Të gjithë qytetarët që do të rivlerësojnë pronat do të kenë tatim 5%. Edhe pse u kërkua në komisionin e Ekonomisë si nga PS edhe PD që të ulej norma tatimore për qytetarët të mos ishte e njëjtë me bizneset, amendimet nuk u pranuan.

Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi që rivlerësimi të jetë 3% për qytetarët, por Ministria e Financave i qëndroi variantit të parë.

“Në të gjitha rastet kemi ndarë qytetarët nga bizneset. 5% tatim për zonat rezidenciale, dhe 3% tatim për pasuritë e paluajtshme në zonat rezidenciale. Duhet të shtohen edhe të gjithë ato prona që janë në proces regjistrimi dhe proces legalizimi”, tha Braçe.

“I qëndrojmë propozimit me Këshillin e Ministrave”, zv. ministri i financave Endrit Yzeiraj.

“Nuk ka qenë asnjëherë tatimi njësoj për të gjitha kategoritë për qytetarët dhe biznese. Duhet të jetë 3% për qytetarët. Ka prona 35 vjet në proces legalizimi, pse bëhemi të padrejtë” tha Braçe.

“Kemi një udhëzim në fuqi që njeh 1% për ccdo vit përdorimi, që defakto e ulë normën efektive e tatimit”, u përgjigj drejtoresha e Politikave Fiskale Arjana Dyrmyshi.

Prej janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.

Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.