Në Gjykatën e Posaçme ka dëshmuar Xhuliano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt, për vrasjen e të cilit akuzohet edhe Laert Haxhiu. Ai tregoi se në kohën kur u vra i vëllai ndodhej në burg dhe lajmin e mori vetëm pasi u lirua.

"Kur më kanë vrarë vëllain kam qenë në burg. Kur jam liruar kishte tre ditë që ishte vrarë. E kishin identifikuar viktimën, por nuk ishin të sigurt. Më morën në pyetje, verifikuan që isha në burg dhe pas disa orësh mësova se ishte vëllai im", dëshmoi ai.

Xhaferraj tha se pas lirimit shkoi në banesë, ku gjeti policinë duke kryer kontroll, ndërsa më pas u shoqërua në komisariat. Sipas tij, Fridmani i kishte thënë rreth 20 ditë para vrasjes se do të shkonte në Itali, por nuk i kishte treguar më shumë për lëvizjet e tij.

Dëshmitari rrëfeu edhe lëvizjet e vëllait tjetër të familjes, Aleksandrit, duke thënë se ai kishte qenë në Greqi dhe ishte ndihmuar nga disa persona për t'u larguar.

I pyetur për autorët e vrasjes së Fridman Xhaferrajt, Xhuliano deklaroi se nuk e di kush e ka kryer krimin.

"Nuk e di kush e vrau Fridmanin. Babai i Laertit, Qamili, më tha se djali i tij nuk kishte dorë dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Jemi takuar rreth një muaj pas vrasjes, pasi kemi tokat afër. E pyeta për çfarë flitej, që Laerti kishte dhënë urdhër për vrasjen, por ai më tha se djali i tij nuk kishte lidhje. Unë nuk kam qenë fare i përfshirë. Kur flisja me vëllain, ai më thoshte të shihja hallet e mia dhe familjen time", u shpreh dëshmitari.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim...