Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, i ftoi Ambasadorët e huaj të promovojnë Shqipërinë si destinacion investimesh për sipërmarrjet e shteteve të tyre. Në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve 2016, Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi prezantimin për Zonat Teknologjike dhe Zhvillimit Ekonomik të Spitallës dhe Koplikut. Ekonomi u prezantoi diplomatëve sektorët më të përshtatshëm për investime, duke e vënë theksin te zonat ekonomike.

''Është shumë e rëndësishme tu tregojmë se ne kemi vendosur sektorë prioritarë ku mund të vini dhe të bëni investime dhe ju i shikoni sektorët të vendosur aty, siç është ai energjetik, ai i transporteve, turizmit, bujqësia dhe peshkimi dhe për këtë arsye ne të zhvillojmë mundësinë që investimet të vijnë në disa zona që kanë përparësi zhvillimin e ekonomik dhe ne këto i kemi thirrur me një emër që i quajmë Teda. Tedat janë zona teknologjike të zhvillimit ekonomik'', u shpreh ministrja.

Gjatë prezantimit, Ekonomi theksoi se Shqipëria ka lënë tashmë krizën, ndërkohë që reformat ekonomike kanë dhënë rezultatet e tyre pozitive në përmirësimin e Klimës së sipërmarrjes.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com