EKSKLUZIVE- OFL zbulon 21 prona të Lulzim Berishës, 2 pallate në Qerret, 'financues' i kamufluar pas kushëririt shitës betoni! BMW e blinduar, toka dhe biznese /LISTA

TIRANE - Operacioni "Forca e Ligjit' ka zbuluar pasuri e prona në vlera miliona euro, të Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë edhe në emër të familjarëve të tij dhe personave të tretë të cilët dyshohet se mund të mos i justifikojnë ato pasuri me burime të ligjshme. 

Sipas një dokumenti ekskluziv që Report Tv siguron, OFL ka dërguar në Prokurorinë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) materialet dhe ka kërkuar sekuestrimin e 21 pronave të Lulzim Berishës, 4 prej të cilave të sekuestruara në procese të tjera gjyqësore. 

Nga lista e pronave që OFL ka zbuluar se pas tyre mund të kenë Lulzim Berishën edhe pse të regjistruara zyrtarisht janë në emra të personave të tjerë, dy janë pallate në zonën mjaft të preferuar bregdetare të Qerretit në Durrës, konsideruar "parajsa bregdetare e të pasurve", sipërfaqe të mëdha tokash, trualli, arash e ullishtesh, disa në emër të Lulzim Berishës, një pjesë e konsiderueshme në emër të motrës së tij Luljeta Berisha, por edhe të afërmve të tjerë. Po ashtu, Lulzim Berisha ka edhe një automjet tip BMW të blinduar të vitit të prodhimit 2010, një biznes bar kafe dhe 40% të aksioneve në një kompani për tregtimin brenda dhe jashtë vendit të hidrokarbureve, për të cilat gjithashtu kërkohet sekuestro.

Veprimet e Operacionit Forca e Ligjit kanë ardhur pas një sërë verifikimesh që kjo strukturë ka kryer edhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese. Dhe informacioni mjaft interesant që OFL ka zbuluar është se Lulzim Berisha fshihet pas ndërtimit të dy pallateve në zonën e Qerrretit në Durrës, të cilat edhe pse me letra rezultojnë të jenë të një ndërtuesi, A.Hyseni, sipas OFL-së kanë financues Lulzim Berishën. Në këtë dokument ekskluziv që Report Tv siguron, thuhet se sipas informacioneve të mbledhura, Lulzim Berisha, është "kamufluar nëpërmjet djalit të tezes, E.D i cili ka aktivitet për shitjen e betonit po në Qerret, ku janë ndërtuar dy pallatet shumë pranë vijës bregdetare pranë Portit të Jahteve"

"Sipas informacioneve të ardhura nga agjenci të tjera ligjzbatuese rezulton se në vitin 2017 në zonën e Qerretit, Durrës, pranë vijës bregdetare janë ndërtuar dy pallate njëri pranë Portit të Jahteve dhe tjetri rreth 100 metra në distancë nga i pari, përballë pallateve të ndërtuara nga shtetasi A.H. Raportohet se si investitor ndërtimi i këtyre pallateve, Berisha është kamufluar nëpërmjet djalit të tezes, shtetasit E.D, i cili ushtron aktivitetin ekonomik në fushën e shitjes së betonit si dhe të gastronomisë, po në Qerret, ku janë ndërtuar këto dy pallate", thuhet në dokumentin ekskluziv që OFL i ka dërguar SPAK-ut.

Pasurite e zbuluara nga OFL

-Pasuria në zonën kadastrale 8514, lloji pasuri truall me sipërfaqe 6660.50 m2, regjistruar në emër të shtetases Luljeta Berisha.
-Pasuri në zonën kadastrale 8514 me sipërfaqe totale 22940 m2 regjistruar në emër të shtetases Luljeta Berisha.
-Pasuri në zonën kadastrale 8514, ndërtesë me sipërfaqe totale 1997.50 m2 regjistruar në emër të Luljeta Berishës
-Pasuri në zonën kadastrale 8514, ndërtesë me sipërfaqe totale 2263 m2 regjistruar në emër të Luljeta Berishës
-Pasuri në zonën kadastrale 8514, ndërtesë me sipërfaqe totale 52 m2 regjistruar në emër të Luljeta Berishës.
-Pasuria në zonë kadastrale 8515 trupa me sipërfaqe 200 m2, ndërtesë me sipërfaqe 168 m2, regjistruar në emër të Luljeta Berishës.
-Truall me sipërfaqe 175 m2 dhe 55m2 ndërtesë, regjistruar në emër të A.A dhe shtetases R.A. 
-Ullishte me sipërfaqe 6000 m2 e cila ka kaluar në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara (Lulzim Berisha)
-Ullishte me sipërfaqe 9000 m2 e cila ka kaluar në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara (Lulzim Berisha)
-Arë me sipërfaqe 4000 m2 e cila ka kaluar në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe konfiskuar (Lulzim Berisha)
-Arë me sipërfaqe 2250 m2 në pronësi të Adem Berisha.
-Një ullishte me sipërfaqe 1500 m2 e cila ka kaluar në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara (V. Berisha)
-Ka një aktivitet si person fizik në emrin Lulzim Berisha në lagjen numër 4 Rruga "Skënderbej", pasuria nr 4/20, zona kadastrale 8514.
-Është aksioner në shoqërinë "Rajan 2007" me objekt tregtimi brenda dhe jashtë vendit të hidrokarbureve, naftës, gazit etj, me 40% të aksioneve
-Posedon një automjet autoveturë BMW të blinduar prodhim i vitti 2010
-Llogari bankare në një bankë në Fushë-Krujë për subjektin "Bar kafe". 

Sipas aktit normativ, kontrollohet pasuria e vendosur në mënyrë të paligjshme jo vetëm te i dyshuari kryesor, i dënuar me vendim të formës së prerë apo në hetim, por edhe te familjarët e tyre (nga bashkëshortët, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëjetuesit për periudhën e 5 viteve të fundit).

Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit, Operacioni "Forca e Ligjit" ditë më parë i dorëzoi kërkesën për të dorëzuar një auto-deklaratë të pasurive të tij. Por nga përgjigjja që Berisha i ktheu OFL-së, kishte deklaruar vetëm një "një bar kafe, të cilin e ka me qira që prej 5 janarit 2018, dy autoboteve që furnizon me karburant anijet në port, një makinë tip BMW të blerë 1 milion lekë të reja në 2019 dhe zotërimin e 40 % të aksioneve në kompaninë REJAN, të cilën e ka në bashkëpronësi me motrën e tij Luljeta Berisha dhe Enkejleda Shoshi, e cila merret me furnizimin me karburant të anijeve të peshkimit.

Në formularin e dorëzuar, Lulzim Berisha cilësonte se këto pasuri i ka të ligjshme dhe me dokumentacion përkatës.

Dokumenti i OFL me pronat e Lulzim Berishës


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Voda: OFL sekuestron 20 prona me vlerë miliona euro të Lulzim Berishës (VIDEO)


G.M./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Art, kulturë dhe spektakël/ Krishtlindjet në

Art, kulturë dhe spektakël/ Krishtlindjet në "Oborri Shkodran", 'Grinchmas" në sheshin “Skënderbej” sjell muzikën më të mirë elektronike