Sanksionet perëndimore kundër Rusisë për rolin e saj në krizën ukrainase rrezikojnë të kenë një ndikim ekonomik në vendet e tjera të rajonit, paralajmëroi sot FMN.

"Në nivel rajonal do të ketë padyshim një ndikim veçanërisht në sektorin e tregtisë", deklaroi William Murray, një zëdhënës i Fondit Monetar Ndërkombëtar në një konferencë shtypi.

Evropianët do të vendosin sot të zgjerojnë ose jo regjimin e sanksioneve kundër Moskës për përfshirjen e saj në krizën në Ukrainë dhe pas rrëzimit të avionit malajzian MH17. Sektori i mbrojtjes do të jetë gjithashtu i prekur.

SHBA ka zgjeruar tashmë arsenalin e saj të sanksioneve në mes të muajit korrik duke prekur sektorët kyç të ekonomisë ruse si gjiganti i naftës "Rosneft" dhe bankën e gjigantit rus të gazit Gazprom, "Gazprombank".

Duke siguruar se ndikimi i tyre po shqyrtohej, këto sanksione mund të ndikojnë në vendet e rajonit që kanë lidhje tregtare shumë aktive dhe shumë të drejtëpërdrejta me Rusinë, veçanërisht në Evropën qendrore dhe lindore dhe në Azinë qendrore", theksoi zëdhënësi i FMN-së pa dhënë shumë detaje./ATSH/