Ekskluzive/ Damir Fazlic: Ju
tregoj pse Basha është një hiç

Ekskluzive/ Damir Fazlic: Ju<br />tregoj pse Basha është një hiç<br>
Damir Fazlic biznesmeni boshnjak i cili jeton në Amerikë, pas viteve 2000 dhe u bë i famshëm në Shqipëri për lidhjet e tij me ish kryeministrin Sali Berisha, vijon të ndjekë me interes zhvillimet në vendin tone e posaçërisht ato brenda të djathtës shqiptare. Fazlic i cili krijojë një furtunë politike në Shqipëri në vitin 2013 kur u zbulua se Argita Berisha, vajza e ish kryeministrit kishte kryer veprimet juridike për blerjen e një toke në Porto Romano, herë pas here, përmes llogarisë në Twitter, komenton zhvillimet politike në Shqipëri.

Dy ditë më parë Damir Fazlic do të rikthehej në vëmendjen e medias shqiptare pas një postimi në Twitter duke komentuar investigimin e revistës amerikane “Mother Jones” për aferën lobimit të e PD-s në Washington. “Pasi varrosi Partinë Demokratike, partinë që rrëzoi komunizmin në Shqipëri, “Forrest Gump-i” i politikës Lulzim Basha meriton medaljen e artë. Tani ai është zyrtarisht politikani më budalla në Ballkan, që nuk është aspak një gjë e lehtë. Vrapo Forest Vrapo", shkruan Fazllic në Twitter.

Por, përse një vlerësim i tillë nga Fazlic për Bashën? Përgjigjen e kësaj pyetje dhe shumë të tjera që lidhen me PD, miqësinë me Sali Berishën, si po e qeveris vendin Edi Rama dhe performancën e Lulzim Bashës në krye të PD, Fazlic e jep përmes kësaj interviste ekskluzive për Shqiptarja.com.

Nga postimet tuaja të herëpashershme në Twitter ju komentoni zhvillimet në Shqipëri gjë e cila na tregon se vijoni të keni interes për ato çfarë ndodhin në Shqipëri. Cili është mendimi juaj i përgjithshëm për zhvillimet politike, ekonomike dhe Sociale në Shqipëri sot?
Unë e kam përzemër Shqipërinë, gjithmonë e kam pasur dhe kam shumë miq të nderuar atje. Interesi im i pastër është që të shikoj vendin tuaj të jetë i suksesshëm të ecë përpara dhe të mbërrijë atje ku i takon. Situata ku ndodhet sot mund të ishte akoma edhe më mirë në shumë fronte. Ekonomikisht e ka të vështirë të progresojë pa patur investime të huaja direkte. Të tilla investime nuk do të vijnë për aq kohë sa nuk ka stabilitet politik dhe shtet ligjor.

Për sa i përket zhvillimeve politike. Që nga 2013 Edi Rama fitoi dy zgjedhje të përgjithshme. Si i shikoni këto dy fitore njëra pas tjetrës të Edi Ramës?
Edi Rama është një politikan shumë i mirë. Është makiavelian dhe i suksesshëm. Fitorja e tij më e fundit tregon pikërisht këto dy cilësi që ai ka. Tani ai politikisht zotëron të gjitha rezultatet. Pra, të mirat dhe të këqijat. Me një fuqi pushteti të pafundme për atë vijnë edhe përgjegjësi pa limit.

Si e shihni mënyrën se si Edi Rama është qeverisur Shqipërinë si kryeministër?
Pa e vrarë shumë mendjen për dypartishmërinë dhe pa ia vënë veshin asnjë mendimi dhe opinioni tjetër.

A mendoni se sot Shqipëria ka klimën e nevojshme për të rritur investimet e huaja në vend?
Jo.

Në një ndër të paktat intervista që ju më keni dhënë në Londër, u shprehët se Sali Berisha për ju ishte një mik i shtrenjtë. Sipas jush, përse Sali Berisha humbi zgjedhjet në 2013?
Sali Berisha është një mik i shtrenjtë. Është një nga ata njerëzit e pakët në botë që me të vërtetë të inspiron dhe beson në idetë e tij me plot pasion. Unë gjithmonë kam pasur dhe do të kem dëshirën të flas me Sali Berishën rreth politikës botërore. Shumë njerëz afër tij filluan të sillen shumë keq. Ata nisën të mendonin më shumë për veten e tyre se sa për vendin. Saliu nuk e bënte një gjë të tillë. Por shumë të tjerët e bënë. Prandaj edhe ai humbi.

A mendoni se ishte vendimi i duhur që Berisha të dorëhiqej si kryetar i PD-s?
Jo, por me dorëheqjen u tregoi të gjithëve se sa shumë moral politik ai mbarte. Të tillë njerëz i përkasin një “race” të rallë.

Vijoni të mbani kontakte me Zotin Berisha?
Po.

Çfarë mendoni për performancën e PD-s sot pas humbjes së dy palë zgjedhjeve të përgjithshme?
Pavarësisht se kryeministri Edi Rama po bën gabime të thella politike çdo ditë ai i fitoi zgjedhjet. Ka dy arsye për këtë, Lulzim Basha.

Cili është mendimi juaj për kryetarin e PD-s, Lulzim Basha?
Ai është një hiç. I cekët në njohuri dhe i pa shqetësuar nga faktet. Ai është një Forrest Gump, (personazh filmi, një njeri mendërisht i ngadalë që bëhet i suksesshëm) i cili ecën në politikën shqiptare.

Në një postim në Twitter thoni se Lulzim Basha e ka varrosur PD-në. Si keni mbërritur në këtë përfundim?
PD jo vetëm që humbi zgjedhjet, por PD u bë e parëndësishme. Nëse nuk do ishte Facebooku i Sali Berishës, PD do të renditej diçka më poshtë se Partia Republikane.

Të ndalemi pak në furtunën më të fundit ku është përfshirë politika shqiptare, pas investigimit të revistës amerikane “Mother Jones” se si kanë ndodhur pagesat e PD dhe kompanive të tjera, për të lobuar në favor të së djathtës shqiptare në Washington. Për këtë zhvillim ju përmes një tjetër mesazhi në Twitter shpreheni kritik ndaj Bashës. Përse?
Nëse unë do të isha në vend të Edi Ramës do t’i sugjeroja Bashës të lidhej me disa lobistë matrapazë në Washington, të cilët janë të padëgjuar, të paguante disa qindra apo mijëra dollarë për një foto me presidentin, para të cilat nuk janë asgjë. Më pas të gënjente duke thënë se pati një takim me presidentin dhe ai takim shkoi shumë mirë. Po ashtu të gjente disa rusë të errët të paguanin për të gjithë këtë. Duket se “Forrest Gump” ka bërë ekzaktësisht këtë.

Sipas jush cilat janë gabimet e Lulzim Bashës në të gjithë këtë histori lobimi nëse natyrisht ai ka gabuar?
Shumë gabime. Nuk dua të humb kohë për këtë.

Përse keni mbërritur në konkluzionin e shprehur në Twitter se Lulzim Basha është një politikan në Ballkan që e ka të pamundur të flasë?
Vetën nga ndjekjet që i kam bërë dhe nga ato që ai bën dhe thotë.

Pas viteve 2000 ju patët disa biznese në Shqipëri. Vijoni ti keni ato?
Jo.

Një zhurmë e madhe politike dhe mediatike u krijua rreth blerjes nga banorët lokal të një toke nga ana juan në Porto Romano në Durrës. A vijoni ta keni atë tokë në pronësi apo e keni shitur?
Partia Socialiste që ishte në opozitë atëherë më sulmoi pa mëshirë për atë projekt. U sajuan historia rreth tokës, për mua personalisht, vetëm e vetëm të godisnin Berishën. Ishte një projekt i shkëlqyer i cili supozohej të stabilizonte tregun e naftës dhe derivateve të saj në çmimin e tregtimit në pikat e karburanteve. Pra do të kishit çmime të ulëta për të gjithë. Fatkeqësisht u ndalua.

Gjatë kohës që bënit biznes në Shqipëri. A keni gabuar? Nëse po, çfarë lloj gabimesh?
Shumë për t’i përmendur. Megjithatë unë e kam pëlqyer pafund të shpenzoja kohën në vendin tuaj të mrekullueshëm.

A e vizitoni përsëri Shqipërinë dhe kur keni qenë për herë të fundit?
Bizneset e mija këto kohë më çojnë në pjesë të ndryshme të botës por unë do të rikthehem në Shqipëri.

Çfarë ju mungon nga koha kur ju bënit biznes në Shqipëri?
Njerëzit. Shqiptarët janë të mrekullueshëm.

Në Shqipëri ju keni patur shumë miq politikanë diçka normale për një biznesmen si ju. Me cilët politikanë shqiptarë mbani kontakte?
Unë vijoj të kem miq brenda dhe jashtë politikës.

Dhe pyetja ime e fundit. Me çfarë po merreni këto kohë dhe në çfarë biznesesh jeni fokusuar?
Unë jam pronar i një pakete private aksionesh në bursë.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024