, hanë e pinë, siç kanë ngrënë e kanë pirë më parë, në tavolinat e interesave ekonomike personale.

Tradita politike është e mbushur me “Nano IK”, tani me “Meta IK”; e nëse kjo e dyta do të përfundojë si e para, do t’u hapej rrugë Bamërve të tjerë, që të bënin prononcime të regjistruara, për të krijuar IK-je për secilindo rang, nga kushdo deputet. Mbase dhe po i biem në qafë, por fjalët e tija - të regjistruara, të firmosura e me vulë qofshin – nuk përbëjnë fakt në një proces të rregullt, pa u lidhur drejtpërsëdrejti me qoftë edhe një prove të vetme që implikon kryetarin e Parlamentit.

Nuk e di nëse janë të vërteta pretendimet, mbi të cilat ngul këmbë Doshi; nuk mund të them nëse ai është i sëmurë nga një vrasje e presupozuar, siç ishte dhe Makbethi i Shekspirit, apo e kanë mashtruar për ta tallur, vjedhur a për përfitime të tërthorta elektorale; por di të them se – sado që filtrimi i sistemit gjyqësor nuk është prekur ende nga Rilindja – duhet të presim ende një vendim të formës së prerë, ashtu siç edhe do të bënte një vend i demokratizuar.

Jemi mësuar me deputetë që vriten apo presupozohet se janë vrarë “nga shteti”, e me faktin që porositësit nuk gjenden; tani nuk na mungojnë as autorë që nuk vrasin apo aktorë që, të frymëzuar nga Sinanaj, duan të bëhen të njohur (ka zëra: dhe të paguar!) si rasti i atij djalit nga Lezha që, sidoqoftë, nuk e kishte ndërmend të hidhej nga pallati, por vetëm sa ishte i fiksuar … “të bëhej i famshëm”!

Dhe duket se ai djalë për diçka kishte të drejtë: na mësoi se njerëzit me një intrigë vdekjeje të lënë përgjysmë janë gati të të japin gjithë vëmendjen e duhur, janë gati të të nxjerrin nëpër gazeta, në emisione televizive, të të përmendin në stacionet radiofonike dhe të të përflasin gjatë gjithë ditës nëpër kafetë –fatkeqësisht, të mbushura plot që në orët e para të ditës.

Vetëm diçka bëri gabim ai djalë, nuk nguli këmbë në të vetën, nuk e përsëriti vazhdueshëm versionin e parë të një vetëvrasjeje reale, që do ta çonte deri në fund, kështu do ishte kthyer në hero.
Ç’e do! E zbuloi menjëherë pjesën prapa Hënës, pa lënë asgjë të vërtitej në mendjen e publikut, që vdes për implikime e supozime.

Kush e di, sot mund t’a kishin implikuar si të dërguar nga Saliu, Basha apo dhe nga vetë Rama, për një destabilizim të vendit; për një temë, që mund të mbante në gjirin e saj më shumë se sa një tezë të vetme, ku të vërtetat, edhe pse kontradiktore, të mund të qëndronin pa e mohuar përjashtimisht të vërtetën, të besuar a të stisur, të politikanëve, gazetarëve, opinionistëve, analistëve, ndërgjegjes publike, popullit mbarë…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)