Banka e Shqipërisë ka prezantuar draftin e parë të ashtuquajturës 'Taksonomia e Gjelbër', një dokument që synon të drejtojë paratë drejt projekteve që ndihmojnë mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ky, sipas Zëvendësguvernatores së dytë të Bankës, Natasha Ahmetaj, është një hap konkret për ta bërë më të qartë se ku duhet të shkojnë investimet në të ardhmen, sidomos në sektorë që ndikojnë te klima dhe ekonomia.
Nisma po bëhet në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve, ndërsa drafti u prezantua në një takim me përfaqësues nga qeveria, bankat, biznesi dhe organizatat mjedisore.
Taksonomia e Gjelbër është një sistem klasifikimi që përcakton se cilat aktivitete ekonomike mund të konsiderohen “të qëndrueshme nga perspektiva mjedisore”.
Ajo synon të rrisë transparencën në tregun financiar, të orientojë kapitalin drejt aktiviteteve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe të kontribuojë në forcimin e stabilitetit financiar
Në fjalën e saj në hapje të aktivitetit, Ahmetaj tha se ky dokument do të ndihmojë që investimet të shkojnë aty ku duhet, të orientojë kapitalin drejt aktiviteteve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm duke rritur transparencën dhe duke forcuar stabilitetin financiar në një periudhë afatgjatë..
Sipas saj, ky proces lidhet drejtpërdrejt me forcimin e stabilitetit financiar dhe përmbushjen e objektivave për klimën dhe mjedisin, në përputhje edhe me Marrëveshjen e Parisit.
Ahmetaj theksoi se ëorkshop-i shërben si një platformë konsultimi, ku të gjitha palët mund të japin komente konkrete për ta bërë dokumentin sa më të zbatueshëm në praktikë.
Diskutimet u zhvilluan në dy sesione: në të parin morën pjesë institucione si Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, ajo e Mjedisit dhe institucione të tjera, ndërsa në të dytin u përfshinë bankat, bizneset e mëdha dhe organizatat mjedisore.
Gjatë takimit u prezantuan edhe kriteret teknike që do të përdoren për të klasifikuar aktivitetet ekonomike, si dhe nevoja për t’i përshtatur ato me realitetin shqiptar.
Qëllimi fundor i këtij takimi është finalizimi i dokumentit dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes institucioneve, për ta vënë në zbatim Taksonominë e Gjelbër.
Komente










