Në Gjykatën e Posaçme ka dëshmuar Leonard Bashaliu, vëllai i Albi Bashaliut, në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut. Bashaliu u transportua nga burgu i Peqinit, ku po vuan dënimin për vrasjen e Ylber Xhahysës.
Në dëshminë e tij, ai tha se në momentin e vrasjes së të vëllait ndodhej në burgun e Elbasanit dhe lajmin e kishte mësuar nga televizioni.
"Vëllai im është vrarë më 27 dhjetor 2021. Unë kam qenë në burg, në IEVP Elbasan, kur ndodhi vrasja. E mora vesh nga televizioni që ishte vrarë Albi. Nuk kam qenë mirë nga ana psikologjike dhe nuk kërkova takim me askënd. Më erdhi të më takonte mamaja, por nuk folëm për ngjarjen", deklaroi ai.
Leonard Bashaliu konfirmoi gjithashtu se është autor i vrasjes së Ylber Xhahysës, krim për të cilin po vuan dënimin.
"Unë e kam vrarë Ylber Xhahysën. E kam pranuar krimin, kam shprehur pendesë dhe kam marrë dënimin", u shpreh ai.
I pyetur për vrasjen e të vëllait, Bashaliu tha se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë kryer krimin.
"Nuk kam ide se kush mund ta ketë vrarë vëllain tim. Nuk më ka ardhur asnjë sinjal se kush mund ta ketë vrarë", deklaroi ai para trupit gjykues.
Para trupit gjykues dëshmoi edhe kushëriri i viktimës, Sami Bashaliu, i cili rrëfeu momentet e atentatit.
Sipas tij, ngjarja ndodhi pranë lokalit të tij në fshatin Gjocaj të Peqinit.
"Ishte një makinë Audi e bardhë me xhama të errët dhe targa shqiptare. Gruaja më tha se makina kishte kohë që rrinte aty. U afrova, por nuk pashë njeri. Pas pak një person zbriti, iu afrua Albi Bashaliut dhe më pas u dëgjuan të shtënat. Personi ishte me maskë. Qëlloi dy ose tre herë. Djemtë që ishin ulur në lokal u trembën dhe u larguan. Në makinë ishin dy persona, por vetëm njëri qëlloi. Albi ra në tokë, ndërsa autorët më pas dogjën automjetin e viktimës", dëshmoi ai.
Sami Bashaliu tha se nuk e njihte autorin dhe nuk kishte dijeni për konfliktet e viktimës.
"Albi nuk vinte më shpesh te lokali ynë që kur iu vra vëllai. Nuk dija gjë për të kaluarën e tij. Për Albert Xhahysën u mor vesh në zonë se kishte vrarë vëllanë e Albit, por unë nuk di gjë", deklaroi dëshmitari.
Lajmi kryesor:
Vëllai i Fridman Xhaferrajt dëshmon në gjyqin ndaj Laert Haxhiut: Nuk e di kush e vrau, babai i Laertit më tha se djali i tij s'kishte lidhje










