Takimi është fiksuar brenda tre incizimeve zanore. Inçizimi i parë, ose pjesa e parë e këtij takimi përmban çastet e hyrjes në mbledhje, batutat që Ramiz Alia shkëmben me të pranishmit ndërsa i takon, dhe një fjalë hyrëse tepër të gjatë të tij, plot 1 orë e 4 minuta. Pasi bëhet një pushim i shkurtër, Ramiz Alia i fton të pranishmit që të bëjnë pyetje e të diskutojnë rreth problemeve shqetësuese që i kishte prekur edhe ai në fjalën e tij hyrëse.
Diskutanti i parë në këtë takim ishte skulptori Muntaz Dhrami, i cili pasi ka folur për dy-tre çështje që lidheshin me ndryshimet ekonomike dhe ndryshimin pagave, ka meritën pasi ka folur një çështje tepër të guximshme.
Duke përmendur se kishte shumë mungesa në fushën e informacionit, Dhrami ka thënë se ishte përhapur një thashethemnajë sikur në Malin me Gropa kishte varre masive. Edhe pse çështja trajtohet si thashethemnajë, diskutimi që ngjall është mjaft domethënës dhe shkakton nota nervozizmi tek kreu i pushtetit Ramiz Alia. Pas këtij momenti, problemi i mungesës së informacionit trajtohet edhe nga pjesmarrës të tjerë, duke përfshirë çështjet e nxehta të ambasadave, trazirat në Kavajë apo ato të janarit 1990 në Shkodër.
Pjesa e dytë e takimit, apo incizimi i dytë i cili zgjat 1 orë e 48 minuta, përmban pjesën më interesante të diskutimeve dhe pikërisht ato që lidheshin me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ligjin e zgjedhjeve që preket nga shkrimtari Ismail Kadare, dhe pluralizmin, të cilin e ndajnë me ngulm si Ramiz Alia ashtu edhe disa prej diskutantëve dy drejtime që s’duheshin ngatërruar kurrsesi me njëri-tjetrin: pluralizmi i mendimit dhe pluralizmi partiak.
Diskutantët që përfshihen në këtë pjesë janë përveç Ramiz Alisë (i cili ndërhyn me kujdes sa herë sheh që pjesëmarrësit marrin guximin të thonë gjëra që nuk i pëlqejnë) Luan Omari, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Sali Berisha, etj. Pjesa e dytë e incizimit mbyllet me “vendimin” për të mos e zënë me gojë pluralizmin partiak, i cili nënkuptonte përmbysjen e pushtetit dhe sipas Ramiz Alisë edhe humbjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
I vetmi pjesëmarrës që kërkon ta çojë pak më tej diskutimin për pluralizmin partik është shkrimtari Ismail Kadare. Deri më sot e shkëputur nga konteksti ndërhyrja e tij është komentuar si e pakuptimtë.
Por kjo pasi takimi është prerë e shkurtuar në forma nga më të çuditshmet (s’dihet për ç’shkaqe). Në këtë variant të plotë të takimit, që po sjellim, kuptojmë se Ismail Kadare ka ndërhyrë mbi çështjen e pluralizmit politik, pasi ka folur para tij Luan Omari i cili në mënyrë kategorike është shprehur kundër pluralizmit partiak.
“...Unë mendoj që te neve sistemi i një partie i përgjigjet më mirë kushteve të vendit tonë. Edhe për arsye se te ne partia ka një prestigj shumë të madh, është e lidhur me popullin në mënyrë shumë më të madhe se ç’kanë bërë partitë e vendeve të tjera të Lindjes, që kanë qenë shpeshherë parti të ardhura me vagonë nga Moska etj., etj., dhe për shkakun tjetër që te neve nuk ka një traditë politike shumëpartish. Nuk ka një pozitë qoftë edhe të shtypur nga ne, sikurse ka qenë në Bullgari, në Rumani e vende të tjera.
Pra, për këto arsye, unë them që duke marrë si bazë kushtet e brendshme, pluralizmi i mendimit është i nevojshëm dhe duhet thelluar”, thotë Luan Omari, ndërsa shton: “Kurse pluralizmi politik është një gjë që nuk shkon”. Dhe mënjëherë me ton euforik Ramiz Alia thotë “Pikë. Hë, Ismail. ...”
Pas kësaj, pra pasi Ramiz Alia i vendos pikën kësaj çështje, e fton Ismail Kadarenë të diskutojë. Dhe shkrimtari, sidoqoftë është munduar ta rihapë sërish çështjen e pluralizmit partiak. Pasi ka folur për çështjen e fesë, të cilën po ashtu Luan Omari e quan të ndaluar, dhe pasi përshkruan se sa të kota janë përpjekjet për të luftuar pluri-partizimin me propagandë partiake, Kadare thotë se : “Lidhur me pluralizmin që shtruam këtu që unë nuk e kam të qartë shumë, të them të drejtën, nga ana juridike as statusin e pluralizmit d.m.th....”
Pikërisht këtu e ndërpret Ramiz Alia, i cili me cinizëm i thotë: “Shiko, pluralizëm, status, e di që ç’ke me të ti se ç’domethënë, posi. S’e dike ti. Të ma thotë ndonjë njeri që s’e di, mirë. Si s’e di? E di, e di ti...”.
Por Kadare ndërhyn sërish dhe thotë: “Ose më mirë: ç’kuptohet me këtë fjalë tek ne?”
Përgjigja rrufe e Ramiz Alisë është kjo: Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë të ketë edhe një parti tjetër, Socialdemokrate, Republikane, një parti Liberale, një parti e Gjelbër. Ja kjo është. Ja këto janë...” Dhe Kadare ndërhyn sërish: “Kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike për këtë problem...”
Mënjëherë pas kësaj ndërhyrje Ramiz Alia bën deklaratën më të drejtpërdrejtë të këtij takimi, duke i vënë pikën përfundimisht çështjes së pluri-partizmit. “Shiko, ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Që ta përmbledh unë këtë muhabet. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë pluripartitizmin. Si t’i bësh e qysh t’i bësh dredha propagandës së jashtme duhet menduar, duhet reflektuar..” dhe pak më poshtë shton: “Për këtë duhet të jemi të vendosur. Kjo do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit.”
Se për ç’arsye e ka trajtuar këtë temë në këtë formë Ramiz Alia, në këtë takim me intelektualët kjo është një temë e gjerë debati dhe që kërkon studime të thelluara. Por fakt është se ky takim, siç e rrëfen edhe vetë në fjalën e tij hyrëse, për Ramiz Alinë ishte një lloj prove se sa do ta mbështeste inteligjenca në vendimin e tij për të mos lëshuar pe ndaj kushteve që mund t’i vinte Perëndimi për lirinë e besimit fetar dhe pluripartizmin në Shqipëri.
Po ashtu është fakt se ai kërkonte të maste pulsin e inteligjencës shqiptare edhe për vendimet, apo pozicionin e mbajtur nga regjimi në kulmin e presioneve, pas krizës politike e shoqërore, gjatë muajve të parë të vitit 1990, që kulmuan me ngjarje te ambasadave dhe revoltave në Kavajë në muajin Korrik.
Duke nisur nga sot me pjesën e parë të dokumentit autentik, numër pas numri në gazetën “Shqiptarja.com”, lexuesve do t’u serviret për herë të parë i plotë dhe pa censurë ky takim shumë i rëndësishëm, që i parapriu ndryshimeve të mëdha që ndodhën në fund të vitit 1990.
Dokumenti i plotë
Takimi i ramiz alisë me intelektualët
10 gusht 1990
Pjesa e parë (Incizimi zgjat 1 orë, 48 minuta e 23 sekonda)
Zëra në sallë teksa futet Ramiz Alia.Alia përshëndet dhe takon disa prej të pranishmëve...
Ramiz Alia: Si je Sali?
Sali Berisha: Mire, mirë...
Ramiz Alia: Se e pyeta edhe Yllin si e keni zemrën ju, se po ti keni zemrat mirë ju, i kemi edhe ne...
Ramiz Alia: Çesk si je, si shkon?
Zëra në sallë dhe lëvizje...
Ramiz Alia: A s’lëvizni...Të vij unë tek ju, po hajdeni ju tek unë. Ç’është kjo punë kështu.
Ramiz Alia: Si je Zija, si vete... shyqyr që je zbardhur.....jo jo më mire që je zbardhur...
Zëra dhe të qeshura...Shkrepjet e aparateve fotografikë. Zëri i Ramiz Alisë që pyet të tjerë pjesmarrës për shëndetin dhe i takon...
Ramiz Alia i drejtohet njërit prej pjesmarrësve: Ty të pashë rrugës ty..dhe Angjelinin...Angjelini si marinar...
Ramiz Alia: Po hajde do të vini me mua? Dhimitër (Shuteriqi) hajde aman se.. o, Dhimitër, hajde me mua ti se.. afrohuni këtu se s’ka.. Hajdeni mo afrohuni këtu...Afrohuni.. Futuni, Hajde Çesk, afrohu more...
Lëvizje në sallë...
Ramiz Alia: A sa mirë e bëtë se nuk luajtëj ju, ja, ju luajta unë...
Ramiz Alia: Ismail pse shkon nga radhët e treta ti, apo ke hall se të marrin në fotografi e s’del bukur hë...
Ramiz Alia: Si je ti Dhimitër?
Dhimitër Shuteriqi: Si të rinjtë...
Ramiz Alia: Për nder mirë është me qenë i ri...
Pauzë...
Ramiz Alia: Mirë atëherë... Nuk di se si t’ia filloj. Unë doja të takohesha prej kohësh me ju. Edhe ca shokë më propozuan që, sikur të bënim ndonjë takim. Natyrisht ata kishin idenë për një takim më intim, në kuptimin jo se do të mungojë intimiteti edhe këtu, por siç duket kishin idenë e një takimi me 5-6 veta. Por unë asaj 5 i shtova dhe një zero dhe e bëra 50. Por dhe ky takim intim është besoj, këtë karakter duhet të ketë.
Tani ka dy rrugë zhvillimi të këtij takimi. Në doni po jua lë juve fjalën, mbase keni juve për të thënë ndonjë gjë, ndonjë mendim, ndonjë pyetje, në doni filloj unë. Sa t’ju shtroj unë disa mendime tonat. Ndonjë gjë të re s’kam për t’ju thënë, mbase një përmbledhje të situatave, si i gjykojmë, dhe pastaj të thoni edhe ju ndonjë mendim, ndonjë pyetje. Si e keni qejfin?
Zeëra nga salla: Sipas traditës. E bëjmë si studentët.
Ramiz Alia: Ashtu doni ë? Mirë, mirë, dakord, e bëjmë dhe si studentët po deshët. Mirë, po filloj unë diçka.
Tani unë kisha disa gjëra shumë shkurt. Mbajtëm disa shënime më tepër për të organizuar kohën se problemet janë të njohura. Doja të vija në dukje në radhë të parë që, siç jeni në dijeni, situatat në përgjithësi, qoftë në situatën e jashtme qoftë në situatë e brendshme ka ndryshime të mëdha, në qoftë se i krahasojmë, po themi, me një vit më parë. Dhe këto ndryshime mbi të gjitha kanë ndodhur në Lindjen evropiane, në Bashkimin Sovjetik dhe në të gjitha këto vendet e tjera, ku, mundet të themi pa ekzagjerim, që në këto vende reaksioni vendosi pushtetin e vet, pa i zbukuruar gjërat, ë?
Socializmi i la vendin zyrtarisht kapitalizmit. Në fuqi në këto vende erdhën forca të borgjezisë, erdhën antikomunistë, edhe disidentë të deklaruar antikomunistë. Nuk është nevoja besoj të zgjatemi në këtë çështje. Po t’i hedhim një sy Polonisë, Çekosllovakisë ose Gjermanisë, apo edhe Bullgarisë apo edhe Hungarisë, të gjithë të konkludojnë në këtë konkluzion, në këtë çështje. Po ashtu si edhe ngjarjet vetë në Bashkimin Sovjetik në këtë rrugë po ecin.
Natyrisht këto ndryshime i kanë dhënë zemër reaksionit në të gjithë botën. Dhe mund të themi që sulmi kundër socializmit si rend shoqëror, kundër partive komuniste, kundër komunistëve, sot është më i egër se kurrë. Asnjëherë në historinë e lëvizjes komuniste, të paktën të pasluftës së Dytë Botërore e këtej, nuk ka qenë një sulm kaq i egër sa ky që është tani. Kudo borgjezia dhe reaksioni, me arrogancë sot po përpiqet të imponojë normat e veta.
Të imponojë dhe të diktojë recetat e veta të zhvillimit vendeve të ndryshme. Kalë beteje në të gjithë këtë luftë të reaksionit janë bërë pluralizmi politik, të drejtat e njeriut, privatizimi dhe tregu i lirë mbi këtë bazë, koncepte të cilat vëmë re jo vetëm që zënë faqe të tëra të shtypit e të propagandës të vendeve të ndryshme, por edhe janë institucionalizuar në organizata e ndryshme ndërkombëtare, siç është p.sh., Tregu i Përbashkët, Mbledhja e Helsinkit, Fondi Monetar apo Klubi i Parisit etj., etj. Domethënë këto shtrohen edhe si kushte pjesëmarrjeje në këto organizma të ndryshme. këto janë në qendër të propagandës të “Zërit të Amerikës”, të radiotelevizioneve të ndryshme, të konferencave ndërkombëtare që bëhen etj., etj., të cilat ju i ndiqni, i shikoni, i dëgjoni dita-ditës.
Kjo është pak a shumë, kaq desha të them për situatën ndërkombëtare në tërësi. Si vlerësohet dhe si e shikojmë ne zhvillimin e saj. Tani, në këto situata shigjetat e reaksionit janë drejtuar kundër nesh. Dhe ka një logjikë të thjeshtë. Në qoftë se në Evropën Lindore socializmi u përmbys, në Bashkimin Sovjetik socializmi mori fund, nuk ka arsye që në Shqipëri të ekzistojë, sipas mendjes së borgjezisë. Prandaj edhe sulmi i reaksionit kundër Shqipërisë socialiste është një sulm i rreptë.
Qëllimi është i qartë. Këtu nuk kërkohen, si të thuash, ndryshime të vogla, kozmetike. Qëllimi është që të përmbyset pushteti popullor. Qëllimi është që të likuidohet rendi socialist dhe partia e komunistëve, as më shumë e as më pak. Pra, qëllimi i reaksionit është që të arrihet ajo që u realizua në vendet e Lindjes, ajo që u realizua në Poloni, ajo që u realizua në Çekosllovaki, ajo që u realizua në Bullgari, në Hungari, në Gjermaninë Demokratike e kështu me radhë. Kjo, më duket se ka rëndësi të madhe që ta kemi të tërë ne, mirë parasysh.
Si duan që ta realizojnë këtë? Eksperienca po tregon që këtij qëllimi, reaksioni po përpiqet që t’ia arrijë në rrugë paqësore, d.m.th. përpiqet që t’ia arrijë duke ngritur masat nga brenda, duke krijuar incidente brenda vendit, duke diskredituar pushtetin, organizmat e tij, partinë. Skenarët, meqë kemi këta të Kinostudios dhe të Teatrit, janë identikë, si në Poloni, ashtu në Çekosllovaki, në Gjermani apo në Bullgari, në Rumani apo në Hungari.
Ngre masat në demonstrata, në greva, në pakënaqësi, në ku e di unë thashetheme, deri edhe në vajtje masive nëpër ambasada, siç ndodhi në Gjermaninë Demokratike, por tërë qëllimi për të diskredituar pushtetin në fuqi, për ta përmbysur atë dhe për ta zëvendësuar nëpërmjet gjoja të ashtuquajturave zgjedhje të lira, me forca të tjera të djathta.
Përse ngul këmbë në këtë çështje? Unë mendoj që pa e kuptuar këtë qëllim të armiqve, nuk mundemi të organizojmë dhe të zhvillojmë luftën kundër tyre. Kjo, për mendimin tim, është çështja bazë. Po u larguam, si të thuash, nga ky vizion, është e vështirë të kuptojmë zhvillimin e situatave.
Ndryshe, do të ketë lëkundje te njerëzit, ndryshe do të ketë hutim te njerëzit, ndryshe do të ketë pasivitet në qëndrimet e tyre, ndryshe do të ketë indiferentizëm. Dhe kjo, për mendimin tim, bëhet tepër e rrezikshme në situatën aktuale. Pse? Sepse, aktualisht me veprimtarinë dhe diversionin e armikut po ndeshet baza, d.m.th. po ndeshen masat, komunistët drejtpërsëdrejti, organizatat e frontit, organizatat e rinisë, me një fjalë njerëzit në rrugë.
Më lejoni të bëj një krahasim të vogël. Partia jonë, në 45 vjet, ka bërë luftëra të mëdha, madje, tepër të mëdha. Nuk ishte e vogël, të themi, lufta me revizionizmin sovjetik, nuk ka qenë e vogël lufta me revizionizmin jugosllav, përkundrazi, nuk ka qenë e lehtë lufta me armiqtë e brendshëm të partisë, me Mehmet Shehun, me grupin e Beqir Ballukut, të Koçi Xoxes etj. Por, është një karakteristikë, që të tëra këto luftëra kanë qenë nga lart. Me këto luftëra ka qenë e organizuar udhëheqja e partisë.
Revizionizmit sovjetik, ta zëmë, i bëri ballë veçanërisht udhëheqja e partisë, në kuptimin e propagandës, në kuptimin e demaskimit të tezave, në kuptimin e zbulimit të planeve të tij dhe të kundërshtimit të planeve të tij etj., etj. Ndërsa baza, njerëzit e thjeshtë solidarizoheshin me vijën e partisë, solidarizoheshin me këtë luftë. Sigurisht e ndjenin që ishte lufta e tyre, por bashkoheshin me partinë në këtë luftë edhe forconin besimin e madh të udhëheqjes për të luftuar me konsekuencë etj., etj.
Tani ndryshon meseleja, sepse armiku është dhe vepron në bazë, vepron në njerëzit, vepron në qendrat e punës, vepron në institucionet e ndryshme pra, me të ndeshet drejtpërsëdrejti çdo punonjës, çdo komunist. Prandaj edhe ka rëndësi të madhe që të kuptohet se çfarë synojnë armiqtë, çfarë kërkojnë ata dhe se si duan ta organizojnë këtë luftë dhe se si po e organizojnë dhe po e drejtojnë këtë luftë kundër nesh.
Duhet thënë që ky sulm i armiqve të jashtëm kundër pushtetit tonë, kundër partisë sonë, ka gjetur mbështetje edhe brenda. Ka gjetur mbështetje dhe kushte që i japin mundësi zhvillimit të veprimtarisë së tij. Mbështetjen e ka gjetur në njerëz të predispozuar për alternativën që jep armiku, pra kundër pushtetit, kundër partisë, kundër socializmit. Mundësi ose kushte që ia lehtësojnë punën janë shfrytëzimi i mungesave, i gabimeve, i dobësive, i të metave që kemi ne në zhvillimin tonë.
Ç’përfaqësojnë forcat e brendshme ku mbështetet edhe shpreson armiku sot? Në qoftë se i bëjmë një analizë fenomeneve që po ndodhin, duhet që të arrijmë në një konkluzion, mendoj unë. E para, njëherë, mbështetje për veprimtarinë e armiqve është një konglomerat njerëzish të çoroditur, shpesh punëtorë e të rinj punëtorë, që ëndërrojnë një jetë të lehtë si në ekranet televizive, ka të papunë, ka ish të burgosur, aventurierë etj. Nga ana politike këta njerëz nuk kanë ndonjë program të qartë kundër partisë ose kundër pushtetit.
Këta janë kritizerë dhe të pakënaqur nga çdo gjë. Këta janë njerëz të cilët që kur dalin në mëngjes dhe deri në darkë kanë vetëm sensin e kritikës. Pse s’është rregulluar trotuari? Pse s’ka fasule? Pse është kështu? Pse nuk është kështu? D.m.th. në qoftë se do ta quaja program është kundërvënia ndaj vijës së partisë dhe të organeve të pushtetit. Pozicioni i kritizerit: këta edhe prodhojnë thashetheme. Ky është edhe kontingjenti kryesor që u fut në ambasada ose që ishin protagonistë të atyre ngjarjeve që ndodhën në Tiranë, në Kavajë, në Shkodër e gjetkë.
Duhet pranuar që këtu pasqyrohet edhe puna e dobët që ka bërë dhe bën partia, që ka bërë dhe bën rinia, që kanë bërë dhe bëjnë bashkimet profesionale, fronti e të gjitha organizatat e masave. Me një fjalë, ky konglomerat njerëzish është pasqyrim edhe i dobësisë së punës sonë, se duhet thënë që shumica e këtyre njerëzve janë njerëzit tanë, nuk janë bij armiqsh ose njerëz antisocialistë. Ky është grupi i parë. Grupi i dytë, po i them unë kështu si grupe, se s’janë të organizuar si kategori, është një grup i përbërë nga armiq të deklasuar, nga njerëz që kanë qenë të burgosur politikë.
Këta janë antikomunistë të vendosur. Nga të dhënat që kemi pikërisht një pjesë e tyre janë të lidhur me të huajt dhe kanë qenë ndërlidhësit e ambasadës gjermane, jugosllave dhe franceze me grupin e parë që u futën në ambasada ato ditë të korrikut. Këta janë të prirë edhe drejt terrorit, në përdorimin e dinamiteve etj. Këta përpiqen që të shfrytëzojnë grupin e parë që është një grup i paqëndrueshëm siç thashë, i paformuar politikisht, por i çoroditur nga çdo pikëpamje.
A mundet reaksioni me këto forca të arrijë synimet e tij maksimale? Unë mendoj se jo, nuk mundet. Sigurisht mundet që të krijojë incidente, siç krijoi, mundet që të bëjë zhurma, siç bëri, por më tepër nuk bën dot, më tepër nuk fiton. Dhe dëshiroj të theksoj një gjë që të tërë besoj se e keni të qartë që veprimi që u bë më 2 korrik në ambasadat, nuk ishte ky skenari i plotë i reaksionit, synonte më tepër. Sepse do të ishte absurditet që një zhurmë aq e madhe të katandisej në këtë mënyrë siç u katandis, që tani po diskreditohen vetë ambasadat, vetë të huajt me këta njerëz.
Reaksioni nuk priste këtë gjë dhe nuk kërkonte këtë klientelë. E dyta, reaksioni nuk priste që kjo çështje të zgjidhej shpejt. Përkundrazi, ata mendonin që ne, partia dhe shteti, do të ndiqnim taktikën që ndoqën me popujt: ju erdhën, mbajini aty, nuk i lëmë të dalin.
Dhe kishin synim që të shndërronin ambasadat në kampe refugjatësh. Të vendoseshin çadrat, prandaj dhe kërkuan që të vijnë avionë, çadra, mjekë etj., etj. Pra, të krijonin këtu në Shqipëri kampe refugjatësh dhe merreni me mend, 5 000 veta kanë dhe 5 000 familje, dhe çdo ditë do të ishte një shko e eja të 5 000 familjeve dhe të 5 000 shokëve të tyre dhe të 5 000 vajzave ose djemve të tyre, pra të 50 000 vetave që do të shkonin e vinin e do të qarkullonin rreth ambasadave të Tiranës, gjë që padyshim do të krijonte një ferment në shoqërinë tonë dhe kushte për të zgjeruar veprimtarinë e tyre armiqësore.
Veprimi ynë i shpejtë që u tha: merrini menjëherë, i paralizoi ambasadat. Nuk e prisnin këtë gjë. Dhe për konsekuencë skenari i tyre u ndal këtu, nuk shkoi dot më tej. Prandaj them që me këta njerëz, me këtë kategori, me këto lloj veprimesh, ata e kanë të vështirë të arrijnë ato synime themelore për përmbysjen e pushtetit popullor.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)