Burrë dhe grua. Këto janë 2 gjinitë e vetme që njeh Shqipëria. Komisioni i Ekonomisë miratoi me ndryshime projektligjin ‘Për Barazinë Gjinore’, duke pranuar amendimet e bëra nga PS, që hoqën terma si ‘gjithërfshirëse, përkatësi gjinore, diversitet gjinor’.

Këto terma shkaktuan debat të gjerë pasi krijuan paqartësi për njohjen e identiteteve të tjera gjinore.

“A nuk mendoni, a nuk mendoni që me këtë term gjinia e përkatësia e shumëfishtë, ju godisni konceptin jetik të shoqërisë njerëzore të dy gjinive, mashkull dhe femër, për të përfshirë dhe identitete të tjera. Krijohet një konfuzion dhe duket sikur ngatërrohet qëllimshëm gjinia me orientimin seksual, duke u futur kështu në disa koncepte që në fakt godasin themelet gjinore të shoqërisë dhe veçmas godasin shoqërinë tradicionale shqiptare”, tha deputeti i PD-së Bujar Leskaj.

“Projektligji me këto koncepte hap derën për një çështje e cila është shumë e nxehtë, është doktrinë, është qëndrim parimor dhe mbi të gjitha nuk mund t'i përcillet publikut shqiptar thjesht nëpërmjet propozimit të projektligji. Përkatësia gjinore është ajo që ne e dimë që është ajo që fjalori shqip përcakton”, tha Eno Bozdo.

Këtyre shqetësimeve zëvendësministrja e Shëndetësisë Denada Seferi, iu përgjigj me një shembull, që përsëri nuk bindi opozitën.

“Ky ligj për barazinë gjinore nuk përcakton gjini. Për sa i përket përkatësisë së shumëfishtë mund ta shpjegojmë më thjeshtë me konceptin e një gruaje e cila jeton në zonat rurale, e cila është një grua rome, e cila është një grua me aftësi të kufizuara dhe ka problemet e saja ekonomike. Pra kjo është përkatësia e shumëfishtë, kjo është gjithëpërfshirja dhe ky është kuptim i gjithëpërfshirës i një gruaje e cila ka disa në diversitetin e saj ka këto problematika dhe këto problematika janë të shumfishta dhe të mbivendosura me njëra-tjetrën”, tha zëvendësministrja Seferi.

“Kjo është një grua që ka probleme ekonomike dhe sociale, por nuk ka përkatësi të shumëfishtë. Jemi duke folur për gjini. Ju keni hapur derën për fluiditet, për gjininë, për konstrukt social, për një gjini që individi e deklaron sipas dëshirës. Kjo është dera këtu. Përkatësia e shumëfishtë do të thotë unë jam biologjikisht mashkull për të gjithë ata që na ndjekin, po deklarohem femër. Ndoshta do na vijë një projektligji tjetër ku mos deklarohet më as femër, por deklarohet mace, deklarohet kafshë, deklarohet tigër, elefant, nuk e di çfarë”, thotë Bozdo.

Drafti i fillestar u kundërshtua nga shoqëria civile, nga opozita, por mbi të gjitha komunitetet fetare, të cilit akuzonin se ky draft cenonte konceptin e familjes.